Presidenti Ilir Meta ka reaguar lidhur me akt-akuzën që Gjykata Speciale në Hagë ka ngritur ndaj presidentit Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli, të akuzuar për vrasje pas luftës.
Përmes një postimi në Facebook, Meta shprehet se beson tek pafajësia e Thaçit dhe Veselit dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre.
Sipas kreut të shtetit, akuza të tilla janë ngritur edhe më parë ndaj drejtuesve të UÇK-së, por pafajësia e tyre dhe drejtësia e luftës është konfirmuar.
Postimi i plotë:
Lufta e UÇK-së, që iu imponua popullit të Kosovës nga shtypja dhe gjenocidi i regjimit kriminal të Millosheviçit, rezultoi se ishte e drejtë dhe vendimtare, jo vetëm për lirinë dhe themelimin e Republikës së Kosovës në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, por edhe për paqen, stabilitetin dhe ardhmërinë e saj evropiane dhe të rajonit tonë.
Ne besojmë në pafajësinë e Presidentit Hashim Thaçi, ish-Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre.
Edhe më parë janë ngritur akuza ndaj ish-drejtuesve të UÇK, por pafajësia e tyre dhe drejtësia e luftës është konfirmuar.
Ne besojmë se kjo do të ndodhë përsëri.