Pas betimit te presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe ministrat e kabinetit të ri qeveritar vendosën të ecnin në këmbë përgjatë Bulevardit Dëshmorët e Kombit, dhe më pas iu drejtuan Kryeministrisë. Menjëherë pas fotos zyrtare, kabineti i ri qeveritar u fut në Kryeministri, ku do të mbahet edhe mbledhja e parë e qeverisë.
Qeveria “Rama 3” u miratua me 77 vota pro në Kuvend mëngjesin e djeshëm, pas një seance maratonë diskutimesh, ku u prezantua programi i ri qeverisës për katër vitet e ardhshme. Pesë shtyllat kryesore të programit të PS janë: 1. Rimëkëmbje e ekonomisë nga tërmeti dhe pandemia; 2. Mirëqenie për të gjithë, që do të përkthehet në një ekonomi të zhvilluar që krijon shanse për të gjithë. 3. Modernizim për zhvillim të ekonomisë prodhuese, turizmit, energjisë, bujqësisë, ekonomisë digjitale, transporteve dhe shërbimeve; 4. Familja si themeli ku ndërtojmë të ardhmen; 5. Shqipëri e fortë, me shtet të fortë, vëmendje për çdo shqiptar dhe me dinjitet në botë.