Debati i ashpër mes dy gazetareve, Anila Bashës dhe Klodiana Lalës për vendimin e gjykatës ndaj Saimir Tahirit. Gazetaret Anila Basha dhe Klodiana Lana janë përplasur mbrëmjen e së enjtes në emisionin “Opinion”, teksa komentonin vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për ish-Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Debati:
Blendi Fevziu: Më 19 Tetor Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon nga Kuvendi autorizim për arrestimin, ose heqjen e lirisë së deputetit Saimir Tahiri.
Anila Basha: Këtu ndalojmë, pra që në Tetor 2017 pa këto prova, që ne po biem dakord sot që nuk ka prova, kanë kërkuar t’i vënë prangat.
Klodiana Lala: O Basha po mos e ngatërro fundin e procesit me fillimin e procesit. O Basha të lutem, mos na bëj tani sikur ne këtu jemi dele dhe po hamë bar, sepse Prokuroria për Krimet e Rënda ka kërkuar arrest me burg për 90 për qind të atyre personave që Saimir Tahiri…të lutem më lër të flas….Në 90 % të rasteve, kur personat e caktuar janë akuzuar për trafik narkotikësh, qoftë edhe me një telefonatë, me një indicie indirekte, kanë shkuar në masën e sigurisë arrest me burg.
Anila Basha: Si, si? Si ishte? Trafikanti i thjeshtë? Ça po thua?
Klodiana Lala: Në rastin konkret, Saimir Tahiri….
Anila Basha: Ça po tregon, se po flet për Ministrin e Brendshëm?
Klodiana Lala: U nis nga disa përgjime, që në fakt rezultojnë ndryshe në sallën e gjyqit, që hetimi kishte nisur një vit përpara se sa të dilte Katania me një përfundim.
Anila Basha: E mban mend ti Klodi atë apo jo? Po ato i morën nga media moj gjithçka, po ça bën kot, gërr-gërr-gërr kot. Nxirri edhe një herë përgjimet, se ashtu flasin të gjithë….
Klodiana Lala: Basha më lër ta mbaroj argumentin…
Anila Basha: Po ti ke një orë që flet për argumentin.
Klodiana Lala: Mund të flas dy orë dhe pa e sqaruar nuk e lë këtë gjë.
Anila Basha: Nuk po thua asgjë, e kupton? Po ziheni me veten ndërkohë.
Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar me 5 vite burg ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, por që do konvertohen në shërbim prove. Pas një seance gjyqësore maratonë, e cila nisi në orët e para të mëngjesit dhe përfundoi rreth orës 22.00 të mbrëmjes.
Tahiri u dënua vetëm për akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa kanë rënë akuzat për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal. Megjithatë Tahiri do përfitojë benefite, pasi dënimi do zbresë në 3.4 vite burg, duke qenë se ai përfitoi gjykim të shkurtuar. Por ky dënim do të konvertohet në shërbim prove për 3 vite. Pra do ketë punë në shërbim të komunitetit, dhe jo burg.
Tahiri foli pak minuta pasi gjykata dha vendimin për të. Teksa nuk e kurseu buzëqeshjen dhe ironinë, ai gjatë fjalës së tij tha se nuk qesh dhe as nuk qan dot për vendimin. Mes të tjerash, Tahiri u shpreh se për dy vite ishte hetuar si trafikanti më i madh në Shqipëri.