Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vijon me inspektimin e punimeve për shtëpitë e prekura nga tërmeti. Ditën e sotme ai inspektoi ecurinë e punimeve në shtëpinë e Sefer Poçit në Farkë e cila u dëmtua nga tërmeti i 21 shtatorit.
“Kjo është shtëpia e Seferit, të cilën po e bëjmë nga e para. Herën e parë u takuam për hall, herën e dytë për punë, herën e tretë do takohemi për qejf se do hyjmë në shtëpinë e re, jo vetëm këtu, por në mbi 40 shtëpi të tjera në gjithë Tiranën. Është kënaqësi e jashtëzakonshme të shohësh sesi në vetëm pak javë nga tërmeti kemi nisur nga puna për rindërtimin e shtëpive. Bashkë me deputetët, administratorët dhe kompanitë private që na kanë ndihmuar, duke adoptuar nga një shtëpi secila, po punojmë në mbi 40 kantiere në Tiranë, ku shtëpitë më të vuajtura jemi duke i bërë nga e para”, tha Veliaj.
Veliaj falenderoi komunitetin e biznesit, që sipas tij në një kohë fare të shkurtër nisën punën për rindërtimin e shtëpive.
“E kuptoj që bashkia, qarku, qeveria mund të ndihmojë me pagesat për dëme të vogla, që secili me atë pagesë t’i rregullojë vetë dëmtimet, por kur shtëpia është rrënuar totalisht, na u duk ide më e mirë dhe solidaritet më i madh që ta bënim nga e para. Kryeministri na ka dhënë një avantazh të jashtëzakonshëm me VKM, e cila lehtëson lejet për ata që do i bëjnë këto punë vetë. Po ashtu, edhe solidariteti i pamunguar nga komuniteti i biznesit, të cilët kanë adoptuar nga një shtëpi dhe po bëjnë më të mirë se ç’ka qenë, me kushte shumë herë më dinjitoze, që do i rezistojë edhe 100 viteve të tjera të shekullit të dytë të Tiranës”, shtoi ai.