Nga: Ergys Mërtiri
Si në çdo konflikt, situata në PD shfaq një realitet bipolar që përjashton çdo opsion të tretë përveç palëve që ndeshen. Ata që nuk përfshihen me asnjërin mund të jenë shumicë, por konflikti i nxjerr jashtë vëmendjes dhe zërat e tyre nuk dëgjohen. Në kushte të tilla, opsionet në lojë janë vetëm palët që kanë rrokur armët, ndaj edhe zgjidhja mbetet në këtë dialektikë. Megjithatë, përveç luftës së brendshme, opozita ka përpara një finale kundër qeverisë, ndaj edhe pyetja thelbësore, prej së cilës duhet parë edhe konflikti i brendshëm është: kush prej tyre ka gjasa të fitojë kundër Ramës?
Z. Berisha dhe përkrahësit e tij kërkojnë të legjitimojnë veten duke u kapur pas idesë se kryetari Basha nuk mund të fitojë kurrë. Ata thonë se ai është një humbës serial dhe, aq më tepër tani që sulmoi Berishën, ai do ta reduktojë PD-në në një patericë të pushtetit, në një OJQ apo aneks të SOROS-it. Sigurisht, ata përjashtojnë këtu përgjegjësitë e z. Berisha në humbjet e këtyre 8 viteve dhe përpiqen të mos e konsiderojnë rolin dhe efektin e pranisë së tij në politikë.
Në realitet, është e qartë se Partia Demokratike ka pasur një problem serioz në lidhje me drejtimin e saj gjatë këtyre 8 viteve. Ajo ka qenë një parti me dy timonë, ku lideri historik ka imponuar axhendën e tij personale dhe ka ushtruar presion mbi liderin në detyrë. Kjo ka sjellë dublimin e rolit udhëheqës, dobësim të autoritetit të lidershipit, paqëndrueshmëri strategjike dhe një imazh të keq të opozitës në elektorat.
Nga ana tjetër, prania e z. Berisha i ka dhënë Edi Ramës të vetmen alibi për të legjitimuar kërkesën e tij për një mandat të tretë. Ai e përdori këtë për të motivuar votuesit e lëkundur të së majtës të dalin masivisht në votime, me kërcënimin se abstenimi i tyre do sillte në pushtet “gogolin” historik: Berishën. Por gjithashtu, kjo situatë ka bërë që opozita të mos fitojë përkrahjen e faktorit ndërkombëtar, i cili duket qartë se nuk ka qenë i predispozuar të mbështesë një rrotacion që risjell në pushtet Metën dhe Berishën e për këtë arsye ka heshtur ndaj abuzimeve të qeverisë në zgjedhje.
Në këto kushte, Lulzim Basha është detyruar të bëjë opozitë me gjyle nëpër këmbë: Metën dhe Berishën, si dhe enturazhin e tyre politik të konsumuar, të cilët kanë ushtruar presion të vazhdueshëm gjatë gjithë këtyre viteve. Në këmbim të nevojës për të mospërçarë partinë, Basha ka paguar faturën duke tërhequr zvarrë një opozitë të dobët e të pareformuar, me aktorë politikë të ezauruar e pa peshë elektorale, por me fuqi të konsiderueshme përçarëse. E megjithatë, ai arriti të krijojë njëfarë fryme në zgjedhje dhe do t’ia kish dalë të fitojë nëse qeveria nuk do të kish sakatuar procesin zgjedhor me ndryshimin e njëanshëm të Kushtetutës, blerjen e votave, punësimet masive para zgjedhjeve, përdorimin e parave të tërmetit, si dhe një ushtri patronazhistësh, punonjësish administrate, e deri tek elementë nga krimi i organizuar që kërcënuan e mikluan votuesit për të qenë në anën e tyre.
Gjithsesi, në vija të përgjithshme mund të themi se gjithçka që kjo opozitë ka arritur deri tani është sukses apo dështim i të dyve: Bashës dhe Berishës. Tashmë që ky dualitet mbaroi, e ardhmja duhet projektuar mbi avantazhet dhe disavantazhet e secilit më vete.
