E enjte, 20 Janar, 2022
-1.5 C
Tirana

Cilat janë vendet dhe njerëzit në botë që ka entuziazmuar foltorja e Berishës?

Nga: Preç Zogaj

Në një prej takimeve të këtij muaji, Sali Berisha deklaroi: “Foltorja ka zgjuar shpresa të mëdha në mbarë botën. Dua t’ju siguroj se kjo pritje që shihni në Shqipëri për Foltoren nuk është më pak entuziaste në vendet mike. Ka entuziazëm në vendet mike. Nuk janë të pakta përgëzimet që marr nga përfaqësues të vendeve mike në Europë, por edhe nga elitat e krahut republikan në SHBA”.

Pas këtij kumti, publiku i gjerë dhe besoj se edhe pjesëmarrësit në Foltore prisnin që zoti Berisha të vazhdonte me emrat e vendeve mike dhe personaliteteve botërore që janë entuziazmuar kaq shumë me lëvizjen e tij për shkarkimin e Lulzim Bashës dhe rimarrjen e postit të kryetarit të PD-së. Në një rast si ky, tregimi i emrave është kushti numër një për ta bërë të besueshëm kumtin, është treguesi elementar i respektit ndaj auditorit. Aq me tepër kur bëhet fjalë për një lajm shumë të mirë dhe për një ngjarje që sipas zotit Berisha po skalitet në histori bashkë më emrat e firmatarëve. Por ai nuk tha asnjë emër. Dhe askush nuk e pyeti “cilët janë”. As atë ditë, as më vonë.

Një shpjegim mund të jetë ky që Berisha nuk ka emra, por hedh ca fraza të fryra dhe bosh për t’u bërë qejfin e përkëdhelur egon fansave të tij sikur ata dhe vetë ai janë në qendër të një ngjarjeje botërore. Në ketë mënyrë e lexon saktë, në fakt, verbërinë e tyre të paepur, ku saktësia i sakrifikohet besnikërisë së pa mend dhe ku beso e verifiko ia lë vendit adhurimit të zhurmshëm. Nga ana tjetër nuk do t’ia dijë fare për ata që kanë shkuar për ta dëgjuar, që duan të dinë, por nuk respektohen në ketë pikë dhe largohen duke mërmëritur me vete dhe me njëri-tjetrin: Sekret emrat e miqve, në kasafortë emrat e firmatarëve! Pse vallë? Një shpjegim tjetër, më afër se vërtetës sipas meje, mund të jetë ai se Berisha ka emra, por nuk i leverdis t’i thotë. Sepse mund të jenë persona që vërtetojnë akuzat se po drejton një lëvizje antiamerikane. Kjo, në rastin kur këta persona nuk janë amerikanë. Ose janë shtetas amerikanë kundër politikës së Presidentit Biden, shprehur në urdhrin ekzekutiv të nxjerrë prej tij që e trajton korrupsionin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë në Shqipëri dhe në vendet aleate si dukuri që cenon sigurinë kombëtare te SHBA.

Duke e ditur se shumica e njerëzve që ndjekin Foltoren i njohin plot mirënjohje shërbimet e madha që SHBA i kanë bërë kombit shqiptar përgjatë një shekulli dhe janë të qartë se miqësia dhe partneriteti fatlum me SHBA është për Shqipërinë, Kosovën dhe kombin shqiptar garancia e pavarësisë, sigurisë dhe zhvillimit demokratik, Berisha kujdeset ta mbajë në hava diskutimin për marrëdhëniet me SHBA. Frazat e përgjithshme dhe paqartësia janë për të një vijë sjelljeje për të mbajtur sa me shumë njerëz me gajret rreth vetes. Këtu edhe shpjegimi i mospërmendjes së emrave. Mirë të tjerët, po kongresmenët dhe senatorët amerikanë pse nuk i përmend, nëse ka të tillë që e mbështesin? SHBA janë vend i fjalës së lirë. Nuk mund të imagjinohet që përfaqësuesit e zgjedhur, kongresmenët dhe senatorët, për më tepër në opozitë me qeverinë, të qepin gojën nëse konstatojnë akte të shpërdorimit të fuqisë nga Presidenti dhe Sekretari i Shtetit kundër ish-Presidentit të një vendi të vogël aleat dhe familjes së tij. Në gjërat e paqarta gjej me shumë qartësi se në të qartat, thoshte Niqja. Përtej hiperbolizimit si karakteristikë e stilit ligjërimor të zotit Berisha, shpresat e mëdha dhe entuziazmi që thotë se ka ndezur foltorja e tij në mbarë botën nuk mund të gjenden kurrkund tjetër përveçse

