E mërkurë, 16 Qershor, 2021
16.5 C
Tirana

Gjykata Kushtetuese ‘rrëzon’ Ramën për shkarkimin e kryebashkiakut të PD

Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e qeverisë Rama, për shkarkimin e kreut të Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila në vitin 2019. Duke iu referuar vendimit të gjykatës, është shkelur e drejta e Zef Hilës për t’u njoftuar dhe për t’u dëgjuar. Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar kryebashkiakun e Vaut të Dejës, pas sulmeve të dhunshme në KZAZ nr. 6 në Bushat, ku u dogjën materialet zgjedhore dhe mbetën të plagosur tre efektivë policie.

Ngjarja ndodhi në muajin qershor të vitit 2019. Vetëm pak orë pasi presidenti Ilir Meta dekretoi një datë të dytë për zgjedhjet lokale, nisën tensione të forta në Bushat të Shkodrës, aty ku mbështetës të PD, dogjën shkollën ku ishte vendosur KZAZ nr.6 dhe materialet zgjedhore. Ministri i Brendshëm në atë kohë, Sandër Leshaj ia faturoi Hilës këtë vendim, dhe paralajmëroi shkarkimin e tij.

Një ditë më pas, Rama zyrtarizoi fjalët e Lleshajt dhe shkarkoi Hilën, duke lajmëruar edhe ndjekjen e tij penale. Hila në atë kohë u paraqit në komisariat duke u shprehur se nuk ka pasur dijeni për çfarë do të ndodhte në KZAZ-në e Vaut të Dejës. Ndërkohë, kryeministri Rama në letrën e firmosur për shkarkimin e tij shkruante se kushdo që ndjek shembullin e tij, do të ndiqet penalisht. “Zef Hila, haxhiqamilisti i Vaut të Dejës, jo vetëm u shkarkua po do të ndiqet penalisht, për aktin barbar të djegies së shkollës dhe djegies së materialeve zgjedhore! Kush do ta ndjekë shembullin e tij, do të ketë të njëjtin fat dhe do të përballet me drejtësinë”, shkruan Rama.

VENDIMI I PLOTË:

Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese Për legjitimimin e kërkuesit

Neni 115 i Kushtetutës, në pikat 1 dhe 2, të tij parashikon se organi i zgjedhur drejtpërdrejt i njësisë qeverisëse vendore, mund të shkarkohet nga Këshilli i Ministrave për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve dhe se ai mund të ankohet për këtë shkarkim në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve.

Gjykata është shprehur në jurisprudencën e saj se një gjykim, i cili ka për objekt shkarkimin nga detyra të organeve të qeverisjes vendore, është gjykim në themel i kërkesës. Gjykata Kushtetuese, si organ kontrolli, për të çmuar shkeljen e rëndë të Kushtetutës ose ligjit heton dhe gjykon në themel çështjen, ashtu siç do të vepronte një gjykatë e sistemit gjyqësor të zakonshëm (shih vendimet nr. 15, datë 08.06.2009; nr.22, datë 07.10.2008; nr.39, datë 29.12.2005 të Gjykatës Kushtetuese).

Gjykata konstaton se kërkuesi nuk ka kandiduar për t’u zgjedhur në zgjedhjet e përgjithshme vendore të zhvilluara më 30 qershor 2019 dhe pas zhvillimit të tyre, detyrën e kryetarit të Bashkisë së Vau të Dejës e ka marrë një shtetas tjetër. Në kohën kur Këshilli i Ministrave ka vendosur shkarkimin nga detyra të kërkuesit, mandati i tij si organ i zgjedhur i qeverisjes vendore ishte drejt përfundimit.

Megjithatë, pavarësisht këtyre rrethanave të pranuara edhe nga kërkuesi, ai gjatë seancës plenare ka parashtruar se ka interes në shqyrtimin e ankimit të tij në drejtim të rivendosjes së integritetit, që sipas tij i është cenuar si pasojë e shkarkimit nga detyra në mungesë të kryerjes së shkeljes së rëndë.

Legjislacioni prej vitit 2015 e në vijim ka pësuar ndryshime në drejtim të standardeve të larta të integritetit dhe shkeljet disiplinore konsiderohen si kriter ndalues për zgjedhjen ose emërimin në pozicione të ndryshme publike, prandaj, ai ka interes të ligjshëm t’i drejtohet Gjykatës për të rivendosur integritetin e tij në këtë drejtim dhe për të eliminuar pengesat eventuale në të ardhmen për të mbajtur pozicione publike.

Gjykata, në kontekstin e argumenteve të parashtruara nga kërkuesi për interesin e ligjshëm, sjell në vëmendje edhe raportet që ekzistojnë midis qeverisjes qendrore dhe asaj vendore, duke pohuar se shkarkimi nga detyra ose shpërndarja e organeve të qeverisjes vendore është një masë ndërhyrjeje që ushtrohet mbi këto organe nga qeverisja qendrore, për rrjedhojë procedura dhe kriteret e përcaktuara nga neni 115 i Kushtetutës duhet të zbatohen në funksion të autonomisë vendore.

