E hënë, 20 Shtator, 2021
28.5 C
Tirana

Aleanca e shëmtuar e Ramës me Vuçiç kundër Kurtit

Nga Blendi Kajsiu

(*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’.)

Kritika që Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nga Shkupi i bëri Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në krah të Presidentit të Serbisë Vuçiç, la një shije të hidhur te çdo shqiptar, nacionalist apo kozmopolitan. Është e trishtë që dy kryeministra shqiptarë të shkëmbejnë kritika publikisht në vend që të merren vesh privatisht dhe ta ruajnë imazhin e unitetit në publik.

Ama, është e shëmtuar që në një çështje madhore rajonale, Shqipëria të rreshtohet krah Serbisë dhe kundër Kosovës. Sidomos kur Presidenti i saj aktual, Alexandër Vuçiç, ka qenë ministër i Informacionit i Slobodan Millosheviçit gjatë luftës së Kosovës dhe themelues i forcës ultranacionaliste Partia Radikale Serbe.

Nuk ka rëndësi në këtë pikë nëse Rama ka të drejtë dhe Kurti është krejtësisht i gabuar në kundërshtimin e tij të mini-Shengenit të propozuar nga Serbia. Rama mund të ketë të drejtë kur thotë se ky mini-Shengen i shërben të gjithë rajonit dhe Kurti mund ta ketë shumë gabim kur propozon një marrëveshje alternative.

Pavarësisht kësaj, në politikën e jashtme shqiptare asnjë Kryeministër nuk mund të nënshkruajë një marrëveshje rajonale ku vendi rreshtohet me Serbinë në kundërshtim me vullnetin politik të Kosovës. Aq më tepër po të kemi parasysh se cila është qeveria aktuale serbe dhe lidhjet e saj direkte me regjimin e Millosheviçit.

E thënë ndryshe, Shqipëria nuk mund të ndërtojë një marrëdhënie politike dhe ekonomike me Serbinë, duke lënë jashtë dhe aq më keq duke antagonizuar Kosovën. Kjo nuk dobëson vetëm Kosovën, por edhe vetë Shqipërinë, ndaj bie ndesh me çdo parim apo logjikë të politikës sonë të jashtme.

Natyrisht, kjo nuk do të thotë që Shqipëria është e detyruar t’i përgjigjet apo nënshtrohet çdo teke që vjen nga Kosova. Mosmarrëveshjet janë të natyrshme. Ama, ato duhet të ekzistojnë dhe zgjidhen në mënyrë private, bilaterale dhe me negociata, jo me batuta dhe sulme publike të Kryeministrit shqiptar kundër Kryeministrit kosovar, përkrah Presidentit serb.

Ende nuk dimë se sa negocioi, bisedoi apo arsyetoi Rama me partnerin e tij, Kurti, në lidhje me mini-Shengenin ballkanik. Nuk e dimë nëse ai e shqyrtoi dhe përse e refuzoi propozimin e Kurtit për një marrëveshje alternative të tipit SEFTA. Aq më pak dimë nëse dy shtetet shqiptare intentuan të dalin me një propozim alternativ të përbashkët.

Lexo edhe :   Qeveria “Rama 3”, si prova e triumfit të votës mbi antisistemin

Ajo që shohim nga jashtë është që Rama më shumë se të negociojë apo të arrijë një marrëveshje me Kurtin, thjesht vendosi ta shpërfillë dhe ta sulmojë atë në krah të Vuçiç. Ky është një imazh tejet i shëmtuar. Dhe për Ramën imazhi është vetë politika.

Nuk jam nga ata që mendojnë se Rama është tradhtar apo se po shet Kosovën te Serbia. Nxitimi i tij për t’u rreshtuar me Vuçiç kundër Kurtit në çështjen e shengenit miniballkanik është produkt i qeverisjes së tij voluntariste dhe autoritare, si dhe i etjes për protagonizëm.

Lexo edhe :   Fjalori nekrofil, si simbol fillimi i kësaj legjislature

Jam i bindur që Rama realisht mendon se ky miniShengen i shërben Shqipërisë e rajonit dhe ndoshta ka të drejtë. Problemi është se ai nuk ka durimin dhe as tolerancën të bashkëpunojë apo negociojë me dikë që nuk mendon si ai, edhe kur ky dikush përfaqëson vullnetin e popullit kosovar. Kryeministri ynë e sheh politikën rajonale shqiptare thjesht si zgjatim i politikës së saj të brendshme ku ai duhet të ketë fjalën e fundit.

Ndaj Rama bën në politikën e jashtme atë që bën edhe në politikën e brendshme, imponohet, sulmon dhe prodhon batuta duke e përçmuar dhe injoruar kundërshtarin, Albin Kurti në këtë rast. Kështu, ai ushtron në politikën e jashtme të njëjtin protagonizëm dhe personalizëm autoritar si në qeverisjen e brendshme.

Problemi është që ky protagonizëm i sëmurë në politikën e rajonale do t’i prodhojë kosto politike si Ramës, edhe Shqipërisë. Ramës sepse Albin Kurtit nuk është as Basha, as Berisha dhe aq më pak Meta, pavarësisht përpjekjeve titanike të mediave pro-qeveritare për ta njehsuar me ta. Ndaj Kurti nuk mund të sulmohet me batuta, dhe aq më pak në krah të Vuçiç. Ndërkohë Shqipërisë protagonizmi i Ramës i krijon kosto sepse e ndarë nga Kosova ajo nuk fiton, por humbet peshë në politikën rajonale.

 

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Serbët bllokojnë rrugën, pas vendimit të Kosovës për reciprocitetin e targave

Mëngjesin e sotëm, në pikat kufitare policia e Kosovës u ka hequr targat të gjitha makinave nga Serbia, dhe i ka pajisur me targa...

Reciprociteti i targave/Kurti: S’ka për qëllim destabilizimin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur nga Kuvendi për reciprocitetin e vendosur për targat e automjeteve. Gjatë seancës së sotme parlamentare, Kurti theksoi...

Shërbimet sekrete zbulojnë planin/ Parandalohet ekzekutimi i Zoran Zaev

Shërbimet sekrete greke dhe qeveria parandaluan një atentat ndaj kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, disa muaj pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës...

Në politikën gjermane nuk përfaqësohen sa duhet migrantët

"What's your Heimat?" - cili është atdheu juaj u pyet W. Michael Blumental, drejtori që themeloi Muzeun Hebre në Berlin në vitin 2014. Për...

Pse berishizmi, është enverizimi i ri shqiptar

Nga: Mero Baze Kjo që po i ndodh Partisë Demokratike, Partisë së Punës, ka filluar ti ndodh në vitin 1991. Kur ajo filloi të reformohej...