Pas deklaratës së Ministrisë së Bujqësisë, se ka ndërmend të ngrejë “Akademinë për barinjtë”, rrjeti shpërtheu me meme. Por Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, ka reaguar ditën e sotme në Komisionin e Ekonomisë, ku ka sqaruar se e gjithë kjo është një keqkuptim, dhe mbi të gjitha një eksperiencë e cila nuk është shpikur nga Shqipëria, teksa aplikohet në vende si Zvicra, Anglia dhe Spanja.
Krijimi i një Akademie për barinjtë, ka ngjallur jo pak zhurmë mediatike, por edhe tek qytetarët lidhur me funksionin e qartë të saj. Duke qëndruar në të njëjtën linjë, ministrja sqaroi më tej se ka patur një keqkuptim në lidhje me artikulimin e fjalës Akademi.
“Mund të bëj një sqarim në keqkuptimin e ndodhur në mbledhjen e kaluar. Një keqkuptim i ndodhur dhe me artikulimin e fjalës Akademi. Në lidhje me fjalën Akademi, kjo është një eksperiencë që nuk e kemi shpikur, por e kemi parë në disa vende, Zvicra, Anglia, Spanja, e kanë një qasje drejt zgjidhjes së problemit të migrimit të njerëzve nga profesioni i bujkut të cilët po përpiqen ti adresojnë, duke dhënë mbështetje në formimin e tyre për ti angazhuar në këtë profesion”.
Frida Krifca citoi se kjo nismë është konsultuar edhe me donatorët. “E kemi konsultuar dhe me donatorët, që si drejtoreshë e AZHBR jam konsultuar dhe me Universitetin Bujqësor, që në 2018 kemi filluar të mbështesim stanet. Është një program që do të vazhdojmë ta përforcojmë, dhe ta ndihmojmë për të ruajtur traditën në fusha të tilla. Kjo jo e shprehur vetëm në blegtori dhe zanatin e barinjve, por dhe në zanatin e fermerëve të rinj që i bashkohen trupës së bujqësisë. Ky ishte sqarimi që doja të bëja”, tha ministrja.