Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë blof me mbledhjen e firmave, për të thirrur Kuvendin Kombëtar. Ai i dorëzoi dje Këshillit Kombëtar dhe kryetarit të saj Edi Palokës firmat, të cilat pretendon se janë 4200, nga 1800 që ishin të nevojshme, për të thirrur mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së më 11 dhjetor. “Kam kënaqësinë që të paraqes para jush drejtoren e komunikimit e kësaj nisme historike, që ka si synim për rivendosjen e pluralizmit politik në Shqipërisë. Kemi si synim fitoren e PD-së dhe rikthimin e Sali Berishës si kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë. Sot kemi sjellë 4200 firma nga 1800 që është detyrimi statutor për të thirr këtë Kuvendin. Formularët do të dorëzohen te kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka. Peng-kryetari nuk ka mbledhur akoma kryesinë e partisë, ai ka frikë, ka tmerr”, tha Berisha.
Për ditë me radhë, ish-kryeministri Berisha shprehej se ishin mbledhur më shumë se gjysma e firmave të delegatëve, por dje ai ka rrëzuar të gjitha alibitë e krijuar me foltoren. Berisha doli në një konferencë për mediat, ku dhe njoftoi se do të dërgonte fletët me firmat e anëtarëve në PD. Në një kohë kur të gjithë prisnin që ato të shkonin në seli për tu verifikuar, Berisha surprizoi me qëndrimin e tij.
Ai u shpreh se dokumentet do i dorëzohen kreut të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, dhe do mbyllen në kasafortën e tij. Berisha tha se në PD nuk do ketë asnjë verifikim nëse firmat janë të sakta, por ato do hapen ditën e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar.
“I vetmi institucion apo forum brenda saj i konstituuar pas Kuvendit është Këshilli Kombëtar. Vetë kryetari nuk ka mbledhur akoma Kryesinë e PD-së. Këshilli Kombëtar është forumi më i lartë pas Kuvendit, është konstituuar dhe ka bërë një mbledhje. Verifikimi i mandateve sipas rregullit të çdo Kuvendi, bëhet dhe ju lutem ta fiksoni mirë, bëhet vetëm nga Kuvendi.
Vetëm Kuvendi mund t’i vërtetojë firmat dhe formularët. Këto pastaj do të transferohen të mbrojtura në zyrën e Palokës dhe ditën e Kuvendit do të jenë në sallën e Kuvendit të PD-së”, deklaroi ai.
Sipas tij, firmat do të ruhen në zyrën e Edi Palokës, për shkak të rëndësisë që mbartin ato. “Firmat do të ruhen në kasafortën e zyrës së kryetarit të Këshillit kombëtar të PD-së, pasi formularët këtu kanë jo vetëm gjeneralitetet, por edhe numrin e kartës së anëtarësisë dhe të identitetit”, u shpreh ai.
Kjo lëvizje rrit dyshimet se firmat mund të mos jenë mbledhur realisht. Po ashtu Berisha duket se i trembet një puçi nga të vetët, të cilët mund të dalin të thonë se nuk kanë firmosur. Ndërkohë kjo lëvizje ka dalë kundër parashikimeve statusore, dhe pritet të jetë një alibi e fortë për Bashën, për të mos njohur vendimet e Kuvendit.
Berisha i përgjigjet ambasadores Kim
Ish-kryeministri Sali Berisha i ka kthyer përgjigje edhe ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila tha dje se SHBA do të shkëpusë çdo marrëdhënie me PD-në, nëse ish-lideri demokrat rimerr drejtimin e saj. Berisha theksoi se “Foltorja” e tij ka marrë shumë përgëzime nga krahu republikan në SHBA, ndërkohë që ftoi ambasadoren që të dërgojë në gjykatë provat që ka kundër tij.
“Për të mbyllur këtë problem, zonjës ambasadore dhe cilitdo tjetër që ka një provë dhe fakt të vetëm, e ftoj t’i dërgojë pranë gjykatës në Paris. Shpreh kënaqësinë time, por edhe mirënjohjen se miq, se përfaqësues të vendeve mike, se personalitete të shquara të elitës politike amerikane, nuk pajtohen, nuk pranojnë, nuk binden, madje e marrin thjesht si një hakmarrje politike se kemi prova dhe nuk i themi. Kjo ka marrë fund, ke prova, çoji përpara gjykatës”, tha ai.
