Tashmë ka shumë informacione në dispozicion, se si të mbroheni nga koronavirusi, nga dezinfeketuesit e dorës, tek maskat e fytyrës. Por disa pyetje mbeten ende pa përgjigje. Pse për shembull, disa njerëz shfaqin simptoma dhe të tjerët jo? Pse fëmijët e vegjël, duket se janë më të mbrojtur prej koronavirusit?
Edhe sa njerëz do të duhet të infektohen për të arritur imunitetin e tufës? Këtyre pyetje u përgjigjet Rashel Graham, ndihmës profesore në departamentin e epidemiologjisë në Universitetin e Karolinës së Veriut; dhe Xhon Svarcberg, profesor i specializuar në sëmundjet infektive në Shkollën e Shëndetit Publik në Universitetin e Kalifornisë.
Shumë nga simptomat e COVID-19, vijnë për shkak të reagimit të trupit tonë ndaj virusit, dhe jo vetëm vetë virusit
Kur infektoheni prej koronavirusit, simptomat që shfaqni nuk janë thjesht për shkak të virusit që sulmon trupin tuaj. Shpesh, simptomat që shfaqim janë reagimet e sistemeve tona imunitare ndaj tij. Kollitja, shpjegon Svarcberg, është një teknikë që njerëzit kanë zhvilluar për të nxjerrë viruset jashtë rrugëve tona të frymëmarrjes.
“Përgjigja jonë imune ndaj virusit, shkakton edhe inflamacion në indin tonë të mushkërive, që e lufton virusin, por që në këtë proces mund të shkaktojë edhe dëmtime. Inflamacioni i indeve polmonare, mund ta bëjë të vështirë frymëmarrjen, dhe kjo është arsyeja pse disa njerëz të infektuar me koronavirus, kanë nevojë për oksigjen të jashtëm ose një ventilator”, thotë ai.
Disa njerëz të infektuar shfaqin simptoma, të tjerë jo. Mjerisht, arsyeja nuk është e qartë
Svarcberg, thotë se tek disa njerëz koronavirusi shkakton një inflamacion aq të vogël në mushkëri, saqë as që e vënë re se janë të sëmurë. Por tek disa të tjerë, ai shkakton një reagim të madh inflamator, që mund të jenë vdekjeprurës. Graham, vëren se disa njerëz të shëndetshëm janë thjesht të predispozuar për t’u sëmurur.
“Përgjegjës mund të jenë faktorët gjenetikë, por edhe fakti që njerëzit më të rinj në moshë, kanë tendencën të jenë më aktivë, gjë që mund të ndihmojë në mbajtjen e shëndetshme të sistemit imunitar”- shton ajo. Dhe në fakt, koronavirusi është më vdekjeprurës për njerëzit mbi 60 vjeç.
Tek kjo shtresë e popullsisë, sistemet e tyre imune mund të jenë duke u dobësuar, dhe kur preken nga një infeksion të frymëmarrjes, reagimi i tyre imunitar mund të jetë “hiperaktiv”, dhe kjo gjë mund të shkaktojë dëme të pariparueshme në indet e brishta të mushkërive.
Fëmijët dhe foshnjat nuk po sëmuren. Dhe ka disa teori se përse ndodh kjo
Në fillim, thotë Svarcberg, një nga teoritë se përse fëmijët nuk sëmuren nga koronavirusi, ishte se ata nuk ishin të ekspozuar ndaj virusit. Për shembull, në Vuhan të Kinës, të infektuarit ishin kryesisht të rritur që bënin pazar në tregun e kafshëve, ku mendohet se ka origjinën koronavirusi. Por ai nuk e sheh këtë një hipotezë bindëse.
Një hipotezë tjetër: ”A ka të bëjë sistemi imunitar i fëmijëve të vegjël? “Dhe përgjigja është se nuk e dimë”- thotë ai. Por ka disa të dhëna që e mbështesin këtë hipotezë. Graham, thotë se një studim sugjeron s fëmijët mund të infektohen, por nuk zhvillojnë domosdoshmërisht sëmundje të rëndë, por mund t’ua transmetojnë virusin të tjerëve. Dhe sërish nuk është e qartë arsyeja.
Ekspozimi i zgjatur ndaj virusit, mund të çojë në sëmundje më të rënda. Kjo mund të jetë arsyeja, pse mjekët dhe infermierët janë më të rrezikuar se gjithë ne të tjerët
Në fund të muajit të kaluar, kur koronavirusi kishte infektuar 80.000 njerëz në të gjithë botën, mediat raportuan se 3.387 mjekë dhe infermierë në Kinë, ishin prekur nga COVID-19. Një studim, sugjeron se në prekjen e tyre ndikon shkalla e lartë e ekspozimit ndaj virusit. Ana Jeung-Çeung, virologe në Kolegjin Manhatanvil, thotë se arsyeja pse vdiq një mjek i ri kinez nga COVID-19 është pjesërisht sepse ai ishte mjek. “Është si një mbidozë”- thotë ajo.
Nëse prekeni një herë nga koronavirusi, nuk e dimë nëse fiton imunitet dhe nuk sëmureni më prej tij
Nëse sëmureni njëherë nga fruthi, shpjegon Svarcberg, do të jeni imun për pjesën tjetër të jetës tuaj. Antitrupat e trupit tuaj dhe qelizat që prodhojnë ato, do të jenë të gatshme për ta luftuar virusin nëse e hasni sërish atë. “Kjo është një përgjigje tipike ndaj një sëmundje infektive. Por jo për të gjitha. “Për shembull, në rastin e sifilisit, ne nuk zhvillojmë imunitet”- thotë ai.
Nuk është ende e qartë, se në cilin grup sëmundjesh infektive kategorizohet COVID-19 në aspektin e imunitetit. “Është shumë herët për të treguar se çfarë lloj reagimi imunitar ka trupi ndaj këtij virusi, dhe a është ai në gjendje të prodhojnë antitrupat e duhur, që do të neutralizonin një infeksion të ardhshëm”- shprehet Graham.
Megjithatë, le të supozojmë se dikush që është prekur njëherë nga koronavirusi, do të thotë që jeni tashmë i mbrojtur. Pra mund të shohim të famshmin “imunitetin e tufës” apo jo? Ky ndodh kur mjaftueshëm njerëz në një komunitet janë imunë ndaj një sëmundje, që nuk do të përhapet tek njerëzit që janë të pambrojtur.
Pra, tufa mbron individët më të rrezikuar. Kështu, nëse supozojmë se njerëzit që shërohen nga koronavirusi janë të mbrojtur të paktën për një vit, thotë Svarcberg, “modelimi sugjeron se imuniteti i tufës, mund të shfaqet për disa muaj deri në një vit, ose më shumë”.
TIRANA TODAY