Koronavirusi ka gjetur shtrirje të madhe në mbarë globin. Si pasojë e virusit vdekjeprurës, një tjetër personalitet i shquar në vend ka humbur jetën. Piktorja e njohur Lumturi Blloshmi ka ndërruar jetë sot në moshën 76-vjeçare. Piktorja e njohur ishte shtruar prej tre javësh në spital, por nuk mundi ta fitonte betejën me virusin e rrezikshëm.
Lumturi Blloshmi u lind më 1944 në Tiranë. Ajo u diplomua për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve, ndërsa ka punuar në disa institucione kulturore, së fundmi në Institutin e Monumenteve të Kulturës në Tiranë.
Ka ekspozuar rregullisht para viteve ’90 dhe me të njëjtin rritëm ka ekspozuar dhe pas tyre, por me të vetmin dallim, që lidhet me realizimin e një numri në rritje të ekspozitave vetjake, si brenda dhe jashtë vendit.
Kritika e ka vlerësuar piktoren Lumturi Blloshmi, si një përfaqësuese e denjë e pikturës bashkëkohore shqiptare.