Avokati i njohur Spartak Ngjela ka postuar një shkrim të gjatë në faqen e tij në Facebook, ku ka renditur disa arsye se përse lidershipi shqiptar është i korruptuar.
Sipas tij, dëmi më i madh kombëtar i të gjithë historisë së shtetit modern shqiptar, ka qenë korrupsioni i njëzet-tridhjetë vjetëve të fundit. Ai vijon më tej, duke u shprehur se lidershipi shqiptar është tërësisht i korruptuar dhe antiperëndimor, dhe se mënyra e vetme për të likuiduar këtë klasë është Reforma në Drejtësi
“Historia e Shqipërisë është një tragjedi e dhimbshme, por duhet të jemi të qartë se këtë dhimbje tragjike shqiptarëve ua kanë sjellë në radhë të parë vet shqiptarët.
Të gjithë këta liderë të korruptuar, që kanë kaluar në Shqipëri, kanë shitur interesin kombëtar dhe pastaj kanë marrë mbrojtjen e “blerësve” që kanë dërmuar Shqipërinë”, shkruan ndër të tjera Ngjela
Postimi i plotë:
Të gjithë shqiptarët sot janë në tensionin e pyetjes: çfarë do të ndodhë me Shqipërinë.
l.
Janë të shumta pyetje që bëhen sot për këtë çështje. Por unë kam qëmtuar e do t’iu përgjigjem pyetjeve të më poshtme:
- Sa e ka rrezikuar çështjen kombëtare dhe sa e ka dëmtuar zhvillimin kombëtar korrupsioni shqiptar?
2. A ka pasur mbështetje ndërkombëtare një korrupsion shqiptar kaq enorm?
3. A është e vendosur politika amerikane te Reforma në Drejtësi?
4. Pasi të përfundojë Reforma në Drejtësi, a do të shkojë deri në fund shkallmimi i korrupsionit shqiptar me emrat e pushtetarëve të rëndësishëm?
5. A do të shkojë deri në shkarkim Ilir Meta, dhe a mund të quhet ky akt-proces si preludi i aplikimit të Reformës në Drejtësi?
7. A do të shkojnë në shpronësim të gjithë të korruptuarit e mëdhenj të shtetit shqiptar?
8. Si do të vijojë Reforma për likuidimin e krimit të organizuar në Shqipëri?
9. A ka shpresë se do të vendoset drejtësia në Shqipëri?
l.
Sa e ka rrezikuar çështjen kombëtare dhe sa e ka dëmtuar zhvillimin kombëtar korrupsioni shqiptar?
Korrupsioni shqiptar nuk duhet menduar se ka qenë një tendencë spontane e individëve që kanë ardhur e kanë ikur nga pushteti në Shqipëri. Prandaj ky fenomen ka dëmtuar edhe çështjen kombëtare shqiptare në Ballkanin Perëndimor, por edhe zhvillimin kombëtar në funksion të dijes, mirëqenies dhe patriotizmit.
Duhet të jemi të qartë për një gjë: përderisa po flasim për çështjen kombëtare shqiptare, duhet të jemi të saktë me historinë dhe të theksojmë me prova, të cilat tani i kemi, që: në historinë tonë kombëtare, antishqiptarët më të mëdhenj kanë qenë të korruptuarit që kanë drejtuar Shqipërinë që nga viti 1925 e deri më sot.
Historia e Shqipërisë është një tragjedi e dhimbshme, por duhet të jemi të qartë se këtë dhimbje tragjike shqiptarëve ua kanë sjellë në rradhë të parë vet shqiptarët.
Të gjithë këta liderë të korruptuar, që kanë kaluar në Shqipëri, kanë shitur interesin kombëtar dhe pastaj kanë marrë mbrojtjen e “blerësve” që kanë dërmuar Shqipërinë.
Kjo ka qenë një lojë e madhe dhe e shëmtuar, e cila, nuk ka filluar pas vitit 1912, por që në fillim të Shekullit të Nëntëmbëdhjetë. Sepse, si akt historik, gjithçka ka qenë e lidhur me pushtimet që fqinjët i kanë bërë Arbërisë.
Individë injorantë, të ardhur në pushtet me dhunë apo me demagogji, sipas rastit, kanë bllokuar zhvillimin shqiptar, dhe kanë grabitur Shqipërinë për të mos e lënë patriotizmin shqiptar që të krijonte idenë e bashkimit kombëtar.
Dëmi më i madh kombëtar i të gjithë kësaj kohe ka qenë korrupsioni i njëzet-tridhjetë vjetëve të fundit. Kjo kohë vërtetohet se ka qenë me pushtetarë injorantë e me frymë antiintelektualiste, të drejtuar nga kryeministra të korruptuar që kanë urryer shqiptarët, pikërisht pse i kanë grabitur ata. E tillë ka qenë kjo kohë.
