Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ka reaguar lidhur me operacionin e Prokurorisë së Posaçme për tenderin e uniformave të policisë, që çoi në pranga tetë zyrtarë dhe ish-zyrtarë. Në një postim në rrjetet sociale, Kim shprehet se abuzimi ose manipulimi i proceseve të prokurimit publik, është njësoj si vjedhja.
“Gjë e mirë të shohim më shumë veprime nga SPAK kundër korrupsionit. Abuzimi apo manipulimi i proceseve të prokurimeve publike, është njësoj si të vjedhësh nga të gjithë qytetarët (përfshirë qytetarët amerikanë, taksat e të cilëve kontribuojnë në ndihmën e SHBA-së për Shqipërinë) për të mbushur xhepat e tua apo të “miqve” të tu. Është krim”, shkruan Kim.
Abuzimet me tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit kanë çuar në pranga 8 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, ndërsa një tjetër është lënë në ‘arrest shtëpie’. Me urdhër të SPAK është vënë në pranga ish-drejtoresha e Prokurimeve Publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari, e cila vetëm 8 ditë më parë u shkarkua nga kjo detyrë me urdhër të ministrit Bledi Çuçi. Tenderi me vlerë 2.8 miliardë lekë që do të siguronte uniforma për policinë për 4 vjet i mbyllur në 11 maj 2020, u fitua nga bashkimi i kompanive D&E sh.p.k ndërsa dy firma të tjera që kishin marrë pjesë në garë u skualifikuan. Ato bënë ankesë, por pretendimet e tyre u rrëzuan.