Avokati i njohur Spartak Ngjela, ka përshëndetur operacionet dhe arrestimet e fundit të bëra nga SPAK, ku në pranga kanë rënë zyrtarë të lartë, teksa shtoi se ky proces do të vijojë me ish-kryeministrat e vendit, pasi 90 % e tyre janë të korruptuar.
Deklarata e Ngjelës u bë ditën e sotme në emisionin ”Kjo Javë” në News24. Avokati u shpreh se të dyja palët, si mazhoranca ashtu edhe opozita janë të frikësuar, por fillimisht goditet ai që është në pushtet.
Ndër të tjera, Ngjela komentoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili ka thënë se në Partinë Socialiste nuk ka vend për zyrtarët e korruptuar.
Spartak Ngjela: ”Për të mos e zgjatur kryeministra, 90 % e tyre kanë qenë të korruptuar. Ja ku janë a janë me pallate, ku i gjetën. Këtu janë ish ministra apo kryeministra me pronë deri në 2 mijë ha. Ku i gjetën? Cështja qëndron që shërbimet i dinë, por këto duhen kthyer në prova. Nën akuzë do jenë të tërë. Të dy palët duhet të kenë frikë, goditja vjen nga pushteti dhe goditja këtu do vijë majtas. Është aksioma e Bonapartit që kur goditi me antiterror terrorin, arrestimet i filloi majtas, nga vetja. Edhe SPAK nga e majta ka nisur. Edhe Rama i njoftoi, nuk kam asnjë përgjegjësi për ju. Tregon se është bashkuar me antikorrupsionin, mendoja se ishte i lëkundur, por kuptova se është angazhuar tërësisht me antikorrupsionin.”