Nga: Mentor Kikia
A mjafton mirënjohja për sakrificën e përhershme e këtyre njerëzve?
Pa asnjë mëdyshje:
Nderim dhe respekt për çdo pjestar të forcave të policisë që janë përfshirë në operacionet e shpëtimit nga përmbytjet.
Nderim dhe respekt për çdo punëtor të OSHE-së që punon në borë e në shi për të mbajtur funksionale linjat elektrike.
Nderim e respekt për çdo punëtor që punon natë e ditë nëpër rrugët e mbushura me borë, dhera e gurë, për ti bërë ato të kalueshme.
Por kjo nuk mjafton. Nuk mjafton mirënjohja për një sakrificë që bëhet çdo vit, për të njëjtën gjë dhe në të njëjtin vend.
Që lumenjtë të mos na përmbytin sa herë bie shi, duhet të punojmë për të ndërtuar argjinatura edhe më të larta. Të pastrojmë kanalet e vjetra e të ndërtojmë të reja.
Që të mos i ngrejmë për së dyti shtyllat, duhet të mësojmë ti ngulim më thellë dhe më me shumë beton, jo sa për ti “ngecuar” në këmbë.
Që rrugët të mos na bllokohen pas çdo rrëkeje shiu, duhet ti ndërtojmë më të sigurta, me standarde më të larta kundër rrëshqitjes së dherave dhe kundër ngricave.
Moti ka ndryshuar, duhet të ndryshojmë edhe ne.
Nuk ia dalim dot të rrëmbejmë lopatat kur na vjen uji në shtëpi.