Por dëmi që kanë sjellë në këta 30 vjet ka qenë shumë i madh, sepse në fillim ka nisur si shkatërrim i vlerës ekonomike, dhe ka hyrë më pas në korrupsion e në krim të organizuar: u shkatërruan dhe u mbyllën të gjithë institutet shkencorë; kanë degraduar arsimin; kanë sjellë injorancën në administrimin e shtetit; kanë shkatërruar 20 mijë ha vreshta; kanë nxjerrë jashtë përdorimit fabrika e kombinate dhe i kanë shitur për skrap; shkatërruan 90 përqind të pemtarisë së atëhershme; dhe nuk kanë lënë asnjë lloj zhvillimi në prodhimin e mallrave.
Po, ku e kanë gjetur mbrojtjen kur kanë bërë gjithë këtë vandalizëm? Mbrojtjen e kanë gjetur te mbështetja financiare e fqinjëve pushtues dhe te loja e ulët që kanë bërë dy partitë mëdha me ndërrimin e pushtetit dhe me shkatërrimin e drejtësisë shqiptare, të emëruar dhe të drejtuar prej tyre.
Pikërisht këtu duhet të kujtohemi e të pyesim për një gjë: pse rrëmbyen vaporë në Portin e Durrësit dhe ikën si të lebetitur mbi 60 mijë shqiptarë në vitin 1991? Dhe përgjigjia është vetëm një: sepse i kishte dërmuar me uri, me vuajtje fizike dhe me frikë terrori shtetëror antishqiptar Hoxha-Alia.
Po, pikërisht mbi këtë përgjigje, duhet pyetur: pse vijuan shqiptarët të largohen edhe pas rënies së komunizmit? Sepse nuk patën besim të liderët që erdhën pas rrëzimit të komunizmit se gjëndja do të përmirësohej në Shqipëri.
Besimi i një shoqërie të trembur e të vuajtur, tek ata që kanë ardhur për t’i drejtuar rishtas, lëkundet sapo që shihet se njerëz të varfër njëlloj si ata, ndryshojnë menjëherë mënyrën e jetesës drejt pasurimit dhe luksit, tregohen arrogantë me njerëzit që kërkojnë ndihmën e shtetit, dhe janë të papërgjegjshëm.
Kjo ka ndodhur në Shqipërinë e 20 viteve të fundit, dhe shqiptarët prandaj e kanë kuptuar se asnjë shpresë për zhvillim nuk mund të kishte më në Shqipëri. Gjithçka vishet me korrupsion dhe me krim, kudo dominon fryma e krimit, pa pushtet gjyqësor dhe vijim i pandërprerë i një jete të paorganizuar shtetërisht. E gjithë kjo e ka kthyer tregun në një mekanizëm që ka bllokuar zhvillimin ekonomik, sepse korrupsioni i lartë shtetëror, duke punuar hapur me klientelën e tij në treg, ka ndaluar konkurencën dhe vetë zhvillimin industrial për prodhimin vendas.
ll.
A ka pasur mbështetje ndërkombëtare kjo gjendje shkatërrimi dhe ky korrupsion kaq enorm?
Problemi ndërkombëtar në këta 30 vjet pas rrëzimit të komunizmit, në lidhje me Shqipërinë, ka qenë një fenomen shumë i mbyllur në skema, por shumë refraktar dhe izolues nga korrupsioni i lartë shtetëror në Shqipëri.
Ka pasur një interes konstant amerikan për Shqipërinë, por është frenuar nga kryeministrat shqiptarë. Fillimisht nga Berisha në vitet 1992-1996, lojë kjo që dihet se, me politikën Klinton, Berisha u rrëzua në menyrë drastike në vitin 1997. Dhe në fuqi erdhën socialistët.
Amerikanët në vitin 1997 nuk patën besim të socialistët, dhe shpejt e konstatuan që kryeministri Fatos Nano influencohej nga politika e Athinës, kurse politika amerikane do të hapte çështjen e Kosovës, në një kohë që e dinte se Athina nuk e pranonte çështjen e Kosovës, ashtu sikundër dhe sot nuk e pranon pavarësinë e saj.
Nano u rrëzua si kryeministër në vitin 1998, sepse politika amerikane nuk mund të bashkëpunonte me të për bombardimin e Serbisë.
Por, në këtë periudhë të pasbombardimeve të Sërbisë e deri më sot, beteja amerikane për të futur Shqipërinë në rrjedhën e politikës amerikanë ka qenë shumë e ashper. Duhet theksuar se, interesi amerikan për Shqipërinë dhe për botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor ka qenë dhe mbetet shumë i madh, ndërsa lidërshipët shqiptarë ishin tërësisht të korruptuar dhe antiperëndimorë. Me këta nuk mund të bëhej politikë, sepse u kuptua se kanë qenë të paguar kundër interesit kombëtar. Këta ishin kryeministra, ministra, dhe pjesa dërmuese e shtypit dhe e medias elektronike.
