Nga Pëllumb Sulo (VOA)
Familjarë të viktimave dhe të zhdukurve në komunizëm për shkak të bindjeve politike u takuan të mërkuren në Shkodër me përfaqësuesin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, në përpjekje për identifikimin dhe gjetjen e vendvarrimeve të tyre, të fshehura nga regjimi komunist. Luigj Ndou, që përfaqëson Shqipërinë në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, thotë se deri tani nuk ka patur përpjekje të organizuara, që do të çonin në identifikimin e personave të zhdukur. Ndaj, Komisioni po punon për ndërgjegjësimin e publikut dhe përfshirjen e familjarëve të viktimave në këtë proces të rëndësishëm për shoqërinë shqiptare.
Zoti Ndou i tha Zërit të Amerikës se, nga raportimet e familjarëve, janë evidentuar deri tani edhe një numër vendvarrimesh.
“Ka të paktën 27 vendvarrime, ku është përcaktuar qartë lokacioni i vendndodhjes së mundshme, por nuk ka patur asnjë zhvarrin në këto vende. Këto të dhëna janë marrë qoftë nga dëshmitarët, të cilët kanë bërë përpjekje për të gjetur të afërmit e tyre, apo qoftë në bazë të dokumentacionit që është gjetur nëpër arkiva të ndryshme”.
Mes familjarëve të të zhdukurve gjatë periudhës së komunizmit është edhe Ndoc Vat Gjoni nga Pulti i Dukagjinit. Ai thotë se, pas vitit 1991, familja e tij nisi kërkimet për gjetjen e eshtrave të të afërmit të tyre, por pa sukses pasi mungonin dëshmitë dhe të dhënat arkivore.
“Kam djalin e axhës të zhdukun. Është vra në vitin 1952 në përpjekje me forcat e sigurimit në fshatin Kurte. Kemi ba shumë përpjekje për gjetjen e eshtnave të tij dhe nuk i kemi gjetë deri sot. Edhe sot vazhdojmë me u përpjekë”.
Edhe Ndoc Çulaj, me familjen e tij nga Malësia e Madhe, pas vitit 1991 nisi kërkimet për gjetjen e vendvarrimit të 6 familjarëve të pushkatuar gjatë viteve të komunizmit.
“Nga dega e familjes tonë janë pushkatu gjatë regjimit komunist 6 persona, nga të cilët 4 në kufi. 5 i kena gjetë pa ndihmën e shtetit, 1 nuk e kena gjetë dhe nuk dihet vendvarrimi i tij”, tha ai për Zërin e Amerikës.
Megjithëse kanë kaluar 30 vite nga shembje e diktaturës në Shqipëri, ende nuk ka një numër të saktë të personave të zhdukur si dhe një hartë të vendeve ku ata u varrosën në fshehtësi pas ekzekutimit.
“Ajo që ne dime eshtë se, që nga viti 2018, tek Autoriteti i Dosjeve, Instituti ish të Përndjekurve dhe ICMP janë paraqitur diku rreth 880 kërkesa, pra raportime nga familjarët, të cilët i kanë akoma njerëzit e tyre të zhdukur. Bëhet fjalë për të zhdukurit e periudhës së diktaturës”.
Në vititin 2018, Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje me Komisionin Ndërkombetar për Personat e Zhdukur (ICMP) duke siguruar që vendndodhjet e të zhdukurve dhe rrethanat e zhdukjes së tyre të hetohen në mënyrë efektive. Ndërkohë, kur kanë kaluar 30 vite nga rrëzimi i diktarurës, në Shqipëri kanë ndodhur transformime të mëdha të territorit, duke e bërë të vështirë procesin e gjetjes së të zhdukurve.