Kryeministri Rama ka pohuar sot se deri në muajin qershor, Shqipëria do të ketë humbur gjysmë miliardë euro, si pasojë e situatës së krijuar nga koronavirusi.
Përmes një komunikimi live në Facebook, Rama prezantoi edhe disa nga shifrat e humbjeve për këto muaj që vendi ka ndalur thuajse të gjithë aktivitetet me rëndësi.
Sipas kreut të qeverisë, vendi ka humbur 100 milionë € në muajin mars dhe 170 milionë € në muajin prill. Rama shtoi se me shumë mundësi edhe në muajin maj vendi do të humbasë 170 milionë €, ndërsa në muajin qershor 100 milionë €.
“Motra e vëllezër, ju lutem, ju përgjërohem, të qëndrojmë me dinjitet e me vendosmëri siç kemi qëndruar deri më sot dhe jini të sigurt, mos e vini në asnjë çast në dyshim, se unë dhe kjo qeveri do të bëjmë gjithçka që të mos lëmë vetëm askënd dhe t’i gjendemi vëllazërisht gjithkujt ndër ju. Por mbajeni parasysh, kjo shtëpi, ky shtet, kjo qeveri për pasojë, ka humbur si rezultat i kësaj lufte 100 milionë € në muajin mars, 170 milionë € në muajin prill dhe me gjasë do të humbasë po kaq, 170 milionë € në muajin maj, 100 milionë € në muajin qershor, pra në total më shumë se gjysmë miliardë euro! Nuk po ju qahem e as ankohem, por thjesht po ju sjell në vëmendje që si në shumë shtëpi të zakonshme edhe në shtëpinë tonë të përbashkët të ardhurat janë goditur fort! Kjo do të thotë vetëm kaq: Kur kërkoni nga unë në këto kushte të vështira për të gjithë, as mos e dyshoni që unë dua të merrni jo aq sa kërkoni, po edhe me shumë nga sa kërkoni, sepse sot më shumë se kurrë ju jeni të gjithë familja ime dhe çfarë është e shtetit, nuk është imja, po është juaja. Prandaj ju lutem, mos i dëgjoni as kukuvajkat që predikojnë vdekjen për bukë as bilbilat gjyzare që recitojnë recetat çudibërëse që detin e kthejnë në kos! Ne do ta fitojmë këtë luftë dhe lehtësimi që do të vijë pas saj, do të na bëjë të kuptojmë se sa e fortë dhe se sa e mirë mund të jetë Shqipëria”, tha ai.