Britania e Madhe është bërë vendi i parë në botë që ka miratuar vaksinën për Covid-19, të përgatitur nga Pfizer/BioNTech, për përdorim të gjerë. Lajmin e kanë përcjellë mediat e huaja, të cilat thonë se Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore(MHRA), ka aprovuar vaksinën për përdorim masiv.
Autoritetet në Britaninë e Madhe kanë dhënë lajmin e madh, se vaksinimi masiv i popullsisë do të fillojë javën e ardhshme. Në lidhje me aprovimin e MHRA-së ka folur edhe një zëdhënës i Departamentit të Shëndetësisë. Sipas tij, Komiteti i Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin (JCVI), së shpejti do të publikojë këshillat e tij të fundit për grupet prioritare për të marrë vaksinën.
“Qeveria ka pranuar sot rekomandimin nga Agjencia e Rregullatorit të Pavarur të Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (MHRA), për të aprovuar vaksinën Pfizer/BioNTech Covid-19 për përdorim.
Komiteti i Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin (JCVI), së shpejti do të publikojë këshillat e tij të fundit për grupet prioritare për të marrë vaksinën, duke përfshirë banorët e shtëpive të kujdesit, personelin shëndetësor dhe të kujdesit, të moshuarit dhe klinikisht jashtëzakonisht të prekshëm. Vaksina do të vihet në dispozicion në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar nga java e ardhshme”, është shprehur ai.
Britania e Madhe ka blerë 40 milion doza të vaksinës, e cila është provuar të ketë efikasitet 95% në provat e saj përfundimtare.