Ditën e djeshme, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe Kreut të PDK-së, Kadri Veseli.
Në aktakuzën që Zyra e Prokurorit të Specializuar i paraqiti për shqyrtim Dhomave të Specializuara për Kosovën, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe disa persona të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje të paligjshme, zhdukje me detyrim të personave, përndjekje dhe tortura.
Këto akuza u ngritën pikërisht pak ditë para takimit historik Kosovë-Serbi që parashikohej të zhvillohej në Shtëpinë e Bardhë, Washington.
Sakaq, Thaçi dhe më pas kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, anuluan pjesëmarrjen në takimin e 27 Qershorit në SHBA.
Mirëpo… “Kombi Shqiptar është në rrezik të madh!”
Kështu shprehet ish-Drejtuesi i Prokurorisë së Apelit dhe ish-Kryetari i Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë, z. Shkëlqim Hajdari.
Ai iu bën thirrjen e fortë politikanëve në Kosovë, në Shqipëri dhe politikanëve shqiptarë në Maqedoni të Veriut që të mblidhen në një takim urgjent.
Hajdari apelon që Kombi në këtë moment, të flasë me një zë!
Postimi i tij i plotë në Facebook:
“Kombi Shqiptar në rrezik të madh!
Ngjarjet e djeshme në Kosovë, janë më të rëndat, pas çlirimit të saj.
Politikanët atje, në Shqipëri dhe politikanët shqiptarë në Maqedoni të Veriut, pa dallim e ndasi politike duhet të mblidhen në një takim urgjent.
Bërja publike e vënies nën akuzë, e udhëheqësve të UÇK, pa u verifikuar akuzat nga gjykata dhe 2 ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë, tregon qartë se ky nuk është pozicion ligjor, nuk është drejtësi e pavarur.
Kjo sjellje është e paprecedent dhe qartësisht politike, antishqiptare.
Ndaj bëj thirrje, të bëhemi bashkë të gjithë dhe Kombi në këtë moment, të flasë me një zë!”
https://www.facebook.com/shkelqimhajdarii/posts/170648694438675