Të dhëna të reja kanë dalë në dritë lidhur me shpërthimin që ndodhi në Gjirokastër, ku një 27-vjeçar pësoi dëmtime të rënda. Burimet bëjnë me dije se shpërthimi ka qenë me telekomandë, nga një distancë e konsiderueshme, e ndërsa tritoli i ka shpërthyer në duar 27-vjeçarit Vitjon Lluka, në fshatin Shtëpëz të Gjirokastrës.
I riu është dëmtuar në anën e majtë të fytyrës, e fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, në spitalin e Traumës në kryeqytet. Mësohet se bomba ka qenë artizanale, ku në përbërje të saj ka pasur gozhdë, bullona, xhama nitrati, si dhe një substancë tjetër kimike që ka krijuar shpërthimin.
Shpërthimi me telekomandë, shenjë hakmarrje
Mendohet se kjo ngjarje vjen si hakmarrje e një vrasje që ka ndodhur më 23 mars të 2016, në Kthesën e fshatit “Andon Poci”, ku autor ka qenë Enrik Lluka, vëllai i Vitjon Llukës, të plagosur rëndë. Enrik Lluka, në 23 mars 2016, ka qëlluar me armë zjarri ndaj kushëririt të dytë, Dorian Llukës, i cili ngeli i pajetë dhe Birbil Llukës që ngeli i lënduar si pasojë e dy plumbave. Enrik Lluka nuk është arrestuar ende nga policia.