Blutë e Tiranës kanë sekuestruar mbi 100 kamera sigurie nga zona e “Don Boskos”, ku u vra me armë zjarri Erion (Adriatik) Çela, dhe u plagosën katër persona të tjerë. Kamerat e sigurisë po kqyren nga policia, me qëllim zbardhjen e itinerarit nga ka lëvizur makina e autorëve para dhe pas krimit.
Bëhet me dije se po kontrollohen edhe serviset e varrezat e makinave, pasi ka dyshime që makina e krimit të jetë çuar për pjesë këmbimi. Burime ende jo zyrtare njoftojnë se policia ka ushtruar kontroll në banesën e të plagosurit Edmond Crroj, që është daja i viktimës, si dhe i ka sekuestruar atij telefonat, për shkak të problemeve që ai ka pasur në Itali.
Shënjestër e këtij atentati mafioz mendohet të ketë qenë Blerim Çela, 28-vjeç, por viktimë e breshërisë së plumbave të kallashnikovit ka mbetur vëllai i tij, 35-vjeçari Erion Çela nga Dibra, i njohur edhe me emrin Adriatik Çela, si edhe 4 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
35-vjeçari ishte pronar i një tabakino (dyqan cigaresh) që e kishte hapur vetëm 6 muaj më parë. Nga sa mësohet, ai ulej gjithmonë në tavolinën afër xhamit, në mënyrë që të kishte mundësi për të parë nga dyqani i i tij. Shënjestra mendohet se ka qenë Blerim Çela, 28-vjeç, por nuk ka të dhëna mbi të shkuarën e tij që mund të ndihmonin edhe në zbardhjen e motiveve të kësaj ngjarje të rëndë.
Nga ana tjetër, i plagosur ka mbetur edhe Edmond Crroj 41 vjeç, daja i viktimës, një person me precedent penal për “trafik droge” në Itali. Mes të plagosurve është edhe një 19-vjeçar, Azbi Selimaj, i cili ishte kamarier, por që në momentin e atentatit ka qenë i ulur në tavolinë me viktimën.