Për sa më sipër, si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin që subjekti i interesuar nuk ka paraqitur asnjë prapësim mbi interesin e ligjshëm të kërkuesit, Gjykata çmon se kërkuesi legjitimohet në këtë gjykim kushtetues, pasi justifikon interesin e ligjshëm, e ka paraqitur kërkesën brenda afatit 15 – ditor të parashikuar nga neni 115 i Kushtetutës, si dhe në themel ngre pretendime që lidhen me procedurën dhe kriteret e shkarkimit të tij nga detyra.

Për themelin e pretendimeve

Gjykata ka pohuar se gjatë ushtrimit të kontrollit kushtetues të aktit të shkarkimit të organit të qeverisjes vendore, sipas nenit 115 të Kushtetutës, ajo, fillimisht, duhet të vlerësojë nëse organi procedues, Këshilli i Ministrave, i ka respektuar kërkesat kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, dhe, më pas, çmon bazueshmërinë/meritën e aktit të shkarkimit (shih vendimin nr. 29 datë 27.06.2013 të Gjykatës Kushtetuese).

Kërkuesi, krahas pretendimeve kryesore për mosrespektimin e procesit të rregullt ligjor dhe të kritereve të shkarkimit nga detyra, ka pretenduar edhe cenimin e dinjitetit të njeriut, të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, drejtësisë shoqërore, rendit kushtetues, parimeve të ligjshmërisë, shtetit të së drejtës dhe hierarkisë së normave, të drejtës së tubimit dhe organizimit, si dhe lirisë së shprehjes.

Gjykata, duke iu referuar mënyrës se si janë paraqitur këto pretendime, vlerëson se ato shërbejnë si argumente të lidhura ngushtë dhe në funksion të pretendimeve të kërkuesit për procesin e rregullt ligjor dhe për masën e shkarkimit nga detyra, sipas nenit 115 të Kushtetutës. Për rrjedhojë, ndonëse në themel të ankimit kërkuesi ka paraqitur një listë pretendimesh, Gjykata do t’i analizojë ato të grupuara në dy drejtime: (i) për procesin e rregullt ligjor; dhe (ii) për masën e shkarkimit nga detyra.

B.1. Për të drejtën për një proces të rregullt ligjor

Kërkuesi pretendon se vendimi i shkarkimit të tij nga detyra është rezultat i një procesi të parregullt ligjor, pasi janë cenuar e drejta për t’u dëgjuar, standardi i arsyetimit të vendimit të Këshillit të Ministrave dhe e drejta për t’u prezumuar i pafajshëm.

Subjekti i interesuar, duke iu referuar jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, prapëson se për të zgjedhurit vendorë politikë nuk zbatohen garancitë e procesit të rregullt ligjor, të parashikuara nga neni 6 i KEDNJ-së.

Gjykata ka pohuar se kur vihet në lëvizje nga organi i zgjedhur vendor, që ankohet ndaj vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra, ajo kontrollon nëse gjatë procesit disiplinor administrativ është garantuar përpara çdo organi, pavarësisht nga instanca dhe rëndësia e tij, e drejta për një proces të rregullt ligjor (shih vendimet nr.37, datë 25.07.2013; nr. 32, datë 10.07.2013; nr. 29, datë 27.06.2013 të Gjykatës Kushtetuese).

Gjykata është organi i vetëm që shqyrton ankesën e organit të qeverisjes vendore kundër vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin ose shpërndarjen e tij. Ajo e bën këtë shqyrtim si nga pikëpamja e faktit, ashtu dhe nga pikëpamja e interpretimit dhe zbatimit të ligjit material e procedural. Gjykimi i çështjeve të tilla ka për objekt një akt administrativ me karakter individual, kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e të cilit e shqyrton drejtpërdrejt Gjykata Kushtetuese.Në çështje të ngjashme, Gjykata e ka vlerësuar aktin e shkarkimit të organit të zgjedhur të njësisë vendore në këndvështrim të procesit të rregullt ligjor(shih vendimet nr.32, datë 10.07.2013; nr.37 datë 25.07.2013; nr.29, datë 27.06.2013 të Gjykatës Kushtetuese).

Për sa më lart, në kushtet kur neni 115 i Kushtetutës parashikon në mënyrë të shprehur të drejtën e ankimit në Gjykatën Kushtetuese për procedurën e shkarkimit, që sipas jurisprudencës konstante kushtetuese duhet të përmbushë standardet e procesit të rregullt ligjor, Gjykata çmon se pretendimi i Këshillit të Ministrave se të zgjedhurit vendorë politikë nuk përfitojnë nga garancitë e procesit të rregullt ligjor gjatë procedurës së shkarkimit nga detyra, nuk qëndron.

Në vijim, Gjykata do të analizojë aspektet e procesit ligjor të zhvilluar ndaj kërkuesit, sipas pretendimeve të ngritura prej tij.

B.1.1. Për të drejtën për t’u njoftuar dhe për t’u dëgjuar

Kërkuesi ka parashtruar se i është cenuar e drejta për t’u dëgjuar, për arsye se Këshilli i Ministrave nuk ka bërë asnjë përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjen dhe nuk i ka kërkuar informacion ose sqarim kërkuesit lidhur me shkeljet e pretenduara. Atij nuk i është dhënë mundësia të dëgjohej dhe të paraqiste prova, si dhe nuk i janë vënë në dispozicion aktet e domosdoshme të procesit të shkarkimit që është zhvilluar nga Këshilli i Ministrave (akti i propozimit, relacioni i ministrit, njoftimi i mbajtjes së mbledhjes, praktika për miratimin e rendit të ditës, procesverbali i mbledhjes së Këshillit të Ministrave, regjistrimi audio i mbledhjes kur është marrë vendimi i shkarkimit). Sipas kërkuesit, procesi i shkarkimit është bërë me urgjencë dhe nuk janë respektuar rregullat procedurale të ligjit nr. 9000/2003 dhe të Rregullores.

