Pas disa muajsh hetimesh intensive, SPAK urdhëroi arrestimin e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Alqi Bllako. Ky i fundit sapo u njoh me këtë vendim, hoqi dorë nga mandati i deputetit dhe u vu në dispozicion të drejtësisë. Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari është shprehur dje për “Kontrast” në Report TV se organi i akuzës duhet të jetë shumë i kujdesshëm kur kërkon në Gjykatë urdhër-arreste për një qytetar. Z., Hajdari theksoi se kërkesa duhet të shoqërohet me prova të forta, por edhe me verifikim mbi pasuritë dhe paratë e personit që kërkon të vihet në pranga. Madje ai shtoi se një kategori njerëzish duhet të përjashtohen nga arrestimi, pasi kjo masë sigurimi edhe për vepra të lehta tregon një mentalitet lindor të drejtësisë mbi shoqërinë.
“Është metodë lindore ajo që barazon arrestimin me fajësimin e personit. Ndërkohë që nga viti në vit janë bërë përmirësime në sistemin e drejtësisë, kryesisht në Gjykata. Për vepra të lehta nuk ka arsye të jepet “arrest me burg”, sepse duhen prova të forta. Ndërsa për krime të rënda ku hyn edhe korrupsioni, është pak e diskutueshme. Ka kushte dhe kritere për vendosjen e një mase sigurie siç është ndikimi apo shantazhi te dëshmitarët, mundësia për t’u larguar, mundësia për të prishur provat e të tjera. Por Prokuroritë duhet ta kenë të provuar kur kërkojnë masën me arrest në Gjykatë. Të mos nxitohen dhe të kenë kujdes të madh, të kenë verifikuar pronat dhe paratë. Ne duhet t’i ikim metodës lindore sepse masa e sigurimit nuk është fajësim”, deklaroi Shkëlqim Hajdari, referuar rastit të Bllakos.
SPAK lëshoi 13 urdhër-arreste lidhur me aferën e inceneratorëve, ku mes emrave rezultoi dhe ai i ish-deputetit socialist të Tiranës. Sipas dosjes hetimore të SPAK, Bllako akuzohet se i ka shkaktuar dëm shtetit shqiptar me vlerë rreth 16 milionë lekë nëpërmjet mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve për shpronësimin e një “toke trualli”, e cila rezultoi se ishte “tokë arë” në mënyrë që të sigurohej terreni për ndërtimin e inceneratorit të Fierit. Dëmi është shtuar nga kryerja e pagesave për punimet e planifikuara mes kompanisë fituese të koncesionit të djegies së mbetjeve dhe kompanisë që mori përsipër ndërtimin e inceneratorit. Këto para kanë shkuar në kompani të tjera, ndërsa punimet nuk u realizuan. Në burg për aferën e inceneratorëve është dhe ish-Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i cili ka patur vartës të tij Bllakon në këtë institucion.
Më tej ish-prokurori Shkëlqim Hajdari tha se pasuesi i Metës në Presidencë duhet të jetë një figurë konsensuale. Hajdari u shpreh se një kandidaturë e ardhur nga grupi parlamentar i PD-së dhe i mbështetur nga Edi Rama, është e mundur të realizohet.
Sipas tij, palët duhet të dialogojnë hapur mbi këtë çështje, dhe jo të bëjnë pazare. Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari si shembull solli rastin e zgjedhjes së presidentit Alfred Moisiu. Ai tha se kjo do të shërbente për të përmirësuar klimën politike.
“Nesër futemi në muajin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Për fatin e keq të shqiptarëve, ne po shkojmë sërish në zgjedhjen e një presidenti jo nga populli. Vitet e fundit të gjithë kemi rënë dakord që zgjedhja e kreut të shtetit nga populli, do të siguronte një institucion më të fortë dhe mbi palët. Mundet që z. Rama pavarësisht problemeve që ka opozita, të ndërtojë një proces që të zgjidhet një president me shumicë votash. Rama duhet ta ndërtojë këtë dialog me deputetët e opozitës si Grup Parlamentar dhe atyre t’u kërkojë kandidaturën. Në këtë moment duhet të shkojnë me një kandidaturë të përbashkët, siç ndodhi me rastin e z. Moisiu. Kjo do të shërbente për të përmirësuar klimën politike. Unë jam për dialog mbi tavolinë, sepse këtu tek ne për fatin e keq këtu tek ne dialogu është bërë nëpër ferra, me ndërmjetës jo politikë”, tha Hajdari për “Kontrast” në Report TV.