Ceremonia për 30-vjetorin e eksodit, Rama merr çmimin e veçantë në Puglia

Kryeministri Edi Rama është vlerësuar me një çmim të veçantë në Puglia, gjatë ceremonisë së përkujtimit të 30-vjetorit të fillimit të emigracionit shqiptar drejt Italisë.

Kryetari i Këshillit Rajonal të Puglias, Michele Emiliano  i ka dhënë kryeministrit Rama çmimin “Rrënja e Puglias”.

“Është një surprizë e vogël kjo, jo dhe aq e vogël sepse ky është një çmim që iu jepet vetëm puljezëve. Po bëjmë një përjashtim, do ia japim një puljezi me shtetësi shqiptare. Çmimi ‘Rrënja e Puljas’, do marrësh përsipër nëse do ta pranosh të mbrosh dhe tokën time jo vetëm tënde”, tha Emiliano.

Nga ana tjetër, Rama vlerësoi pritjen befasuese dhe vlerësimin ndaj tij, teksa theksoi se Italia ka qenë gjithmonë engjëlli mbrojtës i Shqipërisë.

“Nuk e di nëse unë me të vërtetë e meritoj të gjithë këtë. Jam me të vërtetë i surprizuar. Është një mikpritje befasuese, e dëshmon dhe mungesa e kravatës sime. Faleminderit nga zemra për të gjithë këtë. Italia ka qenë engjëlli mbrojtës i Shqipërisë, qoftë atëherë kur bëhet fjalë për të folur për Shqipërinë në selitë në Bruksel, qoftë kur bëhej fjalë për të ndihmuar Shqipërinë”, tha Rama.