Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e biznesmenit Alban Mollaymerit, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO për konfiskimin e 3.4 milion eurove të kapura më 24 qershor 2018 në Durrës, në automjetin tip “Toyota Yaris”, dhe kalimin e tyre shtetit.
Paratë u sekuestruan mbrëmjen e 24 qershorit 2018 të fshehura në dy makina tip “Toyota Yaris” në portin e Durrësit. Makinat u gjetën në një karoatrec në tragetin që vinte nga Bari në Durrës. Itenerari i makinave ka qenë Belgjikë-Gjermani-Itali-Shqipëri.
Menjëherë në vendngjarje policia arrestoi pronarin e kompanisë së transportit Edi Lika, Klevis Lika, djalin e pronarit të kompanisë, dhe shoferin e kamionit, Agim Çeku.Një ditë më pas, më 25 qershor, policia arrestoi Alban Mollaymerin, biznesmenin që ka porositur makinat nga Belgjika.
Policia shpalli në kërkim dy vëllezërit Elvis dhe Alfred Vladin, që dyshohet se ishin personat që do të merrnin paratë. Megjithatë policia nuk ka treguar informacion të plotë rreth rolit konkret të dy vëllezërve Vladi në këtë çështje.














