Ndonëse numri i të shtruarve në spital me COVID-19 ka kaluar shifrën e 80 personave, Ministria ka vendosur që të mos rikthejë izolimin. Kujtojmë këtu faktin se 23 qershori ishte dita e fundit e gjendjes së jashtëzakonshme, por Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur të mos e zgjasë atë. Ministrja Manastirliu ka hedhur kështu poshtë zërat që flisnin për një rikthim drejt izolimit, pas shtimit të rasteve masive me koronavirus. Qeveria ka marrë vendimin final që të mos shtyjë afatin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar prej pandemisë.
Komiteti i Ekspertëve ka hartuar disa skenarë për të aplikuar, e kjo sipas situatës që do të krijohet nga numri i të të infektuarve.
“Përfundimi i gjendjes së fatkeqësisë natyrore nuk e ul gatishmërinë tonë në përballje me këtë virus të rrezikshëm, pasi vendi vijon të jetë në gjendje epidemie si pasojë e situatës së shkaktuar nga SARS-COV2. Që do të thotë që do të vijojnë të mbeten në fuqi të gjitha masat e marra në kuadër të gjendjes se epidemisë”, deklaroi Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë ka lajmëruar hapjen e spitalit të dytë COVID, të ish-kirurgjisë, një strukturë mbështetëse brenda QSUT për të përballuar fluksin në rritje të të prekurve me COVID-19, që kanë nevojë për trajtim spitalor. “Me plotësimin e kapaciteteve të spitalit Infektiv, po përgatitemi për hapjen e ish-Kirurgjive në QSUT, për të përballuar fluksin aktual dhe po përfundojmë rekrutimin e stafit mjekësor dhe infermierë që do të shërbejë në këtë spital”, tha Manastirliu.