Analisti i njohur, Artur Zheji ka komentuar videot e kryegjyqtares së Elbasanit Enkeleda Kapedani duke bërë modeling në ambientet e Gjykatës.
I ftuar në emisionin ”Pikat mbi i” në ”News 24”, Zheji u shpreh se gjyqtarja është një kukull e vendosur në pozicion, dhe nuk mund ta ushtrojë dot detyrën për të cilën është caktuar.
Ndër të tjera, Zheji u shpreh se Elbasani po ”vlon” nga kriminaliteti, teksa gjyqtarja po shijon jetën, dhe mesa duket nga videot e shpërndara në rrjetin social Tik Tok, ajo i kushton kohës vetvetes, dhe jo punës.
Artur Zheji: ”Ajo është shumë e bukur, e veshur mirë, e veshur shtrenjtë, gëzon jetën. Ndoshta do të ishte një gjykatëse në trupën gjykuese të Finlandës. Ajo shpalos bukurinë e saj. Por a përputhet kjo me detyrën që ka, në Gjykatën e Elbasanit, ku është bërë krim zap. Është tamam kukull e duhur, në vendin e duhur. Ajo më shumë kohë duhet të kalojë përpara pasqyrës, se sa në laboratorët e krimit apo në ato gjërat e zymta, siç është bota kriminale. Ajo ka zero probleme, ndërkohë që Elbasani ka shumë probleme. Ajo nuk është për atë punë. Kjo është situata e drejtësisë shqiptare. Ajo ndoshta është më e pafajshme, se i kushton kohë vetvetes. Unë mendoj se e kalon Vettingun, pse të ngel, kur ajo nuk ka bërë krim. Nuk është krim të jesh e bukur.”
Kapedani është marrë nën hetim nga Inspektoriati i Drejtësisë, pas videove të publikuara në rrjetet sociale. Në video, gjyqtarja shfaqet me rroba firmato teksa këndon: Rrethi im o mafia. Ajo pretendoi se nuk ka “TikTok” dhe nuk ka asnjë dijeni se kush ia ka publikuar pamjet në rrjet.