Nga Mara Magistroni “Galileonet.it”
Skenarët që përshkruhen më poshtë, janë bazuar mbi njohuritë aktuale epidemiologjike, tek pikat e forta dhe të dobëta të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, dhe mbi problemet kryesore kritike që mund të lindin rrugës. Kështu, ekspertët e Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e sëmundjeve (ECDC), e kanë karakterizuar evolucionin e mundshëm të epidemisë së Covid-19, duke identifikuar 4 skenarë kryesorë në lidhje me përhapjen e koronavirusit të ri, pa lënë mënjanë sugjerimet operacionale dhe ato në fushën e komunikimit. Sepse në kushtet e pasigurisë, bashkëpunimi dhe transparenca janë aleatët tanë kryesorë.
Skenari nr.1: Zinxhirë transmetues të shkurtër dhe sporadikë
Kjo është ajo çfarë ndodhi në Francë dhe Gjermani, me rastet e para të njerëzve që rezultuan pozitive me koronavirusin në Evropë. Përhapja e epidemisë, vihet nën kontroll. Nuk janë të pakta rastet, kur është e mundur të rikonstruktohet anamneza dhe të gjurmohen kontaktet e të prekurve, të cilët duhet të vendosen nën karantinë.
Në këtë fazë, duhet të merret parasysh mundësia e trajtimit të kujdesshëm të individëve asimptomatikë, dhe përshtatja e sistemeve të mbikëqyrjes të parashikuara për gripin sezonal. Vendet duhet që të rishikojnë planet e tyre të gatishmërisë pandemike, duke analizuar me kujdes kapacitetin e sistemit të tyre të kujdesit shëndetësor, për të përgatitur aksione përforcuese, në rast se është e nevojshme.
Është mirë që të identifikohen “zinxhirët” alternative të furnizimit, me synim pasjen e sasive të mjaftueshme mbrojtëse personale, dhe furnizimeve të tjera mjekësore. Në aspektin e komunikimit me qytetarët, fjalët kyçe janë transparenca dhe koherenca me evoluimin e situatës: është e nevojshme që të komunikohen masat e marra, dhe të pranohet pasiguria e momentit.
Skenari nr.2: Transmetim i kufizuar por i qëndrueshëm i koronavirusit
Në këtë fazë, virusi përhapet me shpejtësi:numri i rasteve të reja rritet, por është ende e mundur të kryhet një anamnezë, të rikuperohet lista e kontakteve, si dhe të kryhen teste diagnostikuese. Të gjitha informacionet e marra, do të përdoren për të vlerësuar situatën, dhe për të parashikuar evolucionin e sëmundjes.
Meqë infektimet janë ende të kufizuara tek grupime njerëzish në zona të veçanta gjeografike, transferimi i burimeve dhe personelit shëndetësor nga vendet e tjera, duhet që të jetë i organizuar. Duhet të rishikohen dhe përditësohen planet e emergjencës, ndërsa duhet të ndërmerren masa parandaluese bazuar në vlerësimin e rrezikut koherent, për të shmangur amplifikimin e përhapjes së virusit.
Në aspektin e komunikimit të rrezikut, ekspertët theksojnë sërish rëndësinë e qartësisë dhe transparencës së mesazheve që i jepen publikut, për të zbutur shqetësimin dhe ankthin e popullatës. Në rast se bëhen ndryshime tek dispozitat e mëhershme, ato do të duhet të justifikohen, dhe në të njëjtën kohë të specifikohet rëndësia e respektimit të dispozitave.
Kjo ka veçanërisht rëndësi, nëse masat e reja parashikojnë kufizimin e lirisë personale (karantinë, izolim). Perceptimi i rrezikut tek qytetarët duhet të monitorohet vazhdimisht, në mënyrë që t’i përgjigjet nevojave për informacion.
Skenari nr.3: Transmetim i qëndrueshëm dhe i përhapur i koronavirusit, me një presion në rritje mbi sistemin shëndetësor
Më rritjen e rasteve me çështjet Covid-19, në një moment nuk do të jetë më e mundur apo efektiv gjurmimi i të gjitha kontakteve të personit të prekur. Prandaj kërkimi për njerëz e rinj pozitivë me këtë sëmundje ndërpritet. Dhe qëllimi kalon nga kontrolli në “zbutjen” e epidemisë.
Një hap i tillë, duhet t’i komunikohet popullatës, e cila duhet të informohet në mënyrën më korrekte të mundshme, sesi duhet të veprojë në rastin e një infektimi të dyshuar. Në këtë fazë, merren dhe masat e izolimit social (anulim i panaireve, takimeve, aktiviteteve sportive dhe kulturore që përfshijnë një numër të madh njerëzish, mbyllja e shkollave etj), në mënyrë që të vonohet dhe zvogëlohet kulmi i epidemisë.
Shndërrimi i sistemeve të mbikëqyrjes së gripit sezonal, dhe përdorimi i tyre për të raportuar rastet e dyshuara simptomatike, do të ndihmonte në përshkrimin e mënyrës së përhapjes, intensitetit dhe nivelit të sjelljes agresive të virusit. Qytetarët duhet të informohen mbi atë që mund të bëjnë, që të reduktojnë presionin mbi sistemin shëndetësor.
Skenari nr.4: Transmetim i përhapur, me një mbingarkesë të madhe të sistemit shëndetësor të një vendi
Të dhënat e vdekshmërisë së Covid-19, janë paraprake. Ndonëse për momentin, duket se të moshuarit dhe njerëzit me sëmundje të tjera kronike janë më të rrezikuarit. Gjithsesi, është ende e mundur të thuhet që nëse Sars-Cov-2 përhapet shpejt, duke prekur një pjesë të madhe të popullatës, edhe përqindja më e vogël e rasteve serioze, do të ishte e mjaftueshme për të vënë shumë nën presion shërbimin spitalor të një vendi.
Kjo gjë do të çonte në një skenar të ri, që mund të përkeqësohej më tej nga prania e gripit sezonal. Në rast se spitalet, pavionet e urgjencës dhe njësitë e kujdesit intensive, nuk janë më në gjendje të kurojnë pacientët, për shkak të një numri të pamjaftueshëm të shtretërve ose stafit mjekësor, atëherë vendet e prekura duhet të jenë gati të zbatojnë planet e urgjencës (për shembull duke përshtatur shtretërit spitalorë standardë për trajtimin e rasteve të rënda).
Mund të jetë e nevojshme të shtyhen operacionet kirurgjikale jo urgjente, dhe të vlerësohet nëse mund të përdoren vende alternative për të siguruar kujdes shëndetësor. Në këtë skenar, mund të merret në konsideratë një rishpërndarje e burimeve në të gjithë Bashkimin Evropian.
Autorët e studimit, nënvizojnë se këto skenarë, mund të kenë ndodhur tashmë në vendet anëtare, ose të ndodhin në çdo kohë. Evolucioni i epidemisë së koronavirusit, mund të mos jetë i njëtrajtshëm, dhe ndonjë nga skenarët mund të mos ndodhë.
Duke pasur parasysh pasigurinë e madhe, ECDC sugjeron që institucionet shëndetësore publike dhe institutet kërkimore, të vazhdojnë bashkëpunojnë për të grumbulluar informacione mbi koronavirusin e ri, por edhe mbi efektivitetin e masave të marra për kontrollin dhe zbutjen e epidemisë, si dhe për të shkëmbyer informacion mbi rezultatet e terapive eksperimentale./TIRANA TODAY