E enjte, 20 Janar, 2022
-3.5 C
Tirana

“Ndrangheta”, kumbari i krimit të organizuar shqiptar

Nga: Pëllumb Nako

Mjafton të lexosh lajmet, të cilat flasin për importin e kokainës nga trafikantët e drogës së vendit tonë dhe aty mund të mësosh jo pak gjëra se çfarë po ndodh me krimin e organizuar shqiptar.

Madje edhe të krijosh një perceptim real të efikasitetit të organeve tona kompetente antikrim.

Më konkretisht: Në 17 maj 2021, në media njoftohet se në Kosovë janë sekuestruar 400 kg drogë e tipit kokainë dhe itinerari i mbërritjes ishte Gioa Tauro, Kalabri, Itali -Durrës-Kosovë.

Vetëm disa muaj më parë, në prill të të njëjtit vit, në Durrës, sekuestrohet një sasi droge e tipit kokainë prej 143 kg. Kontejneri ku u gjet malli, kishte kaluar tranzit në Gioa Tauro Kalabri, Itali.

Një njoftim tjetër i para një viti thoshte se në Gioa Tauro, Policia italiane kishte sekuestruar 43 kg kokainë me destinacion Durrësin.

Së fundmi, ende pa kaluar mirë koha e ndërrimit të vitit 2021 në 2022, një ngarkesë tjetër me kokainë prej 119 kg do të sekuestrohej nga ana e policisë sonë. Ajo vinte me një kontejner, i cili kishte tranzituar në Gioa Tauro, ndërkohë në vendin tonë ka filluar një debat i ashpër se përse Policia u njoftua me vonesë apo se një sasi kokaine qenkësh vjedhur.

Por ajo që duket qartë, tregon se porti kalabrez Gioa Tauro mbetet një pikë e rëndësishme tranziti për mbërritjen e kokainës në vendin tonë. Madje, edhe nëpërmjet vendit tonë, në vendet fqinje si Mali i Zi ku vite më parë po ashtu është sekuestruar një sasi prej 250 kg kokainë, tranzituar fillimisht në Gioa Tauro, Durrës e më pas në vendin fqinj.

Ndërkohë, t’i largohemi pak aktualitetit dhe të shohim se si në librin e tyre, “Historia sekrete e Ndraghetës”, Nikola Grateri dhe Antonio Nikazo shkruajnë: “Për gjithçka që mendohet të bëhet në Gioa Tauro, më parë të gjithë do të kalojnë dhe pa përjashtim te vëllezërit Piromali”, thotë një i pandehur gjatë hetimeve të antimafias.

Vëllezërit Piromali janë në krye të “Ndrinës” (familjes mafioze kalabreze), që kontrollon rajonin Gioa Tauro ku operon edhe porti me të njëjtin emër. Kjo do të thotë se kokaina e tranzituar në portin e mësipërm nuk kalon dot pa lejen e ndrinës Piromali. Gjithmonë sipas librit, një nga eksponentët e ndrinës, gjatë një përgjimi telefonik i ka thënë një politikani në Milano: “Portin e Gioa Tauro e kemi ne”. Sigurisht, autoritetet italiane të sigurisë në këtë port kanë kontroll të fortë pasi kanë sekuestruar mijëra tonelata kokainë, por përsëri aty nuk është shmangur tërësisht tranziti i saj, sepse porti mbetet nën kontroll edhe të “Ndraghetës”.

Përse tranzitojnë mallin pikërisht në këtë port trafikantët shqiptarë të kokainës? Kanë garanci më shumë? Partneritet me organizatën apo grupet kriminale shqiptare u kthejnë “nderin” me ndonjë “nder” tjetër ndraghetistëve? Pa paragjykuar hetimet si dhe përgjegjësitë e personave që janë arrestuar në vendin tonë për kokainën e tranzituar nga Gioa Tauro, vështirë të besohet se me profilin që kanë, të jenë aq të fuqishëm sa të vendosin kontakte të tilla në Gioa Tauro për të garantuar tranzitin e drogës. Duket se ende hetimet e organeve tona të drejtësisë janë për fat të keq sipërfaqësore.