Lexo edhe :   Shtatzëna shikon gra me barrë

a)në vendet ku sundojnë kastat autokratike, në armiqësi të hapur a të fshehtë me SHBA, siç janë për shembull Rusia dhe aleatët e saj,

  1. b) tek individët dhe flukset antiamerikane, kryesisht ultramajtiste dhe të ekstremit të djathtë në vendet europiane,
  2. c) tek idhtarët e doktrinës izolacioniste brenda SHBA që nuk duan një SHBA që udhëheq botën, por që sheh punët e saj dhe s’do t’ia dijë për të tjerët, doktrinë e cila fatmirësisht nuk është përqafuar e implementuar si projekt qeverisës nga asnjë prej presidentëve amerikanë përgjatë njëqind vjetëve të fundit, pavarësisht luhatjeve të njërit a tjetrit për arsye ideologjike apo elektorale. Po të ndodhte që SHBA të shihte vetëm punët e saj, do të ishte një lajm i zi për demokracinë në botë, veçanërisht për Shqipërinë, Kosovën dhe kombin shqiptar.
Lexo edhe :   Shtatzëna shikon gra me barrë

Pavarësisht motive të përziera të Foltores, ku ndjenjat hakmarrëse të Berishës ndaj ish-beniamimit të tij Basha ndërthuren në një koktej shpërthyes me instrumentalizmin e pakënaqësive në parti për humbjen e zgjedhjeve të fundit, rëndësia e vetme ndërkombëtare e Foltores dhe Kuvendit-miting që ka thirrur Berisha në datën 11 dhjetor është sfidimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një betejë në emër të njerëzimit, siç ka thënë një herë në një moment zhbalancimi.

Në mes është krenaria e tij e lënduar, është e drejta e tij për transparencë. E gjithë kjo do ta projektonte si personazh tragjik nga ata që e mallëngjejnë mjedisin, nëse nuk do të kërkonte të merrte me vete PD-në dhe nuk do t’i jepte lëvizjes së tij, me dashje a pa dashje, konotacionet e zhvlerësimit të politikës së Presidentit Biden që e shtrin mbrojtjen e SHBA në kufijtë e vendeve aleate, që e bashkon sigurinë e kombëtare amerikane me sigurinë kombëtare të këtyre vendeve. Për vendin tonë, kjo politikë përbën një shans të jashtëzakonshëm, shansin e vetëm sipas meje, për daljen e Shqipërisë nga qerthulli i pandëshkuemërisë, korrupsionit endemik, vulnerabilitetit të një elite politike të kapur, ekuivokëve të njërit e tjetrit për orientimin gjeopolitik.

Ja se si një problem që duket shumë lokal dhe që përfshin mijëra anëtarë të thjeshtë të PD-së, ka fituar papritur një kontekst gjeopolitik. Nuk ka kohë dhe nuk është vendi për t’u dhënë demokratëve leksione gjeopolitke. Shumica prej tyre e kuptojnë mirë se çfarë loje po luhet. Ata duhet të zgjedhin midis marrëdhënieve të ngushta me SHBA dhe izolimit prej tyre. Është kaq e thjeshtë. Berisha, minimalisht, duket t’u tregojë cila është ajo botë dhe cilët janë ata njerëz që qenkan ngritur peshë nga foltorja e tij. Dhe duhet t’u thotë me ndershmëri dhe epizëm, pse jo, se kush vjen me mua duhet ta dijë se na pret izolimi nga SHBA për kohëzgjatjen e të cilit nuk kam datë. /Panorama.al

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Basha i përgjigjet Metës pas takimit me Ballën

Kryedemokrati Basha ka dhënë garanci se PD nuk do t’i iki asnjë beteje, përfshirë edhe zgjedhjet vendore. Qëndrimi i tij pason pas deklaratës për...

Krijohet sistemi që “parashikon” pacientët më të rrezikuar me Covid-19

Shkencëtarët në Gjermani kanë zhvilluar një sistem të ri të inteligjencës artificiale, i cili analizon proteinat në një mostër të vetme gjaku te një...

PD po shkon drejt ndarjes?

Nga: Artur Ajazi Mendimi për një ndarje të mundshme të PD-së, po shprehet dhe promovohet hapur ditët e fundit në çdo ambient mediatik. Në dukje...

Në kërkim të racës Ariane: Misioni i bujshëm i nazistëve në pyjet e Amazonës

Nga: Pietro Emanueli Nazistët kishin një koncept racist mbi botën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, brenda së cilës Gjermania ishte qendra e gjithçkaje, dhe ishte mbi të...

Bardhi: Asnjë habi nga trekëndëshi i Bermudës.Reagon Blushi: Ç’na polli belaja!

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar sa i takon qëndrimit publik të presidentit Meta, pas diskutimit për datën e zgjedhjeve të...