SHANSET E BERISHËS
Sado që në pamje të parë Berisha duket sikur gëzon mbështetje te pjesa më e zhurmshme e demokratëve, ky është një avantazh i pamjaftueshëm.
Për të ndërtuar një opozitë fituese, nuk mjafton të zgjosh euforinë te militantët më fanatikë, por kërkohet që organizata të hapet jashtë partisë drejt shtresave të gjera të popullsisë. A mund të mendojmë dot se Berisha, aq më tepër në kushtet ku ndodhet sot, me gjuhën linçuese, teoritë e konspiracionit dhe barrën e non gratas mbi shpinë, arrin të marrë vota gri?
Jeta e gjatë në politikë dhe karakteri i tij konfliktual e kanë konsumuar shumë z. Berisha. Ai sot përkrahet vetëm nga një grusht mbështetësish fanatikë që e duan aq fort sa ç’e urren pjesa tjetër. Në këto kushte, ai nuk mund të bëjë dot kurrë një maxhorancë. Rezultati i zgjedhjeve të 2013-s, ku PD-ja, megjithëse në pushtet, humbi Shkodrën dhe Kavajën, tregon se ora e doktorit ka mbaruar me kohë. Shtoji kësaj edhe konsumimin e këtyre 8 viteve dhe sidomos perceptimin e krijuar se ai nuk ikën edhe pasi jep dorëheqjen, kuotat e tij janë më keq se kurrë.
Nga ana tjetër, figurat politike që ai mbledh rreth vetes përbëjnë kategorinë më të konsumuar e më të padëshiruar nga e djathta, çfarë e shton pakënaqësinë dhe mosbesimin. I detyruar të mbesë në rrethin e njerëzve që e mbështesin, Berisha do ta ketë të pamundur të krijojë një parti me fytyrë të re, figura të reja, imazh të ri, ide dhe narracion të pranueshëm. PD-ja e tij do jetë pashmangshmërisht një model i stanjacionit dhe kokëfortësisë politike, i kalçifikuar në të kaluarën e vet tashmë të tejkaluar dhe ezauruar plotësisht. Z. Berisha nuk mund të prodhojë gjë tjetër vetëm se një PD të strukur në guaskën e saj, pa asnjë fuqi për të ngjallur besim dhe entuziazëm tek elektorati i gjerë. Por, edhe sikur PD-ja e tij të jetë më e mira e mundshme (brenda kushteve të sotme), ajo nuk do të vinte dot kurrë në pushtet duke pasur një lider non grata, i kërcënuar nga SHBA-të me izolim ndërkombëtar.
Duket që edhe ai vetë e di që nuk ka asnjë shans për të ardhur në pushtet. Gjuha që ai po përdor i përgjigjet një situate rezistence dhe nuk projekton një opozitë fituese. E mbushur me sulme personale, demaskime e akuza agresive pa limit, e pasuruar me fjalor teorish konspirative të fiksuara pas psikozës së një komploti ndërkombëtar kundër tij, tregon se PD-ja do të ketë për qëllim mbrojtjen e doktorit, jo rrëzimin e Ramës. Vetë aksioni opozitar që ai premton se do ndërmarrë sapo të rikthehet në krye të partisë, është politikë rruge, e cila bëhet gjithmonë për mbijetesë, jo për të ardhur në pushtet. Kjo opozitë nuk paraqitet si një alternativë qeverisëse, por si garnizon ushtarak që të vetmen armë ka kërcënimin e stabilitetit politik si shantazh ndaj ndërkombëtarëve.
