Kryeministri Rama pas takimit që zhvilloi me homologun e tij të Luksemburgut, Xavier Bettel, u ndal në një konferencë për mediat. Ai falenderoi publikisht kryeministrin për mbështetjen e tij dhe të shtetit që përfaqëson sa i takon çështjes së integrimit të Shqipërisë në BE. Në konferencën për shtyp me kryeministrin e Luksemburgut, Rama u shpreh se ai ka qenë mbështetja më e madhe e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për çeljen e negociatave. Kreu i qeverisë shqiptare tha se ai ka qenë avokati i Shqipërisë, në institucionet ku ne nuk kemi pasur zë.
“Është një kënaqësi e veçantë të mirëpres sot me kolegët, kryeministrin e Luksemburgut, mik i çmuar. Mik i çmuar jo sepse fjalët e bukura duhen thënë, pasi kërkon politesa e rastit, por Luksemburgu dhe kryeministri kanë qenë mbështetësit më të zëshëm të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për çeljen e negociatave për anëtarësim.
E falenderova përsëri dhe dua ta falenderoj publikisht për faktin se në të gjitha instancat, kryeministri ka qenë avokat i ynë kur nuk kemi qenë të pranishëm. Më vjen mirë që kjo vizitë përkon me një vit të veçantë të historisë tonë me Luksemburgut, 100 vjet nga njohja që ky shtet i bëri Shqipërisë. Kemi folur për vijimësinë në BE, dhe kemi diskutuar edhe për marrëdhëniet bilaterale”, tha Rama.