Presidenti Ilir Meta ka bërë thirrje që të sigurohen sa më shpejt të gjitha aparaturat, për të bërë të mundur aplikimin e terapisë me plazmë hiperimune.
Përmes një postimi në Facebook, Meta thekson se aplikimi i saj në vende të tjera ka rezultuar mjaft i dobishëm për pacientët me COVID-19. Kreu i shtetit thotë se vendi duhet t’i kërkojë ndihmë Italisë për asistimin me specialistë, për vënien në zbatim të këtij protokolli.
Postimi i plotë:
Nisur nga informacionet përgjithësisht pozitive lidhur me terapinë me plazmë hiperimune (konvaleshente) dhe për shkak se aplikimi i saj ka rezultuar mjaft i dobishëm për pacientët me COVID-19, inkurajoj të ecet sa më shpejt me këtë terapi, duke siguruar së pari të gjitha aparaturat që bëjnë të mundur aplikimin e saj.
Në këtë situatë, është shumë e rëndësishme të kërkohet ndihmë nga Italia për asistimin me specialistë, si një vend me eksperiencë të spikatur për vënien në zbatim të këtij protokolli.
Kjo do të mundësonte jo vetëm një aplikim të sukseshëm dhe zbatim strikt dhe shkencor të këtij protokolli, por dhe do evitonte çdo lloj pasaktësie e pasigurie, që mund të verifikohet në praktikë.