Dhjetë vitet e dështimit ndërkombëtar në Siri

Nga: Chris Doyle “Arab News”

Konfliktet dhe luftërat po zhvillohen në shumë forma gjatë këtij shekulli, por shumica e këtyre llojeve janë shfaqur gjatë 10 viteve të fundit në Siri. Konflikti atje nisi në formën e protestave paqësore që u përballën shumë shpejt me një shtypje brutale, dhe që më pas u shndërrua në një kryengritje të armatosur të mbështetur nga fuqitë rajonale nga të gjitha anët.

Në fund u bë një fushëbetejë ndërkombëtare duke përfshirë 2 superfuqitë, SHBA-në dhe Rusinë. Sirianët kanë vuajtur shumë nga konfliktet civile, spastrimet sektare dhe etnike, rrethimi urban, luftërat përmes palëve të treta, bombardimet ajrore, ekstremizmi islamik dhe armët kimike. Më shumë se gjysmë milioni sirianë kanë humbur jetën nga disa prej armëve më të këqija dhe më vdekjeprurëse të njohura nga njeriu.

Dhe asgjë nga këto nuk ndodhi në fshehtësi. Ky nuk ishte një konflikt që u mbulua në mënyrë të zakonshme nga media, siç po ndodh aktualisht në Tigraj të Etiopisë. Ai ishte një konflikt i dokumentuar në detaje të jashtëzakonshme dhe shpesh grafike, nga protestat më të hershme të organizuara nëpërmjet rrjeteve sociale tek 53.000 fotot e siguruara nga fotografi i policisë ushtarake, i njohur me emrin e koduar Çezar, që tregojnë torturat mizore në burgjet e Bashar Al Asadit.

Gazetarët, diplomatët dhe shoqëria civile ndërkombëtare, ishin dëshmitarë të krimeve të mëdha, të parrëfyeshme. Pirgjet e rrënojave në qendrat urbane, të shkaktuara nga bombardimet ajrore, janë një dëshmi e bombardimeve të egra dhe pa kriter nga avionët luftarakë të regjimit rus dhe atij sirian.

Komisionet ndërkombëtare, kanë hetuar abuzimet e të drejtave të njeriut për shkak të përdorimit të armëve kimike. Prandaj, bota nuk mund të pretendojë se nuk e dinte se çfarë po ndodhte në Siri. Ajo nuk mund të lejohet që të kënaqet me amnezinë kolektive, apo të pretendojë se nuk ishte faji i saj.

Po, regjimi sirian dhe mbështetësit e tij, mbajnë përgjegjësinë kryesore, por kjo nuk justifikon aktorët e tjerë. Bota bëri me lehtësi një sy qorr ndaj teprimeve të regjimit të Asadit që para vitit 2011. Pas ditëve të para të së ashtuquajturës “Pranvera e Damaskut”, pak njerëz thanë ndonjë gjë kur nisi represioni.

Po ashtu, pak gjë u tha mbi rezervat e armëve kimike të Sirisë. CIA e dinte se regjimi zotëronte një arsenal të madh të armëve kimike, pasi kishte një të inflitruar brenda programit të regjimit për 14 vjet. 32 nga 38 raste të dokumentuara të përdorimit të armëve kimike që nga fillimi i konfliktit sirian, mund t’u atribuohen forcave të qeverisë siriane.

Një nga gabimet më vdekjeprurëse ndodhi në gusht të vitit 2011. Presidenti Barak Obama i bëri thirrje Asadit që “të largohej”, i mbështetur thuajse menjëherë nga Britania, Franca dhe Gjermania.

Një gjest retorik i mirëpritur, por që i inkurajoi kundërshtarët e Asadit të besonin se SHBA do të ndërhynte së shpejti, kur Obama dhe të tjerët e dinin se nuk kishin dëshirë që të futeshin në një tjetër “moçal” të Lindjes së Mesme. Edhe disa nga opozitarët sirianë në mërgim shpresuan shumë, duke e propaganduar me vetëdije këtë pikëpamje, kur ishin sirianët brenda vendit ata që do të paguanin çmimin.

