Mbrëmjen e djeshme përfundoi në prangat e policisë i shumëkërkuari Nuredin Dumani. Ai u gjet i plagosur në një apartament në Fier. Nga pamjet e publikuara nga ana e Policisë së Shtetit, shihet i arrestuari gjysmë lakuriq, i shtrirë në krevat, ndërsa ishte i plagosur.
Menjëherë pas arrestimit, Dumani është dërguar për mjekim në spitalin Rajonal të Fierit, dhe më pas drejt Traumës në Tiranë.
Dumani është një emër i njohur i drejtësisë. Arrestimi i Dumanit u bë rreth orës 22:00 të mbrëmjes së të martës, pasi e gjithë Policia e Shtetit ishte vënë në kërkim të tij, pas ngjarjes së pasdites të së martës, ku u raportua për një shkëmbim zjarri në afërsi të fshatit Papër në Elbasan.
Dumani kishte shkuar të strehohej në Fier, pas përplasjes me armë në Papër të Elbasanit.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat bëri publike detajet e arrestimit, duke thënë që në momentin që u vu në pranga Dumani, ka qenë i plagosur.
Deklarata e plotë e Nanos:
Mbrëmjen e datës 29 mars 2022, nga strukturat e Policisë së Shtetit është finalizuar me sukses operacioni policor i koduar “Arratia”, në kuadër të të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi i një prej personave më të kërkuar, i dyshuar për disa vrasje.
Më datë 29 mars 2022, rreth orës 22:25, në lagjen “Apollonia” në Fier, si rezultat i punës profesionale të strukturave të Policisë së Shtetit, u bë lokalizimi dhe kapja e një prej personave më të kërkuar sot në vendin tonë, Nuredin Dumani.
Në finalizimin e operacionit, bazuar në informacionet e siguruara nga Policia e Elbasanit u angazhuan forcat Speciale Renea, Forca e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit dhe Forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.
Gjatë operacionit bashkë me shtetasin Nuredin Dumani u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shetasit H. H., 40 vjeç, banues në lagjen Apollonia, Fier, i cili u kap i armatosur me një armë zjarri pistoletë në brez dhe një pistoletë në automjet.
Gjithashtu nga kontrolli në banesën ku fshihej Nuredin Dumani, u gjet e u sekuestruar edhe një armë zjarri kallashnikov, si dhe prova të tjera të cilat do të analizohen dhe vlerësohen nga Grupi Hetimor.
Po gjatë operacionit, u kapën edhe dy persona të tjerë për të cilët Grupi Hetimor po punon për sqarimin e pozitës së tyre, për lidhjet me personin e shumë kërkuar Nuredin Dumani.
Sqarojmë se më datë 29 mars 2022, rreth orës 17:35, në aksin rrugor Elbasan-Cërrik, në Papër, është qëlluar me armë zjarri ndaj një automjetit tip “BMW”, në të cilin dyshohet se udhëtonte shtetasi i kërkuar.
Pas marrjes djeni për ndodhjen e kësaj ngjarjeje, falë veprimeve të shpejta dhe profesionale dhe ndjekjes në një kohë shumë të shpejtë nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, u arrit të lokalizohej dhe kapej shtetasi Nuredin Dumani.
Grupi hetimor po punon për të sqaruar dinamikën e ngjarjes, si dhe pozicionin e shtetasit Nuredin Dumani i cili në momentin e kapjes ishte i plagosur me armë zjarri. Gjendja e tij sipas mjekëve është e stabilizuar dhe pas ndihmës së parë ne qytetin e Fierit është transportuar për në spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore.
Deri tani janë kapur e sekuestruar dy armë zjarri pistoletë dhe dy armë zjarri kallashnikov, (një kallashnikov është sekeustruar nga Policia e Elbasanit).
Gjej rastin të falënderoj të gjithë punonjësit e Policisë të angazhuar në këtë operacion të cilët prej disa muajëve kanë punuar me intensitet e përkushtim për lokalizimin dhe kapjen e personave shumë të kërkruar.
Falënderoj Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe SPAK-un, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e pakursyer e profesionale për strukturat hetimore të Policisë së Shtetit.
Policia e Shtetit mbetet e vendosur për goditjen e çdo aktiviteti kriminal, kapjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve të tyre dhe personave të kërkuar që i shmangen hetimit.
Kush është Nuredin Dumani?
Nuredin Dumani është një nga personazhet më të rrezikshëm në Shqipëri, pasi akuzohej si vrasës serial, pasi ishte i implikuar në të paktën 7 vrasje. Ndaj Dumanit më herët Prokuroria ka lëshuar dy urdhër-arreste, dhe ka në duar prova të mjaftueshme për ta implikuar si ekzekutor në të paktën 7 vrasje.
Nuredin Dumani ka qenë krahu i djathtë i të shumëkërkuarit tjetër Talo Çela, i cili edhe ky është shpallur në kërkim nga policia, pasi akuzohet për një sërë vrasjesh. Dumani më herët ka qenë i akuzuar për prostitucion, por prej vitit 2022, ndaj tij rezultojnë edhe akuzat e vrasjes.