Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka deklaruar se me opozitën e re pritet votimi i amnistisë në Parlament për të burgosurit.
Gjatë prezantimit të marrëveshjes për trajtimin e të miturve që kanë probleme me drejtësinë në Vlorë, Gjonaj tha se ka qenë opozita e vjetër ajo që e ka penguar votimin e amnistisë për të burgosurit.
“Grupi i punës është mbledhur dhe po punon për amnistinë, por do të merret parasysh edhe ndikimi që mund të ketë në fushatë”, tha ajo.
Më tej, ministrja theksoi se marrëveshja synon një tjetër formë trajtimi të të miturve që kanë probleme me drejtësinë.
Ndërkohë, kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli tha se vëmendja institucionale e pushtetit vendor dhe lokal është në favor të atyre që kanë me tepër nevojë.