Tashmë e dimë se për të shpjeguar origjinën e Covid-19, nuk është e nevojshme që të kapemi pas teorive të pamundshme për një arratisje të mundshme të patogjenëve nga laboratorët e bio-sigurisë. Për këtë mjafton të analizojmë objektivisht marrëdhëniet gjithnjë e më të paekuilibruara midis njeriut dhe habitateve natyrore. Një studim i ri i botuar në “Nature Food” bën një hap të vogël më tej dhe gjurmon në një seri hartash, “pikat e nxehta” ku mund të shfaqen pandemitë e ardhshme të koronavirusit.
Takime të rrezikshme
Një grup shkencëtarësh në përbërje të të cilit është edhe Maria Ruli dhe Nikolas Gali i Universitetit Politeknik të Milans, Paolo D’Odoriç i Universitetit të Kalifornisë (Shtetet e Bashkuara) dhe Dejvid Hejman i Universitetit Masej (Zelanda e Re), krahasuan të dhënat mbi format më pak të qëndrueshme të shfrytëzimit të tokës nga njerëzit, me ato të shpërndarjes së kafshëve që bartin koronaviruset, për të zbuluar vatrat e nxehta aktuale dhe ato të ardhshme të sëmundjeve të tjera potencialisht shumë ngjitëse.
Covidi në fillim
Teoria më e përhapur mbi origjinën e SARS-CoV-2 thotë se koronavirusi i Covid kaloi tek njerëzit ose tek një specie e ndërmjetme, nga lakuriqët e natës (Rhinolophus affinis): tek ato që gjenden në provincën e Yunnan, në Kinë, në fakt tashmë është izoluar gjenomin më i afërt me virusin e njohur Covid-19, që është koronavirusi RaTG13, i cili ka një profil gjenetik gati 96.2 për qind identik me patogjenin e pandemisë aktuale.
Ndërsa Rhinolophus shpesh sjell koronavirusë, shumë prej tyre ende nuk janë zbuluar, studiuesit menduan të identifikojnë zonat në të cilat probabiliteti i ndërveprimit midis këtyre kafshëve dhe njerëzve është më i lartë, duke analizuar përdorimin e tokës në 10.000 zona të Evropës dhe Azisë. Për ta bërë këtë, ata përdorën të dhëna satelitore me rezolucion të lartë.
Faji ynë
Në fakt, janë aktivitetet njerëzore, dhe jo thjesht prania e lakuriqëve të natës në habitate, ato që përcaktojnë rrezikun e kalimit të viruseve nga kafshët tek njerëzit (përhapjen). Për shembull, zgjerimi i vendbanimeve të njerëzve në zonat që dikur ishin të pyllëzuara rrit mundësitë për kontakt me kafshët që janë bartëse të patogjenëve; shtimi i fermave dhe i fabrikave i jep mundësinë virusit që të përhapet tek një numër i madh kafshë, të cilat kanë një imunitet të dobët dhe që jetojnë në kope në mjedise shumë të pafavorshme; shkatërrimi i pyjeve,çon në zhdukjen e specieve të rralla të kafshëve (d.m.th. ato që kanë habitate ekologjike të kufizuara) dhe e shton përhapjen dhe mundësinë e lëvizjes së kafshëve të zakonshme, që përshtaten më lehtë, siç janë lakuriqët e natës.
Ku duhet parë më shumë?
Duke analizuar dominimin e sjelljeve të dëmshme ndaj habitateve, si shpyllëzimi dhe copëtimi i pyjeve për shkak të zgjerimit të tokës së kultivuar, dendësisë së fermave të bagëtive apo pranisë së vendbanimeve njerëzore në rajone të populluara nga lakuriqët e natës – në një sipërfaqe totale më e madhe se 28.5 milion km2 nga Evropa Perëndimore në Azinë Lindore – ekipi ka përcaktuar pikat ku mund të lindin pandemitë e reja të koronavirusit sot ose në të ardhmen.
Shumica e “pikave të nxehta” aktuale ndodhen në Kinë, ku një kërkesë në rritje për ushqime me origjinë shtazore, ka çuar në zgjerimin e bujqësisë industriale në shkallë të gjerë, dhe ku ka një dendësi të lartë të popullsisë dhe copëzimit të pyjeve me vendbanime njerëzore. Por nëse shihni se si po ndryshon përdorimi i tokës dhe shihni në perspektivë, do të konstatoni se shumë zona jashtë Kinës, të tilla si Japonia dhe Filipinet veriore, janë të prekshme nga copëzimi i pyjeve.
Ose pjesë të Azisë Juglindore, që merren kryesisht me mbarështimin e kafshëve, mund të jenë vendi i kapërcimit të mundshëm në të ardhmen të viruseve nga kafshët tek njeriu. “Shëndeti i njeriut”-kujtojnë shkencëtarët “lidhet me shëndetin e mjedisit por edhe me atë të kafshëve”.
Burimi i lajmit: Focus. Përshtati Tirana Today