Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka folur me tone të larta nga Kuçova duke e cilësuar kryeministrin Edi Rama peng dhe vasal i qarqeve më antishqiptare. Ai hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, se e ka lënë vendin në gjendje të mjerueshme. Meta e cilësoi kreun e qeverisë si një kloun të papërgjegjshëm, që po u pi gjakun shqiptarëve. Teksa foli për situatën ekonomike e sociale në vend, Meta akuzoi Rilindjen për shpopullimin, varfërinë dhe shkatërrimin e vendit.
“Kujt do t’ia hedhin, se ky gjithmonë shpik fatkeqësi. Do na bie bombë bërthamore, po ne bomba na ka rënë për aq kohë sa të kemi ty të papërgjegjshëm.
Çfarë fatkeqësie më të madhe do ta zërë këtë vend, me një njeri që thotë edhe studentët do ti sjellim nga Bangladeshi. Po pse? Sepse të vazhdosh ti pish gjakun popullit të Shqipërisë. Je peng i vasalëve të qarqeve më antishqiptare. Ke vënë në diskutim shtetin e Kosovës, integritetin e Shqipërisë. E lavdërove vendimin e gjykatës për detin.
Është në panik të madh. Sondazhet i dalin mirë se i bën vetë. Ky të gjej Shqipëria një kloun me të papërgjegjshëm si ty, Italia i mbajti 4 vjet dhe i përzuri, në 10 vjet dhe do ti përzëmë njëherë e përgjithmonë.
Partia e Lirisë është e vendosur për të zbatuar referendumin që populli e ka në Kushtetutë, në mënyrë që të mos dalë më sistemi demokratik jashtë loje dhe bashkë me të të gjithë populli dhe të kapet shteti nga një bandë siç është kapur sot nga sekti i Rilindjes. Mbi 66% e shqiptarëve jetojnë në kufirin e varfërisë, deri në 5 dollarë në ditë. Mësuesit më të keq paguarit sipas statistikave të BE. 4 mijë e 100 euro paga në vit e një mësuesi në Shqipëri, matanë Bunës, nga Ulqini merr 9 mijë e 200 euro, taksat më të larta sesa andej. 7 koncesione të reja janë planifikuar me vlerë 1 mld dollarë, rrugë 6 herë më shtrenjtë 1 km rrugë sesa në Serbi”, tha Meta.