Kryeministri Edi Rama përgjatë një deklarate për mediat foli specifikisht për masat që janë ndërmarrë nga qeveria për të ndaluar përhapjen e koronavirusit në vend.
Kreu i qeverisë iu përgjigj publikisht disa pyetjeve që kanë ngritur qytetarët mbi COVID-19.
Një prej tyre lidhej me faktin, nëse do të mbyllen ushqimoret, furrat e bukës dhe farmacitë.
Kryeministri u përgjigj se për blerjen e ushqimeve dhe për blerjen e medikamenteve do të jetë gjithmonë e nevojshme që të lëvizet.
“Ushqimoret, furrat e bukës, farmacitë do të jenë të hapura, ndërsa dyqanet e lodrave, rrobave, parfumeve do të mbyllen në mënyrë që të mbrohen të gjithë”, tha Rama.
A do të pezullohet ecja në këmbë?
Rama u përgjigj se nuk do të pezullohet, por sipas tij nuk është e këshillueshme që të lëvizet në grup.
Në vijim kryeministri tha: “Koronën do ta marrim masivisht, si një virus gripi. 80% e jona nuk do ta marrë vesh kurrë, e patëm apo nuk e patëm. Është një grip i jashtëzakonshëm, që prek si një grip i zakonshëm. 20% i atyre që do ndjejnë shqetësime është 20% ku duhet të kemi fokusin e vëmendjes kur flasim për këtë virus. 80% e kalojnë në shtëpi virusin, ndërsa pjesa tjetër do kenë nevojë për hospitalizim. Teste duhet të bëjnë personat të cilët hasin simptoma dhe shqetësime”.