Subjekti i interesuar ka parashtruar se vendimmarrja e tij ka qenë urgjente për shkak të situatës së krijuar në territorin e Bashkisë së Vaut të Dejës dhe cenimit të interesit publik. Procedura për shqyrtimin dhe miratimin e vendimit nr. 445/2019 i është nënshtruar të gjitha rregullave të parashikuara nga ligji dhe Rregullorja për zhvillimin e një mbledhjeje të jashtëzakonshme, duke pasur parasysh edhe rastet ku sipas ligjit përjashtohet mundësia e palëve për t’u shprehur. Ndryshe nga sa pretendon kërkuesi, vendimi i shkarkimit është publikuar në Fletoren Zyrtare në datën 02.07.2019 dhe në datën 19.07.2019 i është dërguar Bashkisë së Vaut të Dejës nga ministri i Brendshëm. Kërkuesi nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për të kërkuar relacionin shoqërues të vendimit të shkarkimit.

Gjykata, gjatë shqyrtimit të ankimeve të organeve të qeverisjes vendore ndaj shkarkimit nga detyra, ka theksuar se e drejta e individit për një proces të rregullt ligjor, e parashikuar në nenin 42 të Kushtetutës, nuk është e kufizuar vetëm në procesin gjyqësor, por edhe në atë me karakter disiplinor administrativ. Çdo organ i pushtetit publik, gjatë ushtrimit të funksionit të tij kushtetues e ligjor, është i detyruar të respektojë standardet e gjithëpranuara demokratike, të cilat kanë gjetur pasqyrimin e tyre në Kushtetutë.

Njohja paraprake e personit, ndaj të cilit kërkohet të merret masa e shkarkimit, me materialet që e ngarkojnë atë me përgjegjësi, respektimi i së drejtës për t’u dëgjuar dhe mbrojtur, si me anën e dhënies së sqarimeve paraprake, ashtu edhe gjatë shqyrtimit të çështjes, janë disa nga elementet bazë që garantojnë të drejtën kushtetuese të cilitdo për një proces të rregullt, si një e drejtë themelore (shih vendimet nr. 29, datë 27.06.2013; nr. 37, datë 25.07.2013 të Gjykatës Kushtetuese).

Gjykata ka pohuar, gjithashtu, se e drejta për t’u dëgjuar, si pjesë e së drejtës së mbrojtjes, garantohet edhe në procesin administrativ përpara çdo organi, pavarësisht nga instanca dhe rëndësia e tij. Kjo realizohet nëpërmjet pjesëmarrjes së vetë individit në proces dhe nëpërmjet parashtrimit të argumenteve prej tij, ose avokatit të zgjedhur (shih vendimin nr.29, datë 27.06.2013 të Gjykatës Kushtetuese).

Në kushtet kur Gjykata, gjatë shqyrtimit të ankimit sipas nenit 115 të Kushtetutës, verifikon edhe ligjshmërinë e procesit, ajo është shprehur se KPA-ja parashikon se çdokush që ka interes të ligjshëm ka të drejtë të marrë pjesë në procedimin administrativ. Palët pjesëmarrëse në një procedim administrativ janë autoriteti kompetent, nga njëra anë dhe pala e interesuar, nga ana tjetër.

Megjithatë, procedimi administrativ nuk zhvillohet përherë në prani të palëve të interesuara dhe jo çdo herë kjo e fundit mund të shprehet lidhur me procedimin. KPA-ja parashikon rastet kur përjashtohet mundësia e palëve për t’u shprehur, mes të cilave edhe kur palët e interesuara kanë pasur rast t’i japin mendimet e tyre për çështjet që kanë rëndësi për marrjen e vendimit(shih vendimin nr.29, datë 27.06.2013 të Gjykatës Kushtetuese).

Gjykata vëren se jurisprudenca e mësipërme është zhvilluar duke analizuar nenet 44, 93 dhe 96 të KPA-së, të miratuara me ligjin nr. 8485, datë 12.05.1999, i cili tashmë është shfuqizuar me ligjin nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative”. Megjithatë, jurisprudenca e mësipërme është e zbatueshme edhe pas këtij ndryshimi ligjor, pasi kodi aktual bazohet në të njëjtat parime themelore të procedimit administrativ dhe përmban rregulla me përmbajtje të ngjashme, për sa i takon pjesëmarrjes në procedim dhe së drejtës së palës për t’u dëgjuar (shih nenet 33, 42, 45, 47, 88 dhe 89 të KPA-së).

Duke iu kthyer çështjes konkrete, Gjykata vëren se relacioni i ministrit të Brendshëm dhe vendimi nr. 445/2019 i Këshillit të Ministrave për shkarkimin e kërkuesit nga detyra mbajnë të njëjtën datë, konkretisht datën 28.06.2019 dhe i referohen ngjarjes së ndodhur në territorin e Bashkisë së Vaut të Dejës në datën 27.06.2019. Vendimi i shkarkimit është botuar në Fletoren Zyrtare në datën 02.07.2019, ndërsa kërkuesit i është komunikuar me shkrim në datën 19.07.2019.