Më tej, në libër thuhet: “Familjet mafioze kalabreze, që konsideroheshin si ‘nënprodukte’ gjatë deponimeve të mafiozëve të Cosa Nostra, vendosën të dërgojnë emisarët e tyre në Kolumbi, Bolivi, Peru, prodhuesit më të mëdhenj të bimës, nga gjethja e së cilës nxirren alkaloidët kryesore për fabrikimin e kokainës”.

Në citimin e mësipërm duket qartë strategjia e një organizate kriminale në rritje, e cila nuk mjaftohet më duke e marrë mallin në dorë të dytë, por në burim, te prodhuesit, gjë që kërkon fuqi ekonomike, organizative si dhe kontakte mjaft të fuqishme.

E njëjta gjë është vënë re edhe me grupet kriminale të vendit tonë. Në disa vende të Amerikës Latine kemi tashmë shtetas shqiptarë të arrestuar nga autoritetet e këtyre vendeve për trafik droge si dhe të tjerë, viktima të rëna në pazaret e ndryshme të kokainës. Njëlloj si Ndragheta, kontaktohen direkt prodhuesit dhe nga portet e këtyre vendeve garantohet nisja e mallit.

Një nga rrugët e këtij ndërkombëtarizimi të aktivitetit kriminal të grupeve kriminale shqiptare, përshkruhet si më poshtë në libër:

“A është e mundur që ‘Ndragheta’ t’i ketë në të ardhmen duart gjithmonë e më pak të pista? Në vitet e fundit, hetuesit kanë venë re se ka një protagonizëm më të madh të bandave shqiptare në fushën e trafikimit ndërkombëtar të drogës dhe mësohet se është pikërisht ‘Ndragheta’, ajo që i ka ndërmjetësuar me partnerët e saj kolumbianë, bolivianë etj”.

Duket qartë që ‘Ndragheta’ ka marrë përsipër të jetë ndrikulla e grupeve kriminale shqiptare, duke u bërë për ta garante në ndërmjetësimin me krimin e organizuar të kultivimit të kokainës matanë oqeanit. Ky hap shënon ngritje të konsiderueshme të bandave kriminale shqiptare në hierarkinë kriminale ndërkombëtare.

Në të njëjtin libër, dy autorët e mësipërm thonë: “Nëpërmjet politikës, ‘Ndragheta’ përpiqet t’i japë legjitimitet pushtetit mafioz. Dhe për ta bërë këtë gjë, e ndjen se nuk duhet të delegojë më, për gjithmonë e për gjithçka, por ka nevojë të ketë njerëzit e saj në entet lokale në Romë dhe në Bruksel”.

A nuk erdhën disa prej këtyre edhe në Tiranë?

Nga hetimet e deritanishme të organeve tona, nga dënimet e dhëna dhe nga konsideratat e nxjerra në librin e cituar më sipër që për burim direkt ka hetimet e antimafias italiane, del pastër se sa larg shënjestrës është goditja e dhëna grupeve kriminale shqiptare në trafikun e kokainës. Të mos harrojmë se njëri nga autorët e librit është aktualisht prokuror i Katanxaros në Kalabri.

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Basha i përgjigjet Metës pas takimit me Ballën

Kryedemokrati Basha ka dhënë garanci se PD nuk do t’i iki asnjë beteje, përfshirë edhe zgjedhjet vendore. Qëndrimi i tij pason pas deklaratës për...

Krijohet sistemi që “parashikon” pacientët më të rrezikuar me Covid-19

Shkencëtarët në Gjermani kanë zhvilluar një sistem të ri të inteligjencës artificiale, i cili analizon proteinat në një mostër të vetme gjaku te një...

PD po shkon drejt ndarjes?

Nga: Artur Ajazi Mendimi për një ndarje të mundshme të PD-së, po shprehet dhe promovohet hapur ditët e fundit në çdo ambient mediatik. Në dukje...

Në kërkim të racës Ariane: Misioni i bujshëm i nazistëve në pyjet e Amazonës

Nga: Pietro Emanueli Nazistët kishin një koncept racist mbi botën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, brenda së cilës Gjermania ishte qendra e gjithçkaje, dhe ishte mbi të...

Bardhi: Asnjë habi nga trekëndëshi i Bermudës.Reagon Blushi: Ç’na polli belaja!

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar sa i takon qëndrimit publik të presidentit Meta, pas diskutimit për datën e zgjedhjeve të...