Një ditë më parë u raportua se një grua ishte hedhur nga dritarja e autobusit, pasi ishte panikosur kur kishte mësuar se mjeti kishte pësuar defekt. Një autobus me 15 pasagjerë në të kishte pësuar një defekt në Elbasan. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në fshatin Tregan.
Gjatë defektit që pësoi autobusi, një pasagjere e frikësuar ishte hedhur nga dritarja e autobusit, duke marrë plagë të shumta fizike. Burimet nga policia njoftonin po kështu se për shkak të plagëve të shumta, ajo nuk ia kishte dalë dot mbanë, dhe ndërroi jetë. E ndërsa sot policia ka ndryshuar versionin e ngjarjes, duke thënë se shoferi ka kryer manovra të rrezikshme, dhe se pasagjerja është rrëzuar.
Policia e Elbasanit ka arrestuar shoferin e autobusit që u aksidentua mbrëmjen e djeshme. Ata bëjnë të ditur se ishte shoferi, Dritan Pasha, ai i cili bëri manovra të rrezikshme, e që sollën dhe vdekjen e një 47-vjeçareje. Fillimisht u raportua se gruaja u hodh nga autobusi për të shpëtuar, mirëpo policia bën të ditur se ishin manovrat e rrezikshme të shoferit që sollën rrëzimin e pasagjeres nga mjeti.
“D. P., 49 vjeç, banues në Elbasan, pasi në fshatin Tregan, Elbasan, duke drejtuar mjetin autobus ka kryer manovra të rrezikshme dhe për pasojë është rrëzuar nga autobusi pasagjerja shtetasja M. K., 47 vjeçe, banuese në fshatin Jagodinë, Elbasan, e cila për shkak të plagëve të marra ndërroi jetë në spital”, njofton zyrtarisht Policia e Elbasanit.