SHANSET E BASHËS
Nga ana tjetër, Basha ka tashmë një mori vështirësish dhe problemesh të mbivendosura prej 8 vitesh. Ai ka një pati të përçarë, të demoralizuar nga humbjet, të sulmuar nga të gjithë faktorët, brenda dhe jashtë saj, çfarë ka sjellë, ndër të tjera, një konsumim të vetë kryetarit. Në rastin e një fitoreje të tij përballë Berishës (që duket se do jetë skenari më i mundshëm) sfida e tij do të jetë shumë e vështirë, për të zbutur dëshpërimin dhe agresivitetin e krijuar gjatë kësaj përballjeje, por edhe për t’u shkëputur nga modeli politik i këtyre 8 viteve.
Megjithatë, ai ka në favor kohën. Duke pasur një rrugë të gjatë deri në zgjedhje, nëse ai do të dijë të krijojë një frymë të re opozitare, të krijojë ekipe pune seriozë si dhe të arrijë suksese të rëndësishme në betejat institucionale, ai mund ta rikthejë besimin e humbur te shumë prej atyre që sot e urrejnë. Duhet thënë se para katër viteve ai ka qenë në një situatë të ngjashme pakënaqësie të thellë dhe ia doli deri diku ta meremetojë imazhin e vet në zgjedhje.
Përtej pasojave të konfliktit, Basha ka një problem të madh afatgjatë me partinë, të ardhur nga klima që ka kultivuar berishizmi ndër vite. Ai është midis dy zjarresh: Nga njëra anë atij i duhet të fitojë elektorat gri, nga ana tjetër të krijojë besim te militantët, të cilët kanë pritshmëri krejt të tjera, madje të kundërta, me pjesën tjetër të shoqërisë. Për të qenë i pëlqyer jashtë rretheve partiake, atij i duhet të bëjë politikë institucionale e të shfaqet si një lider modern, institucional, racional, me teza dhe artikulim që u përgjigjen nevojave të gjera të shoqërisë. Për të fituar zemrat e militantëve, atij i duhet të jetë ekstremist, agresiv e luftarak, me një gjuhë denoncimesh, akuzash e sulmesh agresive që kënaqin epshin e tyre revanshist.
Do të duhet shumë punë, për të prodhuar fitore institucionale dhe për t’i bindur demokratët mbi vlerën reale të tyre, përballë perceptimit se opozitë e fortë është vetëm ajo e bojkotit, molotovëve dhe gangsterizmit revolucionar. Alternativa populiste e artikuluar nga foltorja, se Rama bie me protesta masive, është një instrument që do ta vërë atë në presion të vazhdueshëm, siç ka bërë gjatë këtyre 8 vjetëve, duke mbajtur ndezur brenda partisë pakënaqësinë ndaj lidershipit.
Një ndër faktorët që mund ta avantazhojë z. Basha në rrugën e tij politike është përkrahja ndërkombëtare. Opozitës i duhet doemos të përfshihet në një betejë institucionale për të arritur një sërë kërkesash të rëndësishme, përfshi këtu edhe ndryshime kushtetuese, të cilat nuk mund të bëhen pa përkrahjen e aktorëve ndërkombëtarë. Nëse vullneti i tyre është të përkrahin ndryshimet që garantojnë rregulla loje të barabarta, kjo do të jetë një fitore që, përveç efekteve të drejtpërdrejta institucionale, do të mund të krijojë edhe idenë e një opozite të suksesshme dhe efektive.
Në fund, suksesi i opozitës do të varet nga sa ajo do të jetë e aftë të prodhojë frymë, ekip, fabul, e narrativë të re, si dhe sa do të jetë e aftë të ofrojë një platformë qeverisëse për t’u perceptuar si një alternativë që ia vlen. Fabula duket se është krijuar tashmë: Opozita mund të projektohet si iniciatore e transformimeve që godasin, jo vetëm qeverinë, por gjithë sistemin politik e financiar, që ka prodhuar kapjen e shtetit gjatë këtij tranzicioni. Mbetet që kjo të materializohet në një aksion politik serioz e këmbëngulës. Opozita e ka tashmë një shans dhe është në dorën e saj nëse do të dijë ta shfrytëzojë.