Faktet e mësipërme tregojnë se procedura e shkarkimit është realizuar brenda 24 orëve, pra nga pikëpamja kohore është karakterizuar nga urgjenca, në vijim publikimi i aktit të shkarkimit është zhvilluar me procedurë normale, ndërsa kërkuesi është njoftuar individualisht pas 21 ditësh.

Duke qenë se procedura e shkarkimit është zhvilluar në mënyrë urgjente, kërkuesi nuk rezulton të jetë njohur paraprakisht me shkeljet të cilat i janë atribuuar, në mënyrë që, në një ballafaqim procedural, të mund të paraqiste kundërshtimet e tij ndaj këtyre shkeljeve. Pra, atij nuk i është dhënë mundësia të realizojë të drejtën për t’u dëgjuar dhe për të paraqitur shpjegime, në kuadrin e procesit të rregullt ligjor. Pyetjes së Gjykatës në këtë drejtim, subjekti i interesuar iu përgjigj në seancë plenare se nuk kishte pasur asnjë komunikim me kërkuesin, qoftë edhe me mjete teknologjike, që mund të garantonin shpejtësinë e njoftimit.

Në këtë situatë, Gjykata do të analizojë nëse në rastin konkret ka pasur vend për të zbatuar një prej përjashtimeve nga e drejta për t’u dëgjuar sipas nenit 89 të KPA-së, që parashikon se procedura administrative mund të mbyllet pa njoftuar dhe pa i dhënë mundësinë palës për t’u dëgjuar, kur marrja e vendimit përfundimtar është urgjente, për shkak të dëmit që mund t’i vijë interesit publik nga vonesa.

Subjekti i interesuar ka parashtruar se vendimi i shkarkimit është marrë në një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave dhe në kushtet e urgjencës për shkak të situatës së krijuar në territorin e Bashkisë së Vaut të Dejës. Sipas tij, është zbatuar përjashtimi ligjor nga e drejta për t’u dëgjuar, i parashikuar nga neni 89 i KPA-së, pasi në rastin konkret është cenuar interesi publik nga dhuna e shkaktuar ndaj policëve, djegia e materialeve zgjedhore dhe mosmarrja e asnjë mase administrative nga kërkuesi ndaj punonjësve të Bashkisë së Vaut të Dejës, të cilët në mënyrë të përsëritur kanë bllokuar disa akse rrugore.

Për të mbështetur këtë pretendim, Këshilli i Ministrave ka parashtruar fillimisht se dispononte informacion të klasifikuar sekret shtetëror që tregonte cenimin e interesit publik. Pasi iu dha koha e nevojshme nga Gjykata për të deklasifikuar informacionin, ai e paraqiti në gjykim dhe nga përmbajtja rezultoi se bëhej fjalë për një raport të hartuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, me të njëjtën përmbajtje faktike që ishte pasqyruar në relacionin shoqërues të vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin nga detyra të kërkuesit, i cili nuk ishte klasifikuar asnjëherë si sekret shtetëror.

Kërkuesi ka prapësuar pretendimin për kushtet e urgjencës, duke parashtruar disa argumente. Kështu, sipas tij, ndjekja e procedurës urgjente administrative nuk mund të përdoret, sepse nuk ka asnjë efekt, pasi shkarkimi nga detyra i kryetarit të bashkisë pezullohet me paraqitjen e ankimit në Gjykatën Kushtetuese. Nga ana tjetër, sipas kërkuesit, Këshilli i Ministrave ka nxjerrë vendimin nr. 445/2019 për shkarkimin nga detyra të kërkuesit në shkelje të procedurave të përcaktuara nga ligji nr. 9000/2003, pasi mbledhja nuk është zhvilluar fare.

Gjykata vëren se neni 14 i ligjit nr. 9000/2003 lejon mbledhjet e jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave, në raste të veçanta, kur thirret nga Kryeministri ose, në mungesë dhe me porosi të tij, edhe nga zëvendëskryeministri. Ndonëse iu kërkua nga Gjykata, subjekti i interesuar nuk ka paraqitur të dhëna dhe as dokumente për të dëshmuar thirrjen e kësaj mbledhjeje, rendin e ditës, vendin e zhvillimit të saj ose pjesëmarrësit në të, duke pretenduar se aktet që përmbajnë këto të dhëna ekzistojnë, por nuk mund të paraqiten për shqyrtim në Gjykatë, pasi janë të mbrojtura nga konfidencialiteti.

Lexo edhe :   Bruksel/ Sekretari Antony Blinken pritet të takojë Kryeministrin Edi Rama

Nga ana tjetër, Gjykata konstaton se aktet e paraqitura nga subjekti i interesuar, duke përfshirë edhe shpjegimet në seancë, nuk argumentojnë mjaftueshëm dëmin urgjent që i vinte interesit publik nëse ndaj kërkuesit do të ishte ndjekur një procedurë normale disiplinore, me të cilën t’i jepej koha e duhur për t’u njohur me aktet dhe për të paraqitur shpjegimet e tij. Duke iu referuar situatës faktike, mbi të cilën Këshilli i Ministrave ka bazuar shkarkimin nga detyra të kërkuesit, vihet re se atij i janë atribuuar dy grupe faktesh disiplinore.

