Editorial - Opinione

Ç’është gjithë ky tallazim i pabesueshëm gazi helmues?!

               Publikuar në : 17:19 - 15/04/19 marsela

Nga: Ndriçim Kulla

Protesta janë bërë e do të bëhen gjithmonë, por është shumë i rëndësishëm në cilësimin e tyre, përdorimi i termave të duhur në përshkrimin e sjelljeve të turmës, i atyre termave të saktë që tregojnë përpikmërisht se çfarë ka ndodhur gjatë zhvillimit të saj. Edhe protesta e 13 Prillit, duke dashur t’a përfshijmë në këtë kategorizim, ishte thjesht dhe vetëm, një protestë herë-herë krejtësisht e paqtë, dhe në disa raste me më shumë intensitet, por absolutisht e pamundur për t’u ngjitur deri në nivelin e termave të forcës si dhunë, barbari, kafshëri etj.

Protesta është tharmi i demokracisë, kështu që edhe ndonjë thirrje jashtë kontekstit nuk mund të analizohet aspak deri në etiketimin antikushtetues, ashtu si dhe gjestet simbolikë, edhe pse për t’u dënuar (si “urinimi i Kryeministrisë”), nuk mund të shërbejnë asnjëherë si motiv për të arritur deri në atë shkallë të paprecedentë përpjestueshmërie, midis sjelljes së demonstruesve dhe sjelljes së policisë. Ku shkoi “fuqia e butë” e mazhorancës, që është e sigurt në udhën e vet të re demokratike pa opozitën dhe ndihet aq e fortë në premtimin që po i jep popullit nëpër mitingje, se ne do të drejtojmë dhe qeverisim edhe për demokratët? Apo papritur, të gjendur për të disatën herë përballë një proteste gjithnjë e më masive e humbi udhën, njësoj si toruan, duke u theqafur në valët e gazit lotsjellës që derdhi pa kokë e pa qëllim mbi njerëzit e saj?

Tullumbacet e mëdha të qetësisë dhe sigurisë së qeverisjes, që qenë dërguar gjithë këto muaj, në qiellin e mini-takimeve “për bashkinë që duam” u shpuan dhe buçitën aq fort mbrëmjen e së shtunës, duke lënë pas mjaft pikëpyetje. Kur interesi dhe dobia e Shqipërisë është të ruajë imazhin e një shteti larg problematikave, sepse veç një grusht politikanësh të rrezuar nga pushteti po përpiqen të ngjallin rrëmujë,  për të shkatërruar turizmin dhe ekonominë, tashmë kur ajo është në ngjitje, përse vallë nuk duroi derisa të mundej ministri i Brendshëm, për të përdorur si pa të keq gazin e vet aq dobiprurës?

Mos vallë turmat po mësynin dhunshëm dhe egërsisht ndonjë institucion? Përkundrazi, në momentin më zëpakë të thirrjeve opozitare, atëherë kur lideri i saj po intervistohej dhe njerëzit qenë shumë larg perimetrit të sigurisë, nisin të shpërthejnë goditjen e parë me gaz. E për një çast, tullumbacet e mosdëmtimit të imazhit dhe ekonomisë, në mënyrë paradoksale nuk u çanë nga protestuesit, por nga vetë qeveria. Loja me termat e dhunës, anti-ligjit, anti-kushtetutës nuk mban dot më, duke parë të helmohen pa shkak e në mënyrë gati shtazarake njerëz të varfër, të thjeshtë, të pambrojtur që kanë dalë aty pë bukën e gojës,e mbi të gjitha aspak të dhunshëm, aspak mësyes. Të gjithë gjestet e tyre me tym e flakë ishin simbolikë, jo mësymës, dhe nuk meritonin të vjella, dhimbje sysh, fyti, zalisje e kushedi vallë ç’mund t’u ketë bërë ai helm shëndetit të tyre.