Kjo gjendje duhej të ndryshonte me forcën e një skemë. Dhe skema u gjet.
Shpejt, ekspertiza amerikane arriti në konkluzionin se interesi shqiptar si bashkim kombëtar dhe interesi amerikan për të gjithë botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor, ishin në konvergim. Por këto interesa shqiptaro-amerikane, të bashkuar në Shqipëri, do të fitonin vetëm nëse politika amerikane do të arrinte të likuidonte klasën e korruptuar të Shqipërisë.
Po, si do të mund të likuidohej kjo klasë? Me ushtri, ishte pamundësi absolute. Me politikë të interesit kombëtar të lidhur me interesin amerikan, ishte e provuar se qe gjithashtu e pamundur. Çdo metodë politike ishte krejt e paforcë, për vetë faktin që klasa politike shqiptare ishte e korruptuar dhe në aleancë me antiamerikanizmin e fshehur politik në zonë, prandaj mbetej vetëm një mundësi: Reforma në Drejtësi.
Kryeministrat e korruptuar në Shqipëri kanë qenë të drejtuar sipas rastit, ose nga Beogradi ose nga Athina, dhe kjo tani është e provuar nga politika amerikane. Por pikërisht këtu dilte në pah edhe politika ruse. Madje ajo erdhi e u bë shumë agresive, derisa sot spikat si një luftë interesi Amerikë-Rusi në Ballkanin Perëndimor.
E gjithë politika e lidërshipëve shqiptarë në këta 30 vjet është luajtur kundër interesit kombëtar shqiptar, dhe sidomos kundër integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Moskës, Beogradit dhe Athinës nuk i interesonte assesi që Shqipëria të hynte dhe të hyjë në Bashkimin Europian.
Arsyet dihen, sepse është një varg shtetesh ballkanikë që jetojnë me pushtimin e territoreve dhe të popullsisë shqiptare në Greqi, Serbi, në Mal të Zi, dhe në Maqedoni. Të gjithë këta shtete, nëse do të fitonte e drejta historike shqiptare, nuk do të ekzistonin dot mëvetësisht si shtete, se janë të ngritur mbi territore shqiptare, dhe popullsi shqiptare të pushtuara dhe të dhunuara me forcë ekstreme për të mos lënë kurrë që shqiptarët të deklarojnë kombësinë e tyre shqiptare.
Pikërisht këtu, të kjo arsye, ka konsistuar lidhja e korrupsionit shqiptar me Beogradin, Athinën dhe më Moskën.
Por, a mund të jemi pak më të qartë në këtë çështje? Sigurisht që mund të jemi.
Duhet ta kemi të qartë se të shiturit për interes pushteti apo interes paraje, jo vetëm në Shqipëri, por kudo ku shfaqet ky fenomen, pasi marrin përfitimin politik nga ata që i kanë paguar, e lëshojnë interesin kombëtar si dhuratëte te blerësi.
Është pikërisht kjo arsyeja që, kur filloi Reforma në Drejtësi, politikat kundërshtare të Shqipërisë, sidomos në Beograd dhe në Moskë, menjëherë u hodhën në mbështetje të korrupsionit të lartë shqiptar. Moska nisi pagesat për lobimet në Uashington që të ndihmonte Bashën dhe taborrin Berisha në lidhje me ndryshimin e politikës amerikane kundrejt opozitës shqiptare. Meta madje, mori rrugën për në Moskë si president, kurse Beogradi mendoi të punonte politikisht me Thaçin në Prishtinë dhe me Ramën në Tiranë.
Politika amerikanë i survejoi me kujdes dhe i shkatërroi të dy grupet shqiptarë duke ekspozuar dokumente të implikimit të Bashës me politikën ruse dhe të Ramës në lidhje me korrupsionin në Shqipëri, për bashkëpunëtorët e tij.
Si pasojë, të dy këta u neutralizuan. Basha u tërhoq me turp nga skema e tij destabilizuese për Shqipërinë, e gatuar në kuzhinën Berisha, dhe mbeti edhe jashtë Parlamentit por edhe jashtë pushtetit vendor; kurse Partinë Demokratike e ka tani drejt falimentit.
Edhe Rama u tërhoq nga skema e ndërrimit të territoreve, por, për faktin që politika amerikane po vijon t’ia gidasë me fakte bashkëpunëtorët e afërt, kuptohet se ky ende nuk është në linjën e duhur.
Në këto momente politika Moskë-Beograd po vijon njëlloj, por tani korrupsioni i lartë shtetëror në Tiranë është i trembur, dhe po pritet procesi i lartë gjyqësor kundër presidentit Meta.