Lexo edhe :   Vaksinimi nuk ndalet/ Rama: Mbërrijnë 11,700 doza nga Pfizer

Grupi i parë përmbledh veprimet e kryera nga kërkuesi në cilësinë e kryetarit të bashkisë, konkretisht urdhri për ndërprerjen e veprimtarisë zgjedhore i datës 17.06.2019 dhe aktet e tjera të nxjerra në datën 18.06.2019 për zbatimin e këtij urdhri, të cilat megjithëse janë veprime të lidhura me funksionin e tij si organ i qeverisjes vendore, nuk e justifikojnë urgjencën dhe përjashtimin nga e drejta për t’u dëgjuar, sipas nenit 89 të KPA-së. Grupi i dytë i fakteve përmbledh veprimet me natyrë penale, të cilat janë kryer në datën 27.06.2019 (konkretisht, dëmtimi me dashje, me anë të zjarrvënies i materialeve zgjedhore dhe kundërshtimi i policisë), për të cilat kompetenca e ndërhyrjes urgjente i takon Policisë së Shtetit dhe prokurorisë.

Duke qenë se qëllimi i Këshillit të Ministrave në këtë procedurë urgjente ka qenë ndërprerja ose parandalimi i veprave penale zgjedhore, duhet vënë në dukje se funksioni i ndërprerjes së veprave penale dhe i parandalimit të tyre i përket sferës juridiksionale të kompetencave publike që ushtrohen nga gjykata, prokuroria dhe Policia e Shtetit, sipas rregullave të Kodit të Procedurës Penale, të cilat, gjithashtu, respektojnë standardet e procesit të rregullt ligjor, duke përfshirë të drejtën për t’u njoftuar, për t’u dëgjuar dhe për të dhënë shpjegime.

Në këtë situatë, Gjykata çmon se procedura urgjente e shkarkimit nga detyra nuk sillte ndikim jo vetëm në drejtim të administrimit të Bashkisë së Vaut të Dejës, por as në drejtim të ndërprerjes dhe parandalimit të veprave penale në territorin e kësaj bashkie, për të cilat vepron një mekanizëm i ndryshëm institucional, sipas rregullave ligjore të tjera.

Për arsyet e mësipërme, Gjykata vlerëson se në procesin e shkarkimit të kërkuesit nuk janë respektuar në nivelin minimal e drejta për t’u njoftuar dhe e drejta për t’u dëgjuar, edhe pse nuk rezulton të ketë pasur shkak ligjor për të mos respektuar këto të drejta.

B.1.2. Për standardin e arsyetimit të vendimit të Këshillit të Ministrave

Kërkuesi ka pretenduar se vendimi nr. 445/2019 nuk ka respektuar standardin e arsyetimit, pasi ai nuk ka kryer asnjë veprim ose mosveprim të paligjshëm, i cili mund të konsiderohet si “shkelje e rëndë”, sipas ligjit nr. 139/2015. Përkundrazi, me vendimin nr. 1248, datë 15.07.2019, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër ka vendosur “mosfillimin e procedimit penal” ndaj kërkuesit, me arsyetimin se mungojnë elementet e veprës penale. Në vendimin e shkarkimit nuk është analizuar proporcionaliteti i shkeljeve në raport me masën e dhënë ndaj kërkuesit, në kundërshtim me nenin 17 të Kushtetutës, si dhe mungon arsyetimi i kritereve ligjore që përcakton ligji për masën e shkarkimit të kryetarit të bashkisë.

Subjekti i interesuar ka prapësuar se vendimi nr. 445/2019 është i arsyetuar dhe i shoqëruar nga relacioni shpjegues lidhur me arsyet e shkarkimit të kërkuesit. Ky i fundit, me vendimmarrjet e tij konkrete, të detajuara në relacionin shpjegues, ka kryer shkelje të rënda, duke mos respektuar vendimin nr. 12/2019 të Kolegjit Zgjedhor për mbajtjen e zgjedhjeve në datën e caktuar dhe duke krijuar një situatë kaosi dhe pasigurie në territorin e Bashkisë së Vaut të Dejës, me episode të përsëritura dhe pasoja të rënda për interesin publik.

Ai ka lejuar punonjësit e administratës së bashkisë të marrin pjesë në grumbullime të paligjshme gjatë orarit të punës dhe të bllokojnë rrugë nacionale, pa marrë asnjë masë ndaj tyre. Gjithashtu, sipas subjektit të interesuar, kërkuesi, pavarësisht se nuk ishte vetë prezent, ka organizuar një grup personash, mes të cilëve edhe familjarë të tij, të cilët kanë hyrë me dhunë në KZAZ-në nr. 6 dhe u kanë vënë zjarrin materialeve zgjedhore.

Gjykata në jurisprudencën e saj ka theksuar se në rastin e procedurave të shkarkimit të organeve të zgjedhura vendore, edhe pse relacioni i ministrit të Brendshëm që shoqëron projektvendimin për shkarkim dhe vendimi i Këshillit të Ministrave që miraton shkarkimin e organit të zgjedhur të njësisë së qeverisjes vendore u përkasin dy organeve të ndryshme, ato janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe përfaqësojnë një proces të pandashëm (shih vendimin nr. 29, datë 27.06.2013 të Gjykatës Kushtetuese).

