Nga Wolfgang Saxon “The New York Times”
12 Prill 1985 – Udhëheqësi shqiptar, Enver Hoxha, që vdiq dje në Tiranë, e mbajti vendin e tij malor të izoluar për 4 dekada.
E përmendur që nga koha e grekëve dhe romakëve, Shqipëria e ruajti pavarësinë e saj edhe nën udhëheqjen e tij staliniste.
Por politikat e Hoxhës e izoluan shumë Shqipërinë, dhe e lanë me shumë pak miq jashtë, teksa qeveria e tij u prish njëri pas tjetrit me vendet që e ndihmuan më shumë.
Hoxha ushtroi një pushtet absolut nga pozita e tij si Sekretar i Parë i Partisë së Punës, dhe si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.
Shqipëria ishte një nga vendet e para komuniste, që e denoncoi revizionizmin e liderit jugosllav Josip Broz Tito, duke mbajtur anën e Stalinit në vitin 1948.
Pastaj, Hoxha ndërpreu lidhjet e tij me Bashkimin Sovjetik në vitin 1961, në kulmin e procesit të de-stalinizimit që kishte nisur Nikita Hrushov.
Hoxha nisi të mbështetej më vonë tek Kina për ndihmë materiale. Por sërish u zhgënjye.
Shkrirja që ndodhi në marrëdhënie kinezo-amerikane ftohte, u prit keq në Tiranë.
Shqipëria tentoi më pas të afrohej me Greqinë dhe Turqinë, edhe pse trajtimi i qeverisë Hoxha ndaj pakicave etnike, veçanërisht grekëve, i pengoi jo pak përpjekje të tilla.
Në fakt, Vietnami ishte vendi i vetëm me të cilin Shqipëria kishte një marrëdhënie të ngushtë, edhe pse jo shumë fitimprurëse në aspektin ekonomik.
Synimi i Hoxhës ishte modernizimi dhe industrializimi i atij, që përgjithësisht vlerësohet si një nga vendet më të prapambetura në Evropë.
Turistët nga vendet më të zhvilluara, kanë raportuar se Tirana, me rrugët e saj të vjetra me kalldrëm dhe automjetet e pakta, ka atmosferën e një qyteti të shekullit XIX. Me kalimin e viteve, qeverisë Hoxha iu njoh merita e eleminimit të analfabetizmit.
Por ndërkohë ajo shtypi komunitetet fetare, dhe nën diktatin e Hoxhës, Shqipëria u bë “shteti i parë ateist në botë, feja e vetme e të cilit është shqiptaria”.
Aktivitetet publike fetare, janë të ndaluara. Pakicat etnike midis afro 3 milionë banorëve në Shqipëri, u persekutuan deri në atë masë, saqë për shembull grekët etnikë u detyruan të ndryshojnë emrat.
Vetëm kohët e fundit, sipas turistëve, u lejua hapja e disa shkollave më gjuhën greke, dhe vetëm pasi Shqipëria nisi të ketë një qasje më miqësore ndaj Greqisë. Hoxha e ruajti pushtetin e tij, duke parandaluar komplote, dhe drejtuar spastrime të përgjakshme, dhe burgosje të atyre që e kundërshtuan.
Pak kohë pasi Shqipëria njoftoi në vitin 1981, se kryeministri më jetëgjatë në vend, Mehmet Shehu kishte kryer vetëvrasje, pati raporte të pakonfirmuara se në fakt ai ishte vrarë. Por Hoxha në një libër të botuar në vitin 1982, pohoi se Shehu kishte kryer vetëvrasje.
Në shtypin zyrtar, të përkthyer dhe shpërndarë nga misioni shqiptar në OKB, Shehu u quajt “një agjent sekret i amerikanëve, sovjetikëve dhe jugosllavëve, që u likuidua pasi u përball me unitetin e pathyeshëm të partisë me popullin”.
Përveç fokusimit të madh tek siguria e brendshme, qeveria Hoxha hodhi vitet e fundit hapa për të ndërtuar lidhje të transportit me fqinjët e saj, Greqinë dhe Jugosllavinë, edhe pse marrëdhëniet tregtare me to ishin të zbehta. Dhe deri vitin e kaluar, kishte shenja të tjera se Shqipëria po bëhej më pak e izoluar, dhe po kërkonte lidhje të reja me vende të tjera.
