Djali i Përparim Ademit, autorit që qëlloi me breshëri plumbash mbi dy motrat Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani, zbuloi një ditë më parë se ka marrë kërcënime për jetën.
I riu bëri publike ditën e djeshme mesazhet të cilat, sipas tij vijnë nga Bashkim Metani. “Do të villni gjakun e motrave të mia”, ishte një ndër kërcënimet që i riu bëri publike. Mësohet se Kristo Ademi, 21-vjeç, ka bërë kallëzim në komisariatin nr.2, dhe policia po punon për të identifikuar autorin e mesazhit kërcënues.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 31 dhjetor, në Astir. 59-vjeçari Përparim Ademi i qëlloi për vdekje me kallashnikov të dy motrat, Kristinën dhe Zhanetën, ndërsa e gjithë ngjarja ndodhi në sy të dy fëmijëve të mitur të kësaj të fundit.
Pas ngjarjes makabre, vëllai i viktimave tronditi mbarë opinionin publik me deklaratën e tij ku tha se motrat e tij kishin bërë 10 fëmijë më Përparimin, dhe ky i fundit i kishte shitur fëmijët në Greqi. Motra e viktimave Anxhela, nga ana tjetër i ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e Metanit, për të cilin shprehet se kërkon një pjesë të pasurisë.