Në fund, Rusia dhe Irani kanë provuar herë pas here se janë shumë më të përkushtuar në mbajtjen e regjimit në pushtet sesa ishin SHBA dhe të ashtuquajturit miq të Sirisë në mbështetjen e opozitës. SHBA-ja, Turqia dhe të tjerët, e armatosën opozitën deri në një farë mase.

Ishte programi më i madh i CIA-s në dekada. Amerikanët dërguan mjaft armë për zhvillimin e konfliktit, por asnjëherë për t’i dhënë fund atij. Luftëtarët e opozitës nuk morën armët e nevojshme për ta rrëzuar regjimin, dhe ato armë që mbërrinin, binin shpesh në duart e ISIS ose Al-Kaidës.

Pakënaqësia me SHBA-në dhe fuqitë evropiane, bëri që shumë njerëz t’i bashkohen grupeve islamike më ekstremiste. Në vend se të ishte grupim koherent, opozita siriane u përça dhe u shkëput nga një numër i madh mbështetësish të jashtëm. Sherret e vazhdueshme, ishin dëshmi e këtyre ambicieve konkurruese rajonale.

Pasi fuqitë e mëdha inkurajuan dhe nxitën konfliktet, shumë sirianë shpresuan se do të ishin të mirëpritur nga ato vende si refugjatë. Dhe për disa muaj ishte kështu. Evropa ri-zbuloi përkohësisht ndërgjegjen dhe falë Angela Merkelit që i hapi dyert e Gjermanisë dhe i mirëpriti sirianët si gjermanët e rinj.

Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për shumë vende të tjera evropiane, me Hungarinë në krye që nisën ndërtimin e gardheve me tela me gjemba. Administrata Trump e ndaloi marrjen e refugjatëve sirianë. Ndaj shumica e 5.6 milion refugjatëve sirianë lëngojnë nëpër kampe në Turqi, Jordani dhe Liban, dhe e ardhmja e tyre është po aq e zymtë sa stuhitë e dimrit që shkatërrojnë kasollet e tyre.

Gjatë viteve të fundit, Siria ka qenë një fushëbetejë e luftëtarëve dhe avionëve nga e gjithë bota. Një mik nga Siria bëri me mua një shaka të hidhur “A ka mbetur ndonjë vend, që nuk dëshiron të na bombardojë?”. Vlerësohet se luftëtarë nga 110 vende iu bashkuan ISIS-it. Sot, forcat ruse, iraniane, amerikane dhe turke dominojnë në terren bashkë me forcat e milicisë nga Hizbollah, Iraku dhe Afganistani.

Në qiell, avionët anti-ISIS kanë bombarduar vazhdimisht qytetet siriane. Fushata ajrore për të rimarrë Rakën dëmtoi ose shkatërroi deri në 80 për qind të ndërtesave. Sot bota vazhdon të bëjë sehir dhe nuk bën asgjë, duke supozuar se konflikti është i ngrirë.

Në disa aspekte linjat e kontrollit janë të ngrira, por jo dinamika e konfliktit. Regjimi dhe Rusia vazhdojnë që të bombardojnë Idlibin, ku Hayat Tahrir Al-Sham, dega e Al-Kaidës në Siri, po përballet me protesta kundër sundimit të tij mesjetar.

Sirianët përballen sot me kushtet më të vështira të këtyre 10 viteve për shkak të luftës, katastrofës financiare dhe pandemisë. Me statuskuonë që mbetet e paprekur,asnjë donator i madh nuk do që të financojë rindërtimin në Siri. Sirianët nuk po kërkojnë dritën në fund të tunelit, por po pyesin se kur do të prekin pjesën e poshtme të gropës së errët ku janë hedhur.

Kriza Siriane, ka qenë dhe mbetet një dështim i plotë i faktorit ndërkombëtar dhe atij rajonal. Komuniteti ndërkombëtar premtoi shumë dhe ka mbajtur shumë pak prej tyre.

Kolektivisht ne kemi dështuar me popullin sirian në çdo mënyrë të mundshme të imagjinueshme. Akoma më keq, pas 10 vjetësh asnjë nga fuqitë kryesore nuk po jep shenjën  më të vogël, përveç administratës Bajden, se synon të bëjë gjithçka për ta ndryshuar këtë situatë.

Burimi i lajmit: https://www.arabnews.com/node/1822121

Përshtatur nga TIRANA TODAY