Gjykata, gjithashtu, ka vënë në dukje se sipas KPA-së arsyetimi i aktit administrativ duhet të jetë i qartë dhe të përfshijë shpjegimin e bazës ligjore dhe faktike të aktit. Kur arsyetimi është bërë bazuar në informacionet apo propozimet e mëparshme, mund të mjaftojë si arsyetim pranimi i tyre nga ana e organit përgjegjës për marrjen e vendimit përfundimtar dhe, në këto raste, informacionet dhe propozimet e mëparshme janë pjesë përbërëse e aktit (shih vendimin nr. 29, datë 27.06.2013 të Gjykatës Kushtetuese).

Kjo jurisprudencë e zhvilluar, duke analizuar nenin 109 të Kodit të Procedurave Administrative, tashmë të shfuqizuar, është e zbatueshme edhe për Kodin e ri të Procedurave Administrative, pasi ky i fundit bazohet në të njëjtat parime themelore të procedimit administrativ dhe përmban rregulla për elementet e detyrueshme të arsyetimit të aktit administrativ, madje duke i zhvilluar edhe më tej detyrimet e organit publik në këtë drejtim (shih nenet 99-101).

Sipas KPA-së në fuqi, përveç elementeve formale, akti administrativ duhet të jetë i qartë dhe të përmbajë, krahas shpjegimit të situatës faktike mbi të cilën është marrë akti, edhe shpjegimin e përmbledhur të rezultatit të hetimit administrativ dhe të vlerësimit të provave, bazën ligjore të aktit, një shpjegim pse kushtet ligjore për zbatimin e tij plotësohen në këtë rast, si dhe në rastin e diskrecionit, shpjegimin pse diskrecioni është përdorur në mënyrën e përcaktuar.

Duke iu kthyer çështjes konkrete, Gjykata konstaton se vendimi i kundërshtuar është bazuar në propozimin e ministrit të Brendshëm, i cili ka hartuar dhe nënshkruar relacionin shpjegues. Ky relacion është bazuar në informacionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Këto dy akte kanë përmbajtje të ngjashme dhe përshkruajnë situatën faktike, mbi bazën e së cilës është marrë vendimi i kundërshtuar, duke shpjeguar veprimtarinë e kërkuesit, të familjarëve të tij dhe të punonjësve të Bashkisë së Vaut të Dejës.

Konkretisht, me anë të shkresës nr. 3406, datë 24.06.2019, drejtuar KQZ-së, Komisariatit të Policisë së Vaut të Dejës dhe Misionit të OSBE/ODIHR, kërkuesi ka kërkuar vendosjen në dispozicion të qytetarëve të ambienteve të KZAZ-së nr. 6 në Bashkinë e Vaut të Dejës në datat 27.06.2019-02.07.2019 për organizimin e aktiviteteve të ndryshme artistike, kulturore dhe letrare ose tubimeve, pasi, sipas tij, ka një dekret të Presidentit të Republikës që anulon datën e zgjedhjeve vendore. Më tej, në relacion shpjegohet se nga kryerja e veprimeve hetimore, në datën 27.06.2019, kërkuesi, megjithëse nuk ishte vetë prezent, ka organizuar një grup prej 150-200 personash, duke përfshirë punonjës të Bashkisë së Vaut të Dejës dhe familjarë të tij, të cilët kanë sulmuar punonjësit e policisë dhe u kanë vënë zjarrin materialeve zgjedhore që ndodheshin në KZAZ-në nr. 6.

Sipas relacionit, në bazë të informacionit të Policisë së Shtetit, kërkuesi, edhe pse nuk ka marrë pjesë vetë në veprime aktive, në datat 26.04.2019, 02.05.2019 dhe 20.06.2019, ka organizuar/angazhuar punonjësit e Bashkisë së Vaut të Dejës për të bllokuar disa akse rrugore dhe për të penguar zhvillimin e aktiviteteve elektorale. Për këto arsye, ministri i Brendshëm, në relacionin e tij, ka propozuar shkarkimin e kërkuesit nga detyra, bazuar në nenin 62, shkronja “a”, të ligjit nr. 139/2015.

Nga ana tjetër, Gjykata vëren se në relacionin shpjegues të vendimit të kundërshtuar, përveçse paraqiten si referenca neni 62, shkronja “a”, i ligjit nr.139/2015, si dhe nenet 100 dhe 115 të Kushtetutës, nuk evidentohen elementet e tjera të arsyetimit, që kërkohen nga neni 100 i KPA-së, në mënyrë të veçantë nuk jepet shpjegim i mjaftueshëm pse veprimet e kërkuesit përbëjnë shkelje të rëndë të Kushtetutës ose të ligjeve dhe, ajo që është më e rëndësishmja, mungon shpjegimi pse Këshilli i Ministrave ka përdorur diskrecionin për t’u mbledhur dhe vendosur në kushtet e urgjencës.

