Pas ish-kryeministrit Sali Berisha, edhe Presidenti Ilir Meta është bërë palë, duke sulmuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kreu i Shtetit, Ilir Meta, ka reaguar në lidhje me vendimin ndaj Berishës për shpalljen ‘non grata’. Presidenti e ka cilësuar si një fletërrufe, të porositur nga regjimi i kleptokracisë në Tiranë kundër Berishës.
Ai thotë se ky vendim është marrë në këtë periudhë dhe jo më kot, duke sqaruar se çfarë qëndron pas kësaj prapaskene. Sipas tij, shpallja ‘non grata’ u kërkua në këtë moment, kur procesi zgjedhor ende nuk është mbyllur zyrtarisht, dhe kur institucionet, sipas Kodit Zgjedhor, duhet të shprehen lidhur me ankesat e shumta për manipulimet dhe krimet zgjedhore.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka njoftuar më herët, se ka vendosur të hapë një proces gjyqësor për ‘shpifje’, ndaj Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Ai shpjegoi ka angazhuar një ndër avokatët e njohur francez, Battonier Jean Yves Leborgne dhe se padia do të ngrihet para Gjykatës Korreksionale të Parisit, për shpifje publike.
Dje, ambasadorja Yuri Kim u shpreh nga Vlora se ditët e pandëshkueshmërisë kanë marrë fund, dhe se askush s’mund të jetë mbi ligjin. Kim tha se vendimi i DASH është mesazh se Shqipëria po ndryshon, dhe se kjo lidhet me demokracinë dhe shtetin ligjor.
Statusi
Të dashur qytetarë shqiptarë dhe bashkëkombas kudo në botë,
Si President i Republikës së Shqipërisë ndjej përgjegjësinë e lartë të ndaj me Ju vlerësimin tim lidhur me “fletërrufenë” e porositur nga regjimi i kleptokracisë në Tiranë kundër z.Sali Berisha, Presidentit të parë demokratik të vendit.
Kjo “fletërrufe” jo rastësisht u kërkua në këtë moment, kur procesi zgjedhor ende nuk është mbyllur zyrtarisht dhe kur institucionet, sipas Kodit Zgjedhor, duhet të shprehen lidhur me ankesat e shumta për manipulimet dhe krimet zgjedhore të denoncuara gjerësisht, që kanë cenuar rëndë standardet perëndimore të një procesi elektoral plotësisht të lirë, të ndershëm dhe demokratik.
Duke u bërë thirrje të gjithëve të zbatojnë me rigorozitet ligjin, si dhe të gjitha kërkesat e Kodit Zgjedhor lidhur me procesin e 25 prillit, pasi kjo është dhe mbetet çështja më e rëndësishme aktualisht, ndjej përgjegjësinë të ndaj me secilin prej jush, mesazhin e solidaritetit, që i kam dërguar z.Sali Berisha dhe familjes së Tij ditën e enjte paradite, pas informacioneve, që mora nga burime të ndryshme dhe të besueshme:
“Përshëndetjet e mia më të sinqerta dhe solidaritet për Ju, Lilin dhe Familjen tuaj pas këtij akti të shëmtuar, të pabesë dhe të poshtër, që ka të bëjë vetëm me lobingjet antishqiptare dhe asgjë tjetër. Ata që financuan për të shpallur hero të Reformës në Drejtësi Dvoranin e Partisë mund të bënin çdo marrëzi dhe nuk mund të na habisin më me pacipësinë e tyre për respektin ndaj shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e Drejtësisë.
Të fala!”