Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur deputetit të PD-së, Ferdinand Xhaferajt, në lidhje me procesin e rindërtimit në Durrës. Pavarësisht faktit se deputeti demokrat Ferdinand Xhaferraj kishte thirrur një interpelancë me zv/kryeministrin Arben Ahmetaj, përgjigjet i mori nga kryeministri Edi Rama, në lidhje me dëmet nga tërmeti i 26 nëntorit dhe procesin e rindërtimit. Kreu i qeverisë tha nga foltorja e Kuvendit, se deri në datën 26 nëntor, numri i familjeve që do të futen në shtëpi të re do të vazhdojë të rritet.
“Ju përmirësoni cilësinë e diellit, nuk merremi me ju. Me siguri keni qenë i zënë me pasionin tuaj për të përmirësuar cilësinë e diellit, dhe se keni vënë re se mes angazhimeve tona për të adresuar pasojat e tërmetit dhe afateve të vendosur, ka ndodhur diçka që ka tronditur gjithë botën; pandemia. Ju kujtoj se kanë qenë muaj të tërë në të cilën kantierët janë bllokuar, edhe afatet do të shtyheshin. Ajo që më shqetëson më shumë nuk është ky aspekt, mbi çfarë baze i ngrini këta akuza dhe flisni për babëzi. Keni ndonjë shifër. Shkollat kanë standarde, kanë kritere, shkollat kanë preventiva, janë të zhvilluara si proces ndërtimi me gara.
Garat kanë dosje dhe mbi gjithë këto fakte, mund të bëhen edhe hulumtime dhe pastaj mund të nxirren konkluzione profesionale jo si mjek popullor, apo si akrobat popullor cirku. Siç ju tha dhe zv.kryeministri, shkollat janë aty krah për krah me shkollat që keni ndërtuar ju, dhe kontrasti është si e sotmja me mesjetën kur vjen fjala tek infrastruktura e tyre.
Duhen fakte dhe argumente. Po na thua që qenka fshehur sheshe për të fshehur gjurmët. Të gjitha godinat kanë historikun e tyre, dhe provat i ka prokuroria. Sytë u janë imunizuar prej shumë vitesh nga plehrat e shëmtia.
Ndryshe nuk do të ishit krenare pa kthim për të gjithë masakrën urbane që kemi promovuar si mrekulli të botës. Kur ju qeverisnit, duhet me dalë me duart në hundën që mos të marrësh erë. Këtu nuk kemi se çfarë diskutojmë se kemi një konflikt estetik.
Numri i familjeve që sot gëzojnë shtëpinë është i madh, dhe do të rritet në javën e fundit të këtij muaji. Ju ftoj të bashkoheni në hapjen e dyerve të shtëpive për mijëra familje deri në datën 26 nëntor, që bëhen dy vite nga tërmeti. Asnjë familje që do të kthehet në shtëpi, nuk është sot dhe nuk do të jetë nesër në shtëpinë e re më keq, do jetë më mirë seç ishte. Gjithë ajo krizë është kthyer në një mundësi më të mirë”, tha Rama.