“Ballkani i Hapur” është titulli kryesor i panelit në Forumin Ekonomik Rajonal që po mbahet sot në Shkup. Pjesë e këtij paneli janë kryeministri Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, presidenti serb Aleksandër Vuçiç së bashku me 250 kompani nga rajoni.
Gjatë samitit pritet nënshkrimi i disa marrëveshjeve trilaterale, në kuadër të Mini-shengenit Ballkanik, me synim lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe komunitetit të biznesit në Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri Rama ndërsa theksoi se do të flasë shqip, iu drejtua kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev duke i thënë se uron që përkthyesi mos t’i shkatërrojë mesazhin që ai kërkon të përcjellë.
“Këtë herë do të flas në shqip dhe shpresoj i dashur Zaev që kësaj here, përkthyesi të mos ma shkatërrojë mesazhin. Besoj se është e mjaftueshme pamja e këtij mozaiku për të kuptuar vlerën e kësaj nisme.
Këtu janë nga Shqipëria njerëzit e sipërmarrjes, ata që krijojnë punë dhe duan të shkojnë më tutje. Për të gjithë ata, kjo nismë është gjëja e duhur dhe jo vetëm është gjëja e duhur po ndryshe nga çfarë predikojnë disa është edhe e vonuar.
Ky rajon nuk mund të ngelet peng i të shkuarës në asnjë aspekt, dhe kush nuk e kupton akoma sesa të vegjël jemi të ndarë për të rritur ekonomitë tona dhe për të krijuar më shumë punë dhe perspektivë sidomos për të rinjtë, është i dënuar për të jetuar në të shkuarën. Ne s’duam të jetojmë në të shkuarën, ne duam të jetojmë në të ardhmen”.