Procesi i shkarkimit fillon me fazën e vlerësimit të shkeljeve nga ministri i Brendshëm dhe përfundon me vendimmarrjen e Këshillit të Ministrave që miraton vlerësimin e bërë nga ministri i Brendshëm. Janë pikërisht këto dy organe të cilat realizojnë, sipas kompetencave përkatëse të tyre, në mënyrë të pashkëputur, procesin administrativ të shkarkimit nga detyra të organeve vendore. Për arsye të rolit të rëndësishëm që ato kanë, duhet të respektojnë me rigorozitet standardet e procesit të rregullt ligjor.

Në këtë kontekst, relacioni i ministrit të Brendshëm duhet të hartohet duke mbajtur në konsideratë kërkesat e arsyetimit të aktit administrativ të përcaktuara nga KPA-ja, sidomos vlerësimin se përse faktet përbëjnë shkelje të rëndë të Kushtetutës ose të ligjeve nga organi i zgjedhor vendor. Këto elemente nuk janë të pasqyruara në mënyrë të mjaftueshme në relacionin e ministrit të Brendshëm, mbi të cilin është bazuar edhe vendimi nr. 445/2019 i Këshillit të Ministrave për shkarkimin e kërkuesit.

Ndërsa, lidhur me urgjencën e rastit, vlerësimi i së cilës siç shpjegoi subjekti i interesuar, është në përgjegjësinë dhe diskrecionin e tij, relacioni nuk përmban asnjë të dhënë, duke mos respektuar detyrimin e përcaktuar shprehimisht nga neni 100, pika 1, shkronja “ç”, i KPA-së. Kjo e metë e arsyetimit të aktit është me rëndësi të veçantë, pasi zhvillimi i procedurës urgjente është përdorur nga subjekti i interesuar edhe për t’u shmangur nga detyrimi për të njoftuar dhe dëgjuar kërkuesin, siç u arsyetua më lart në këtë vendim.

Për rrjedhojë, nisur nga analiza e mësipërme, Gjykata vlerëson se vendimi i Këshillit të Ministrave për shkarkimin nga detyra të kërkuesit nuk respekton standardin e arsyetimit.

B.1.3. Për prezumimin e pafajësisë

Kërkuesi ka pretenduar, gjithashtu, se i është cenuar e drejta për t’u prezumuar i pafajshëm, pasi ministri i Brendshëm, në deklaratën për shtyp të datës 28.06.2019, ka deklaruar shkarkimin e kërkuesit. Sipas tij, ky parim zbatohet përtej procesit penal, duke përfshirë edhe procedurat administrative disiplinore.

Parimi i prezumimit të pafajësisë garantohet nga neni 30 i Kushtetutës, sipas të cilit kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Gjykata në jurisprudencën e saj është shprehur se në rastet e shkarkimit të funksionarëve të lartë kushtetues parimet e prezumimit të pafajësisë dhe të paanësisë nuk mund të zbatohen si parime tipike klasike të proceseve gjyqësore, kur organet e ngarkuara me këto procedura, qoftë në përbërjen dhe organizimin e tyre, qoftë në veprimtarinë e funksionet e tyre, nuk mund të jenë organe gjyqësore, nuk ushtrojnë pushtet gjyqësor, por ushtrojnë pushtete të tjera të ndryshme (shih vendimin nr. 21, datë 01.10.2008 të Gjykatës Kushtetuese).

Duke iu referuar jurisprudencës së mësipërme, Gjykata çmon se Këshilli i Ministrave, kur shkarkon nga detyra organin e zgjedhur të qeverisjes vendore, zhvillon një proces administrativo-disiplinor, i cili ka parimet e veta që lidhen me verifikimin, analizën dhe vërtetimin e shkaqeve konkrete që i kanë shërbyer organit kompetent për të marrë masën e shkarkimit. Ky proces duhet të respektojë standardet e procesit të rregullt ligjor të përcaktuara nga Kushtetuta dhe ligji (shih paragrafët 21-22 të këtij vendimi). Megjithatë, parimi i prezumimit të pafajësisë nuk gjen zbatim si në procesin gjyqësor penal, jo vetëm për shkak të natyrës administrativo-disiplinore të këtij procesi, por edhe për shkak të përbërjes dhe funksioneve politike të Këshillit të Ministrave.

Nisur nga sa më sipër, Gjykata vlerëson se pretendimi për cenimin e parimit të prezumimit të pafajësisë është i pabazuar.

B.2. Për masën e shkarkimit nga detyra

Kërkuesi pretendon se është shkarkuar nga detyra e kryetarit të bashkisë në mungesë të shkaqeve të parashikuara nga neni 115 pika 1, i Kushtetutës, pasi ai nuk ka kryer asnjë shkelje të rëndë të Kushtetutës ose të ligjeve, siç e kërkon kuadri ligjor për shkarkimin e tij. Përkundrazi, ai argumenton se është shmangur publikisht nga aktet e dhunës dhe u ka bërë thirrje qytetarëve për qetësi dhe vetëpërmbajtje, duke kërkuar të mos dëmtohej prona dhe interesat e qytetarëve. Kërkuesi pretendon se motivacioni i shkarkimit të tij bazohet në veprime ose mosveprime të karakterit penal, çka nuk përbën shkak për shkarkim nga Këshilli i Ministrave, pa pasur më parë një vendim penal të formës së prerë me të cilin kërkuesi të ishte shpallur fajtor për kryerjen e një vepre penale. Ai pretendon se nuk ka qenë fare në vendngjarje kur është djegur shkolla dhe materialet zgjedhore. Sipas tij, shkarkimi nga detyra ka motivacion politik dhe është arbitrar. Kërkuesi pretendon se është diskriminuar për arsye politike, pasi Këshilli i Ministrave nuk ka kryer hetimin e duhur përpara se të merrte vendimin e shkarkimit.