Dikur, kemi parë edhe protestues te rrahur e te gjakosur, pikërisht nga radhët e mazhorancës që është sot në pushtet. E ashtu siç i dënuam ato akte atëherë, po njëlloj duhet t’i dënojmë edhe sot, pasi mund të duken më të lehtë, por përkundrazi janë më ç’njerëzorë në sofistikimin e vet. Si është e mundur që ka kaq pak rëndësi jeta e njerëzve, shëndeti i tyre, për t’u dëmtuar kaq lehtësisht dhe papërgjegjshmërisht? Nëse në demonstratat e tjera, ndoshta edhe mund të përligjej, se intensiteti i tyre të shtunën kjo sjellje s’ka as edhe një justifikim logjik. Ajo është vula e “vijës së kuqe të kaluar” nga ana e qeverisë, e cila si detyrë parësore ka të mos dëmtojë mbarëvajtjen e shtetit, duke shuar dhe jo nxitur dhe simuluar skenarë me djegie makinash, duke anshkakluar dhe jo duke zmadhuar dhe ekzagjeruar akte edhe atje ku s’janë. E kjo, jo për të mbrojtur opozitën, por të gjithë qytetarët e Shqipërisë, për të treguar që ata vërtet dinë të protestojnë.

Mirëpo, pikërisht, një popull i tërë opozitar që denjësisht, qetësisht, di të sillet jo i dhunshëm në protestë, është frika dhe fobia më e madhe që mund të ketë sot qëndrimi qeveritar. Qëndresa dhe rezistenca i ka tërbuar, ndaj i bien daulleve të prishjes së rendit dhe qetësisë për qytetarët e tjerë që nuk duan rrëmujë. Kjo është sa qesharake aq edhe absurde, pasi ky është rregulli i demokracisë. Një shtet i denjë, një qeveri e përgjegjshme, e fortë dhe e sigurt shfaqet pikërisht atëherë kur ka përballë njerëz të revoltuar ndaj saj, jo në mitingjet e përkrahësve të vet. Nëse e ka vërtet për zemër ecjen përpara të Shqipërisë, në momentet kyçe të integrimit, nëse i beson vërtet mrekullitë që turizmi apo investimet mund t’i sjellin ekonomisë shqiptare, duhej të ishte menduar dy herë përpara se t’i mbushte me gaz gjithë rrugët e Tiranës, jo të tregohej e paduruar në hedhjen e tij në incidentin më të parë.

Ky padurim, është shënja më e mirë që qeveria s’ka asgjë nga ato që përmendim si qëllim e prioritet, por “dashuron” me aq pasion e egërsi të denigrojë opozitën, të djegë në zjarrin e mandateve dhe gazit çdo lëvizje të saj, paçka se kështu vritet edhe imazhi ynë si shtet. Nuk ekziston asnjë strategji me interes pubik apo shtetëror që simulon vrasjen e imazhit të Shqipërisë, kur një gjë e tillë as nuk u orvat e as nuk u realizua, madje as edhe pati ndonjë skenar për një gjë të tillë. 13 Prilli shënoi “vetëvrasjen” e fabulës qeveritare se ajo do të vazhdojë të qeverisë e qetë. Përkundrazi, ajo është nervoze, e ethshme, e paduruar, pa shkak, pa arsye, nëse besohet në propagandën se e gjitha kjo nuk është revoltë popullore.

Po dyndja e njerëzve nëpër sheshe, po sondazhet e besuar çfarë thonë? Krejtësisht një realitet tjetër. Atëherë, ç’është gjithë ky tallazim i pabesueshëm gazi helmues në sy të të pafajshmëve? Kur e gjitha kjo udhëhiqet nga një grusht i politikës së vjetër, pse nguten, pse nuk e lënë popullin t’i shohë më sytë e vet veprimet e shkatërrimtarëve.

Mirëpo, asgjë nga këto s’ekziston, përveç përpjekjes me simulime, skenarë dhe me gaz për të mbajtur me çdo kusht pushtetin, duke propoganduar protestat e dhunshme të opozitës. Nuk mund të durojë më njeriu shqiptar helmin, atëherë kur s’i takon, mjaft e ka helmuar politika, varfëria dhe korrupsioni. Tanimë ky helm i futur në gjak, që të mos ngurtësohet e t’i bëhet komb, duhet të pastrohet nga ligji, morali dhe kujtesa popullore, për këdo që e ka hedhur padrejtësisht. Përndryshe, ai do të bëhet gangrena e qeverisë në të gjitha protestat që do të vijnë, dhe vrasja e imazhit tonë si shtet, tanimë në dorë të saj dhe të gazit.

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT