Kreu i PD-së Basha e ka nisur me ironi replikën e tij për kryeministrin Rama. Basha kërkoi që gotën me ujë t’ja lënë të mbushur sepse i thahet fyti, ndërsa e cilësoi si “nona dhe baba e së keqes”.
“Kryeministrit lërjani gotën e ujit të mbushur, që mos e ketë fytin e tharë. Dalka këtu për të përsëritur ato që thashë unë, por të shtrembëruara. Është nona e të keqes dhe baba e të keqes. Shikoni pak të dashur qytetarë se ku e vendos një debat që është për xhepat tuaja”, tha Basha.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama nuk i kurse akuzat ndaj opozitës duke thënë se ata janë mbeturina të komunizmit. Kreu i qeverisë i quajti ndër të tjera demokratët si “mbeturina të Partisë së Punës”.
Kjo deklaratë e Ramës ka sjellë irritimin e opozitës, ku shumë deputetë kanë ngritur zërin dhe nuk kanë munguar as ofendimet. Më tej, Rama nga foltorja e Kuvendit ka akuzuar opozitën se po përsërit të njëjtën gjë prej 8 vitesh, dhe kjo sipas tij, nuk do t’i shpëtojë nga humbja.
Belind Këlliçi: Shko ore idiot! Shko ore, s’të vjen zor.
Rama: Konceptet tuaja janë mbeturina të sistemit të vjetër. Unë nuk ofendoj taksën, ndërkohë që këtu me respekt dëgjojmë të shara para e mbrapa, që nga të sharat për zonjën atje, e rreth e rrotull, po nuk merrem me ju se jeni në një hall që nuk jua zgjidh njeri. Megjithë taksën e karbonit, nafta është sot më lirë se ç’ishte kur ishit ju. A ka mundësi të mbaroj unë? Do e bëjmë marrëveshjen që kur njëri flet, të tjerët dëgjojnë siç ju dëgjojmë ne ju kur flisni edhe pse nuk thoni asgjë. Se ndryshe unë e kam të thjeshtë, iki e ju le këtu të flisni. Por vij për respekt ndaj jush. Kur flasim, dëgjojmë, na pëlqen apo jo.