Deputeti demokrat Gazmend Bardhi tha sot në Kuvend se është marrë leje për ndërtimin e 37 kateve dhe 5 kateve nëntokë, por kësaj ndërtese i janë shtuar 5 kate pa leje. Ai u shpreh se ka bërë kërkesë në Bashkinë e Tiranës për këtë rast, dhe i kanë thënë se kërkesa për shtimin e kateve i është refuzuar ndërtuesit, pasi bie ndesh me nenin 17 të VKM 408. Sipas Bardhit, Rama ka ndryshuar ligjin për interesa të këtij oligarku. Bardhi shtoi më tej se me firmë të ministres Belinda Balluku dhe zv. kryeministrit Arben Ahmetaj, Rama ka ndryshuar nenin 17 të VKM.
“Drejtësia e ka marrë emrin e re, por në sjellje vijon të jetë e vjetër. Në 5 vite, sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, 3304 qytetarë janë dënuar për ndërtim të paligjshëm. Asnjë prej tyre nuk ka bërë si ndërtim të paligjshëm gradacela e biznese, kanë rregulluar çatitë e shtëpive të rrënuara, dhomën e gjumit ose murin rrethues.
Pavarësisht se kanë qenë në majë të malit, nuk i kanë shërbyer syrit të institucioneve, u ka shkuar IKMT, policia, prokuroria. Ata mund të ndërtojnë pa leje ngjitur me zyrën e kryeministrit, përballë sallës së Kuvendit, përballë derës së zyrës së prokurorit të Përgjithshëm, në lagjen ku banon drejtori i Policisë së Shtetit. Janë të qetë se të gjithë këta e dinë se do ulin kokën përpara ndërtimeve që bëjnë të paprekshme. Kjo është drejtësi më e vjetruar se drejtësia e vjetër, kjo nuk është drejtësia që siguron barazi para ligjit.
A mund të më thoni pse është ndryshe ndërtuesi i këtij gradaçele? Nuk ndajnë pjesë e oborrit të Kryeministrisë, nuk ndajnë para, nuk kanë mbrojtjen e kryeministrit. Nëse je pjesë e oborrit, nëse ke mbrojtjen e tij, drejtësia e re ul kokën, mbyll sytë dhe nuk shikon.
Nëse je pjesë e oborrit të kryeministrit, mund të ndërtosh jo një mur, por 5 kate në mes të Tiranës me vlerë 30 mln euro dhe të gjitha institucionet ulin kokën. Të gjithë janë në garë kush ti shërbejë më parë për të fshehur ligjin.
Të jem i qartë, nuk bëhet fjalë vetëm për këtë ndërtim, ky është 1 nga 10 rastet e gradaçelave ku kanë mbirë kate pa leje. Këta rast e kam te dokumentuar me dokumente. Rama i ka dhënë statusin e paprekshëm, por vë shtetin për të mbuluar paligjshmërinë.
Merr leje për 37 kate dhe 5 kate nëntokë dhe ndërton 42 kate mbi tokë dhe 5 nëntokë. Pasi i ndërton pa leje, ligji nuk vepron. Rama ndryshon ligjin për interesa të këtij oligarku. Agjencia e Zhvillimit të Territorit, për këtë ndërtim Rama ka firmosur dy vendime, miratimin e lejes së zhvillimit për 37 kate dhe e dyta për lejimin e shtimit të disa kateve.
Rama urdhëron Veliajn të miratoj lejen e ndërtimit për shtesë të disa kateve, dy muaj pasi e kisha vënë në dijeni kryetarin e Bashkisë dhe kryeministrin, Veliaj bën sikur nuk kupton por më informon se nuk e ka miratuar kërkesën.
Katet shtesë pa leje janë bërë fakt i kryer, Veliaj që shet çdo gjë, më referon të pyes të IKMT se sipas tij, inspektimi është kompetencë e tyre. Sipas informacionit të Bashkisë, i referohet lejes, është bërë për arsye se ndryshimi i projektit të propozuar, kërkesa për shtim katesh, nuk është në përputhje, ndalohet nga neni 17 i VKM 408. Ç’a bën Rama? Vendos shtetin në shërbim të paligjshmërisë. 10 ditët pasi Bashkia refuzon të miratojë lejen e ndërtimit për shtimin e kateve, se bie ndesh me nenin 17, Rama me firmë të Ballukut dhe Ahmetaj miratoni vendimin 457 të Këshillit dhe ndryshon nenin 17 të VKM. Kur ndërtojnë të paprekshmit Rama ul kokën, policia ul kokën, prokurori ul kokën. Ndryshon ligjin për ta bërë një ndërtim të paligjshëm, të ligjshëm”, tha Bardhi.
Në përgjigje të akuzave të deputetit demokrat, Gazment Bardhi, Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi i ka bërë thirrje që t’i drejtohet Prokurorisë për çdo denoncim. Ndër të tjera nënvizoi se PS-ja nuk bëhet mburojë e askujt që shkel ligjin.
“Në radhë të parë, çdo denoncim, jo vetëm i zotit Bardhi, por edhe i çdo qytetari apo parlamentari, është i mirëpritur. Askush nuk e ndalon Prokurorinë të hetojë dhe gjykatën të dënojë, për çdo njeriu që shkel ligjin në Shqipëri. Dhe mbi të gjitha, askujt PS nuk i është bërë mburojë dhe nuk do t’i bëhet mburojë. Reforma është marrë me seriozitet që ditën e parë nga mazhoranca jonë, e mbështetur nga partnerët tanë, por e refuzuar nga eksponentë të opozitës. Besoj se Reforma në Drejtësi, ndoshta më e madhja, duhet parë si një mozaik, të cilit duhet t’i largohesh pak për të parë efektet. Besoj se në një bilanc 5-vjeçar, unë mendoj që është nga reformat me rezultate më të jashtëzakonshme për shoqërinë shqiptare”, tha ministri.