Në marsin e vitit 1984, ajo nënshkroi një pakt tregtar më të gjerë me Italinë, e cila gjithashtu ra dakord që të zgjerojë lidhjet kulturore mes 2 vendeve. Enver Hoxha lindi në Gjirokastër, një qytet në jug të Shqipërisë.
Ai u arsimua me bursë në një shkollë të mesme franceze në Korçë, dhe në moshën 22-vjeçare shkoi në Francë për të studiuar në Universitetin e Monpeliesë.
Në vitin 1934 u emërua sekretar në konsullatën shqiptare në Bruksel, ku vazhdoi të shkruante për të përditshmen franceze ”Humanite”.
Meqë artikujt e tij ishin kritikë për qeverinë e kohës, u pushua nga puna pas 2 vjetësh.
Kur u kthye në vend, arriti të punësohej si mësues i frëngjishtes në liceun francez të Korçës.
Sulmet e tij të vazhdueshme ndaj qeverisë, sollën burgimin e tij për një kohë të shkurtër në fillim të vitit 1939. Ushtria italiane e Musolinit e pushtoi Shqipërinë po atë vit, duke detyruar largimin e mbretit Zog jashtë vendit. Hoxha u bë themeluesi dhe drejtuesi i Partisë Komuniste Shqiptare në vitin 1941.
Ai vepronte në fillim nga një dyqan duhani në Tiranë. Italianët nuk e kapën kurrë, pasi ai u arratis nëpër male, nga ku mori ndihmë nga oficerët sovjetikë që zbarkuan në Shqipëri me parashutë, si dhe nga oficerë ndërlidhës amerikanë dhe britanikë.
Ish-mësuesi i frëgjishtes, ngriti një forcë guerile prej 70.000 trupash, që luftoi me italianët, dhe më vonë gjermanët. Nga fundi i luftës, guerilët komunistë shpallën një qeveri të përkohshme në tetor 1944, me Enver Hoxhën në postin e kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes.
Kjo qeveri u njoh nga aleatët perëndimorë në fillim të vitit 1945, me mendimin se në vend do të mbaheshin zgjedhje të lira. Por kur u mbajtën zgjedhjet, kishte vetëm një listë kandidatësh, të sponsorizuar nga komunistët.
Shqipëria u shpall republikë popullore në janar 1946, dhe Shtetet e Bashkuara dhe Britania e revokuan njohjen e tyre, dhe e penguan deri në vitin 1955 anëtarësimin e Shqipërinë në Kombet e Bashkuara.
Komunistët jugosllavë, që i kishin ndihmuar që në fillim guerilasit shqiptarë, kërkuan një bashkim monetar dhe doganor me Shqipërinë e re. Por Hoxha, i trembur nga epërsia e Beogradit, i ndërpreu të gjitha lidhjet me jugosllavët në kohën e prishjes së Stalin-Tito në vitin 1948.
Partia ndryshoi emër nga Partia Komuniste në Partia e Punës. Në vitin 1954, Hoxha ia dha postin e kryeministrit Mehmet Shehut, por vetë mbeti kreu i partisë, duke e ndryshuar titullin nga Sekretari i Përgjithshëm në Sekretari i Parë.
Pas shkëputjes së Shqipërisë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1961, Hoxha triumfoi në një numër betejash për pushtet, dhe ndaj një grushti shteti ushtarak në vitin 1974, që përfshinte edhe Ministrin e tij të Mbrojtjes. Ministri dhe disa gjeneralë të ushtrisë, u ekzekutuan me vdekje.
Në fakt, gati gjysma e 31 anëtarëve të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të vitit 1948, u vranë në vitet në vijim.
Kohët e fundit, vështirësitë ekonomike, kanë sjelle konflikte politike të reja, dhe qindra zyrtarë komunistë raportohet se janë burgosur, për shkak se kundërshtuan disa nga lëvizjet politike, siç ishte prishja me kinezët, të cilët kishin shërbyer si një nga mbështetësit kryesorë të Shqipërisë në përpjekjen e saj për t’u zhvilluar ekonomikisht.
Gjenerali Hoxha, një burrë shtatlartë dhe me një pamje mbresëlënëse, ishte martuar me Nexhmije Hoxhën, një mësuese të cilën e kishte njohur në lëvizjen guerile gjatë luftës.
Ajo u bë anëtare e Komitetit Qendror, dhe shërbeu pas vitit 1969 si drejtoreshë e Institutit për Studime Marksiste-Leniniste në Tiranë. /TIRANA TODAY