Drejtuesi i Fondacionit “Fundjavë Ndryshe” Arbër Hajdari, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ka folur për përpjekjet e bëra për të ndihmuar në rindërtimin e shtëpive të banorëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri.
Hajdari ka theksuar se mijëra shqiptarë të diasporës, shoqata dhe kompani gjigante botërore si “Amazon” dhe “Philip Morris”, kanë bashkëpunuar me “Fundjavë Ndryshe”, duke u besuar kësisoj donacionet e tyre.
“Ka edhe një numër të madh organizatash këtu në Amerikë që kanë grumbulluar fonde për tërmetin. Gjithashtu kanë grumbulluar ndihma të ndryshme materiale të cilat janë nisur drejt Shqipërisë”, pohoi ai.
Themeluesi i “Fundjavë Ndryshe” ndër të tjera, i mëshoi faktit se i ka propozuar qeverisë shqiptare një projekt për të sjellë në Shqipëri shtëpitë e parafabrikuara.
“Unë jam anëtar i Komitetit të Rindërtimit që ka krijuar qeveria shqiptare. I kam propozuar qeverisë një projekt për të sjellë në Shqipëri shtëpitë e parafabrikuara. Ky ka qenë një projekt që ne e kemi studiuar së bashku me arkitektë që para se të binte tërmeti, por tani erdhi koha e duhur për ta propozuar. Projekti është pritur mirë nga qeveria, është pritur mirë edhe nga organizata të ndryshme dhe jemi në një koordinim të gjithë së bashku. Kemi ndarë disa zona, aty ku do të bëjmë projektet e banesave. Na është caktuar Qarku i Tiranës dhe menjëherë, këtë javë që vjen, nisim punën për të ndërtuar shtëpitë e reja të parafabrikuara. Lidhur me projektin në fjalë mund të them se për dy vite do ketë një numër të madh banesash të rindërtuara”, u shpreh Hajdari.
Intervista e plotë:
Gazetari i “Zërit të Amerikës”, Ilir Ikonomi: Zoti Hajdari, shumë donatorë ua besuan juve ndihmat për t’i shpërndarë në zonat e prekura. Cili është roli juaj si “Fundjavë Ndryshe” në Këshillin Kombëtar të Rindërtimit sepse ju merrni pjesë në këtë Këshill… Si keni ndikuar ju si Fondacion në këtë Këshill?
Arbër Hajdari: Unë jam anëtar i Komitetit të Rindërtimit që ka krijuar qeveria shqiptare. I kam propozuar qeverisë një projekt për të sjellë në Shqipëri shtëpitë e parafabrikuara.
Ky ka qenë një projekt që ne e kemi studiuar së bashku me arkitektë që para se të binte tërmeti, por tani erdhi koha e duhur për ta propozuar.
Është pritur mirë nga qeveria, është pritur mirë edhe nga organizata të ndryshme dhe jemi në një koordinim të gjithë së bashku. Kemi ndarë disa zona, aty ku do të bëjmë projektet e banesave. Na është caktuar Qarku i Tiranës dhe menjëherë, këtë javë që vjen nisim punën për të ndërtuar shtëpitë e reja të parafabrikuara.
VOA: Po për çështjen e kostos ose të çmimeve të shtëpive, çfarë ndikimi keni ju në këtë proces?
Arbër Hajdari: Ne i kemi propozuar qeverisë shqiptare heqjen e taksave doganore dhe fiskale të shtëpive të parafabrikuara, të cilat do të vijnë nga fabrikat më të mëdha të Turqisë. Është gati 1/3 e një banese të zakonshme për kostot .
Janë shtëpi, ashtu siç janë pothuajse një pjesë e madhe e shtëpive të ndërtuara këtu në SHBA. Janë realisht shumë të mira dhe ne erdhëm te ky projekt sepse duam që të strehojmë një numër të madh familjesh me gjithë fondet që janë grumbulluar nga ne si “Fundjavë Ndryshe” apo nga organizata të tjera, apo edhe nga vetë qeveria.
VOA: Ju vetë sa keni grumbulluar?
Arbër Hajdari: Ne kemi grumbulluar rreth 1.7 milion euro ndihma materiale. Gjithashtu kemi grumbulluar edhe 2 milion dollarë në shumë parash.
