Anëtarët e LSI-së kanë konfirmuar prezencën në protestën e 7 korrikut të thirrur nga kryetari i PD-së, Sali Berisha. Këtë e pohoi kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, në një konferencë për mediat. Ajo tha se kushdo që beson se vendi po vidhet nga kryeministri Edi Rama, ka arsye për të protestuar më 7 korrik.
“Sigurisht që LSI-ja është e ftuar për në protestën e 7 korrikut. LSI-ja dhe qytetarët e saj kanë marrë pjesë në çdo protestë, edhe nga ato të bëra nga shoqëria civile.
Kush mendon që shqiptarët vidhen nga ‘hajduti i gjatë’ Edi Rama, që paguan çdo ditë inceneratorët nga 80 mijë dollarë edhe pse pronarët janë në kërkim”, tha Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, foli për aksionin opozitar, që sipas saj do të nisë më 25 korrik, vetëm një ditë pasi Ilir Meta të dorëzojë detyrën si President i Republikës.
“Marrëdhënia ime me Metën i ka kaluar 30 vjet. Nuk është garë e madhe me nesh për këtë çështje. Historia e LSI-së do të vazhdojë. Unë ndjehem fajtore për shkak të djegies së mandateve, sepse sa më shumë hetojmë dosjen e inceneratorëve, aq më shumë kuptojmë që janë edhe shumë para të paguara nga PD-ja e Lulzim Bashës.
Kuptoj se si kompanitë e inceneratorëve, por edhe ato koncensionare, kanë qenë sponsorizuesit kryesor të të gjithë aksionit opozitar për ta dështuar gjithë aksionin në funksion të qytetarëve shqiptarë. Vizionin që kishte Meta për këto veprime të gabuara dhe vdekjeprurëse të opozitës, më bëjnë mua përgjegjëse për të vazhduar këtë skemë të inceneratorëve, që sot nga skema e inceneratorëve kemi dalë te skema e pastrimit të parave, që largojnë bizneset e ndershme.
Çështja e 25 korrikut do jetë një nga datat e shumta që ka LSI-ja për t’u bashkuar dhe për të krijuar një opozitarizëm, për të kthyer normalitetin, llogaridhënien. Nuk mund të thuash që funksionon llogaridhënia, sistemi i drejtësisë, institucioni, shteti, ndaj dhe 25 korriku do të jetë një etapë e re që formalizon gjithë skenën politike, jo vetëm atë opozitarë, që do të përfshirë botën akademike, emigrantë, të rinj e të reja. Çështja e integrimit evropian të Shqipërisë është çështje jetësore për ne, sepse është e vetmja mënyrë për të ndaluar atë çfarë ndodh në Ukrainë sot, mund të jetë nesër në Shqipëri”, tha Kryemadhi