Edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, sikundër kryetari i PD-së Basha, ka shpërthyer ndaj kryeministrit Rama në lidhje me sulmin ndaj analistit Fatos Lubonja. Duke e cilësuar si simbolin e lirisë së mendimit, Kryemadhi shkruan më tej në Facebook se Lubonja është kthyer në viktimë të një sulmi të dhunshëm. Duke dënuar këtë akt të rëndë, ajo thotë se është si rrjedhojë e gjuhës së urrejtjes dhe sjelljes arrogante të kryeministrit Rama.
Statusi
Të frymëzuar nga dhuna e pushtetit dhe mbytjes së demokracisë prej atyre që kanë rrëmbyer shtetin, simboli i lirisë së mendimit, Fatos Lubonja është kthyer në viktimë të një sulmi të dhunshëm.
Dënoj me forcë aktin, i cili është rrjedhojë e gjuhës së urrejtjes dhe sjelljes arrogante të kreut të Rilindjes.
Kjo dhunë ndaj njërit prej përfaqësuesve më të denjë të fjalës së lirë, është paraprirë nga ligji i inkuizicionit ndaj medias së pavarur miratuar nga Qeveria e paligjshme vetëm disa ditë më parë.
Kjo dhunë e ushtruar sot është modeli, që Edi Rama frymëzon çdo ditë me sulmet e tij prej një rrugaçi dhe banditi politik ndaj kritikëve të qeverisë së tepsisë dhe skandaleve.
Dhuna ndaj mendimit të lirë nuk ka vend në demokraci.