Subjekti i interesuar prapëson duke argumentuar se kërkuesi ka kryer shkelje të rënda kushtetuese, pasi ka vepruar për pengimin e procesit zgjedhor vendor të caktuar në datën 30.06.2019, duke shkelur në këtë mënyrë nenin 109 të Kushtetutës për periodicitetin e zgjedhjeve vendore. Sipas tij, kërkuesi, me urdhrin nr. 151, datë 17.06.2019, ka urdhëruar ndërprerjen e veprimtarisë zgjedhore të çdo lloji për të gjithë subjektet në territorin e Bashkisë së Vaut të Dejës. Ky urdhër i është dërguar Komisariatit të Policisë së Vaut të Dejës me qëllim ndërprerjen e funksionimit të KZAZ-së nr. 6 dhe KQZ-së, me qëllim tërheqjen e materialeve zgjedhore nga KZAZ-ja nr. 6.

Ai e ka nxjerrë këtë urdhër pa marrë parasysh rezolutën e Kuvendit, qëndrimin e KQZ-së dhe vendimin nr. 12/2019 të Kolegjit Zgjedhor, sipas të cilave zgjedhjet vendore do të zhvilloheshin në datën 30.06.2019. Gjithashtu, nga aktet e administruara nuk rezulton që kërkuesi të ketë marrë masa administrative ndaj punonjësve të Bashkisë së Vaut të Dejës, të cilët kanë bllokuar në disa raste akse të rëndësishme rrugore ose janë përfshirë në ngjarjen e ndodhur në KZAZ-në nr. 6. Këto veprime, të cilat kanë qenë në kundërshtim me vendimmarrjen e institucioneve shtetërore, kanë dëmtuar rëndë imazhin e organit të zgjedhur vendor, sepse janë të lidhura me përmbushjen e rregullt të detyrës nga ana e kërkuesit. Në lidhje me këtë pretendim të kërkuesit dhe prapësimet e subjektit të interesuar, Gjykata, gjatë votimit të çështjes, nuk arriti shumicën e të gjithë anëtarëve të saj të kërkuar nga dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore. Sipas nenit 133, pika 2, të Kushtetutës, Gjykata merr vendim përfundimtar me shumicën e të gjithë anëtarëve të saj, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në ligj. Kjo dispozitë kushtetuese është reflektuar edhe në përmbajtjen e nenit 72, pika 2, të ligjit nr. 8577/2000, sipas të cilit vendimet e saj merren me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të saj dhe abstenimi nuk lejohet. Për rrjedhojë, në bazë të nenit 73, pika 4, të ligjit nr. 8577/2000, në kushtet kur nuk është formuar shumica e kërkuar prej 5 votash, ky pretendim konsiderohet i rrëzuar. Si përfundim, Gjykata, bazuar në analizën e të gjitha pretendimeve të kërkuesit, vlerëson se kërkesa e tij duhet pranuar në objektin e saj, pasi është cenuar procesi i rregullt ligjor në aspektet e së drejtës për t’u njoftuar dhe për t’u dëgjuar, si dhe të standardit të arsyetimit të vendimit.

PËR KËTO ARSYE,

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të nenit 115, pika 2, të Kushtetutës, si dhe nenit 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me shumicë votash,

V E N D O S I:

Shfuqizimin e vendimit nr. 445, datë 28.06.2019 të Këshillit të Ministrave “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, z. Zef Hila”. Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare. Votuan pro pranimit të këtij pretendimi gjyqtarët: Vitore Tusha, Marsida Xhaferllari, Sonila Bejtja dhe Përparim Kalo. Votuan kundër pranimit gjyqtarët: Elsa Toska, Fiona Papajorgji dhe Altin Binaj.

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Autogol, gola të anuluar dhe shtyllë, Franca ”gjunjëzon” Gjermaninë në Mynih

Përfundon supersfida e grupit F mes Francës dhe Gjermanisë. Gjermania e Lëv tronditet që në fillim të kampionatit europian. Skuadra e Didier Deshamps kaloi...

Pekini akuzon NATO-n për ekzagjerim të kërcënimit nga Kina

Kina ka akuzuar NATO-n se është duke shpifur për zhvillimin e saj paqësor, pasi liderët e aleancës kanë paralajmëruar për “sfida sistematike” që vijnë...

Biden shpall planin e parë kombëtar për të luftuar terrorizmin e brendshëm

Presidenti amerikan Joe Biden shpalli atë që ai e quajti plani i parë kombëtar për të luftuar terrorizmin e brendshëm. Në një deklaratë të martën,...

A mundet Basha të përjashtojë Berishën? Ja si përgjigjet Nishani

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Bujar Nishani deklaroi se kryetari i zgjedhur Lulzim Basha, nuk mund ta përjashtojë Sali Berishën nga grupi...

RENEA kontrolle në terren, vë me shpatulla pas murit disa persona në lokal

Forcat RENEA dhe FNSH kanë dalë sërish në terren mbrëmjen e sotme, në kuadër të aksionit për kapjen e personave të shpallur në kërkim,...