Shohim që në këtë dimër të ftohtë ka shumë familje, sidomos nëpër fshatra që kanë mbetur në çadra për një arsye ose një tjetër.
VOA: Sa urgjente është gjendja e tyre, si mund të zgjidhet ajo?
Arbër Hajdari: Kemi qenë në terren pranë këtyre familjeve, po mundohemi që t’u mbushim mendjen që t’i orientojmë drejt bonuseve të qirave, t’i strehojmë në mënyrë që të mos rrinë në çadra në këto ditë të ftohta. Por është e vështirë pasi ka njerëz që nuk duan të braktisin shtëpitë.
Zgjidhja është shumë e thjeshtë! Qeveria ka vënë në dispozicion hoteleri ose bonus qiraje në mënyrë që familjet të strehohen përkohësisht deri në përfundimin e projekteve të ndërtimit të banesave të reja.
VOA: A mendoni se kanë qenë të ekzagjeruara premtimet fillestare të bëra nga kryeministri? Për shembull, “që të gjithë do kenë shtëpi pas një viti” sepse shohim që qeveria i ka ulur tonet…
Arbër Hajdari: Mendoj se qeveria është duke bërë një punë të mirë, por disa prej deklaratave kanë qenë disi të ekzagjeruara.
Lidhur me projektin e banesave të parafabrikuara, mund të them se për dy vite do ketë një numër të madh banesash të rindërtuara.
Nuk mund të them të gjithë banesat, pasi ka një numër shumë të madh pallatesh, por po flas për shtëpitë lokale, që do të ketë një numër të madh dhe do të ndërtohen qyteza ku shteti po vë tokën në dispozicion.
VOA: Është vënë re një ngurrim tek disa donatorë për të dorëzuar dhurimet e tyre tek autoritetet shtetërore, kuptohet, nga frika nga abuzimi. A është i justifikuar ky mosbesim sipas jush?
Arbër Hajdari: Mendoj se po. Ne kemi pasur të gjithë numra llogarie të hapura, qoftë organizatat, qoftë qeveria.
Vetëm në “Fundjavë Ndryshe” janë rreth 75 mijë donatorë nga e gjithë bota të cilët kanë kontribuar në shuma monetare për rindërtimin e banesave.
Kemi bërë një koordinim edhe për të qenë sa më transparentë me njerëzit…do të jemi deri në fund të këtij procesi, hap pas hapi, në çdo banesë, për të shoqëruar edhe qindarkën e fundit drejt e në destinacion.
VOA: A ka pasur prirje për të bërë biznes me tërmetin? Për shembull: nga firma ndërtuese, nga projektues të infrastrukturës, etj.
Arbër Hajdari: Ka pasur një presion jashtëzakonisht të madh në ditën kur unë prezantova këtë projekt për shkak se sigurisht që ka njerëz që duan të bëjnë biznes dhe kam rezistuar fort sepse ky është një projekt që i duhet Shqipërisë, që i duhet njerëzve.
Ka pasur njerëz që kanë dashur të përfitojnë nga situata e tërmetit. Unë kam akuzuar edhe publikisht për këtë situatë, por shpresoj që situata do të jetë më e qartë në ditët në vijim, ku do të nisë edhe projekti konkret dhe besoj se do të dalin në pah të gjithë personat që kanë dashur të bëjnë biznes me tërmetin.
VOA: Disa kompani të mëdha amerikane si “Amazon” kanë dhuruar ndihma në Shqipëri, si kanë qenë këto dhurime, çfarë forme kanë pasur?
Arbër Hajdari: Dy ditë pas tërmetit, Kompania “Amazon” na ka kontaktuar dhe përmes “Fundjavë Ndryshe” ka sjellë në Shqipëri sipas një liste nevojash që ne i dërguam, një kontribut me vlerë materiale prej 240 mijë dollarësh.
Gjithashtu kompani si “Philip Morris”, këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë duke përfunduar një proces për të dërguar në Shqipëri 300 mijë dollarë për tërmetin përmes “Fundjavë Ndryshe”.
Ka pasur një numër shumë të madh kompanish amerikane të cilat pas publikimit të mediave ndërkombëtare, kanë pasur një kontakt me fondacionin tonë për t’iu bashkuar edhe ata nismës për të ndihmuar shqiptarët që kanë humbur shtëpitë. /TIRANA TODAY