Basha mund të mbledhë Kuvendin Kombëtar? Bardhi: Nuk i ka mbledhur firmat e duhura
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, nuk përjashtoi edhe mundësinë që Kuvendin Kombëtar ta thërrasë vetë Lulzim Basha, mirëpo e bëri të qartë se Sali Berisha nuk i ka mbledhur firmat e duhura.
Pse nuk e thërrisni ju Kuvendin Kombëtar?
Bardhi: Kush të tha që nuk do të thirret? Kuvendi mblidhet me vendim të partisë dhe vendim të Kryesisë, nëse nuk e bën këtë e bën ¼ e Kuvendit dhe ¼ sjell kërkesën dhe unë jam i detyruar që të thërrasë mbledhjen e Kryesisë së Partisë që vendos rendin e ditës, orën, datën dhe vendin e mbajtjes. Nëse kërkesa është e bazuar në statut, nuk e shkel dot, nëse sillen ndryshime statusore, mblidhet Këshilli për këto statute.
Nga selia blu, ai tha se Berisha ka shkelur statutin, e ndërsa e bëri të qartë se Kuvend Kombëtar nuk do të ketë.
“Pas 30 vitesh në PD ,Sali Berisha i di rregullat se si funksionon PD-ja dhe se si mblidhen organet e PD-së, jo nuk ka asnjë lidhje me statutin e PD-së dhe funksionimin demokratik të PD, u provua qartësisht që gjatë gjithë kësaj periudhe ka luajtur një blof të madh me demokratët. Nuk ka mbledhur ¼ e firmave për të vënë në lëvizje procedurën e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar, nëse do e kishte mbledhur, ai e di mirë se ku dorëzohen dhe se si është procesi, ajo që pamë sot është një tallje e madhe me demokratët dhe sakrificën e tyre, PD është një institucion, funksionon mbi bazën e statutit, dhe është fyerje për demokratët se mbahen sekret anëtarët e Kuvendit nga organet statutore të PD. Nuk ka fyerje më të madhe se të dhënat janë sekret nga organet legjitime të PD, apeli im është i qartë, cilido kërkon funksionim të PD, mbledhjen e institucioneve të PD, duhet të ndjekë procedurën sipas statutit të partisë, demokratët e dinë. Berisha e di procedurën edhe më mirë, prandaj nëse do i kishte firmat, në fillim thanë janë mbledhur 80%, pastaj 70%, në fakt e vërteta është nuk është arritur mbledhja firmave për të vënë në lëvizje procedurën statutore. Nuk ka Kuvend, ku mund t’i verifikoj firmat. Unë jam institucion që duhet të merret. Kuvendi ka më shumë se 7600 dhe duhet të firmosin ¼ e anëtareve, më pas vijon procesi, prandaj dhe statuti ka parashikuar një muaj më parë, sepse ka procedura dhe procedurat nuk realizohen duke i mbajtur të dhënat në kasafortë. Unë mbledh firmat vetë, i verifikojë vetë, i ngre organet vetë, votoj vetë, na kujton kohën e atij që demokratët u ngritën dhe e rrëzuan, fatkeqësi e madhe që Berisha e nisi këtë lëvizje me motivin për të hapur PD dhe e mbylli me një deklaratë që kërkon pushtet personal. I ka shfokusuar ata në mënyrën më absurde e mundshme nga beteja me regjimin e Ramës. Vendin, datën e orën e përcakton Kryesia e PD, Sekretari i Përgjithshëm. S’i ka mbyllur Edi Rama demokratët në kasafortë, jo më Sali Berisha”, tha Bardhi.
Paloka: Unë vetë nuk kam firmosur!
Kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, tha se do të zbatojë detyrimin e delegatëve, ndërsa zbuloi se ai vetë nuk ka firmosur.
“Është ndjekur rruga që përcakton statuti që prevalon e drejta e ¼ të delegatëve për të thirrur Kuvendin, kur strukturat apo forumet e tjera nuk e realizojnë. Jemi në këtë rast dhe për këtë arsye zbatojmë detyrimin ndaj delegatëve të Kuvendit për ta mbledhur Kuvendin, firmat janë në zyrën time, e dëgjuan shpjegimin se përse formularët u depozituan në zyrën time. Asnjë institucion nuk ka të drejtë që të bëjë verifikimin e firmëtarët përveç Kuvendit, ngrihet një Komision për verifikimin e mandateve. Firmëtarët më kanë kërkuar që të ruhet fshehtësia e të dhënave të tyre, formularët do të hapen vetëm ditën e Kuvendit të jashtëzakonshëm ku dhe do të bëhet Kuvendi. Nuk kam firmosur formularin, por do respektoj verifikimin”, tha Paloka.