Shefi i qeverisë ka zhvilluar një mbledhje online me krerët e komuniteteve fetare, për të biseduar për situatën e re të krijuar nga pandemia e Covid-19. Ai ka njoftuar të gjithë komunitetin e besimtarëve në Shqipëri, se pas 18 majit do të nisin masat lehtësuese. Kryeministri nga ana e tij u shpreh se brenda disa ditëve, mund të krijohet një ide se si mund të lejohet hapja graduale që besimtarët të ushtrojnë praktikat e tyre fetare, duke u ulur brenda objekteve të kultit.
Rama kërkoi që t’i paraqesin ekspertëve të ministrisë edhe praktikat e vendeve të tjera, për mënyrën si parashikohet ushtrimi i faljeve apo i lutjeve. Përfaqësuesit e klerit kanë ngritur gjithashtu edhe shqetësimin në lidhje me hapjen e shkollave që i kanë nën administrim.
Bashkëbisedimi:
Edi Rama: Uroj të jeni mirë. Do të shohim për një hapje. Muaji i Madhërishëm i Ramazanit i ka gjetur besimtarët myslimanë në shtëpi. Ju faleminderit për këtë. Kam marrë një letër nga ju, kështu që me shumë kënaqësi të dëgjoja opinionet tuaja dhe më pas të thoja edhe unë opinionin tim.
Kryepeshkopi Anastas Janullatos: Ju faleminderit, jemi bindur rregullave që nga momenti i parë. Kërkesa jonë më e madhe është të kemi një vend për lutje hapur. Sipas rregullave të vendosura nga qeveria. Të na jepni edhe ju drejtimin e masave, siç i keni dhënë. Distanca sociale siç është thënë, dhe shmangia e puthjeve dhe takimeve.
Bujar Spahiu, kryetari i KMSH: Kemi bashkëpunuar që nga fillimi. Lusim Zotin që kjo periudhë të kalojë sa më shpejt. Natyrisht, duam një hapje të vendeve të besimit. Të kemi një mundësi të kemi lutje në distancë në objektet tona të kultit.
Në kuadër të hapjes graduale që po merret në kushtet e pandemisë, kërkuam këtë takim për të diskutuar rreth hapjes graduale të objekteve të kulteve, duke respektuar rregullat e distancimit social. Pra, të na lejohet të kryejmë sadopak lutje dhe adhurim në objektet tona të kultit, u shpreh kreu i myslimanëve, Bujar Spahiu.
Izmot George Frendo, duke vlerësuar masat e marra nga ana e qeverisë, u shpreh se mund të ketë një hapje të objekteve të kultit, pasi kurbatura e lejon që të ketë një distancim fizik.
“Ju përgëzoj për masat në radhë të parë, pasi siç e keni thënë edhe ju vetë, do të kishim pasoja më të rënda, por unë bashkohem me çfarë u tha më parë se strukturat tona lejojnë respektimin e masave. Pra të mos japim dorën e të shmangim kontaktet fizike. Dëshirojmë të hapet më shumë, të kemi leje që të bëhen takime fetare si mesha apo kremtime, duke shmangur çdo rrezik”.
“I morëm masat ashtu siç keni udhëzuar ju, as Sulltan Novruzin nuk e festuam. I falenderoj vëllezërit e mi për këtë propozim dhe bashkohem me të”, u shpreh Baba Mondi.
Edi Rama: Rihapja e riteve duhet të jetë e kujdesshme dhe ta bëjmë këtë gjë në mënyrë graduale. Kjo kërkon konsultim me ju, pasi praktikat tuaja janë të ndryshme jo vetëm nga komuniteti në komunitet, por edhe brenda vetë një kalendari të caktuar mujor apo javor ju keni praktika që nuk janë njësoj.
Kam kërkuar që grupi i punës, që është i përbërë nga ekspertë të fushës dhe pastaj edhe Komiteti ynë i ekspertëve të adresojnë këtë çështje. Ndryshe nga aktivitete të tjera dhe të biznesit, kjo duhet bërë bashkarisht. Do ju kërkoja gatishmërinë tuaj që nga sot ose nesër të jeni të disponueshëm të vendosni kontakt nga personat për të pasur një konsultim konkret. Pra si mund të hartohet një kalendar gradual deri në normalizimin e plotë të komunitetit. Ne do të hartojmë nja kalendar të arsyeshëm, duke marrë në konsideratë edhe eksperiencat e vendeve të tjera. Shpresoj që në 18 maj, kur edhe do të jetë konfiguruar me kufizimet e veta i gjithë projekti i fazës së dytë, të mund të japim edhe disa indikacione konkrete për komunitetet fetare. Ne fillojmë nga puna ose sot ose nesër, varet nga ju.